I nisur nga Corpus Christi, Texas, më 31 dhjetor, cargo “Theo T” mbërriti të mërkurën në Fes Sur Mer, pranë Marsejës. Nuk bëhet fjalë për një anije dosido, sepse në fakt ngarkesa e saj është tepër e veçantë. Në 40 vitet e fundit as edhe një pikë naftë amerikane nuk ishte larguar kurrë nga vendi. Arsyeja është e thjeshtë: një bllokim, i vendosur në mes të krizës së naftës më 1975, i ndalonte eksportet e naftës. Pas vitesh të tëra lobimi nga ana e prodhuesve të naftës kongresi e hoqi ndalimin më 16 dhjetor, duke lejuar kësisoj eksportimin e naftës made in USA.
Në të njëjtën dite kur Theo T mbërriti në Francë tregjet financiare shënuan çmime nafte nën 27 dollarë për herë të parë që prej 2003-shit, duke e rikuperuar vetëm pjesërisht terrenin e humbur në ditët e mëpasme. Madje mbërrin lajmi nga Dakota e Veriut se disa fuçi nafte janë shitur me çmime negative, që do të thotë se prodhuesit kanë paguar rafinuesit për t’iu marrë naftën. Bëhet fjalë për naftë të cilësisë së ulët, por që deri përpara disa muajsh shitej për 80 dollarë.
Ç’lidhje kanë çmimet me Theo T? Kanë shumë lidhje.
Rënia e çmimit të naftës nga mbi 100 dollarë që ishte në prill 2014 te minimumi i shënuar të mërkurën me $26.19, nuk është asgjë tjetër veçse një histori e thjeshtë kërkesë-oferte.
Duke nisur nga 2005-a prodhimi amerikan i naftës nisi të rritej ndjeshëm, për të marrë fluturimin nga 2011-a deri më sot. Arsyeja është ndërthurja e një teknike rovolucionare të nxjerrjes së fragmenteve shkëmbore e quajtur Shale Oil, që i ka mundësuar Shteteve të Bashkuara ta dyfishojnë prodhimin brenda 10 vjetëve dhe t’ia kalojnë Arabisë Saudite si prodhuesi i parë botëror.
Pavarësia më e madhe energjitike e arritur nga SHBA-të mund të jetë një prej tabllove më të mira për të kuptuar dobësinë me të cilën administrata Obama po qaset ndaj situatës në Lindjen e Mesme.
Qeverinë ndoshta nuk e frenojnë fantazmat e Irakut dhe të Afganistanit që të veprojë, por edhe varësia më e vogël e Shteteve të Bashkuara nga qëndrueshmëria politike e rajonit në krahasim me të kaluarën.