Operatorët e shërbimeve postare pohojnë se, kompanitë e mëdha institucionet financiare, të tilla si bankat dhe kompanitë e sigurimit i kufizuan në minimum dhuratat për klientët e tyre….
Biznesi i dhuratave dedikuar festave u gjend në vështirësi këtë vit për shkak të porosive të pakta. Në një klimë jo shumë festive nga rënia e shitjeve dhe klima e pasigurisë bizneset nuk kanë qenë shumë në humor këtë vit për të “joshur” klientët me dhurata. Edhe pse për kompanitë e mëdha një kartolinë me postë nuk është një shpenzim i kushtueshëm, ky urim tradicional nuk ka qenë zgjedhja e këtij viti.
Shërbimi postar UPS Albania konformoi këtë fakt, kur pohoi se dërgesat e dhjetorit në formën e dhuratave kanë rënë në mënyrë drastike.
Burimet nga kompania e shërbimeve postare brenda vendit shpjeguan se, kompanitë e mëdha institucionet financiare, të tilla si bankat dhe kompanitë e sigurimit kanë limituar në minimum dhuratat për klientët e tyre. Paketa më e zakonshme e dërgesës, kartolina me postë që shoqërohej me kalendar, bllok apo edhe sende të tjera, verë, apo çokollata pothuajse është shuar këtë vit.
Të njëjtat burime nga UPS pohuan se dërgesat e dhuratave ishin shumë të ulta këtë vit edhe nga televizionet, institucionet qeveritare dhe kompanitë e mëdha të biznesit.
Kjo tendencë nga kompanitë postare konfirmohet edhe nga bizneset e pakicës. Dy njësi të shitjes se suvenirëve në rrugën Muslym Shyri mbyllen aktivitetin këtë fillim vit.
Në tregun e Medresesë që është furnitori i shumicës për të gjithë Shqipërinë situata ka qenë edhe më e rëndë. Një njësi të suvenirëve konfirmoi se artikujt e konceptuar për dhurata të Krishtlindjeve nuk janë shitur fare. “ Si asnjë vit tjetër kam pothuajse 80 për qind të furnizimit të pa shitur” pohon tregtari i cili shpjegon se, kërkesa është vënë në trajektore rënëse qysh prej 5 vitesh, por këtë vit situata ka qenë më e rëndë.
Por evolumimi teknologjisë, me shërbimet e zgjeruara të internetit, si email, viber, facebook dhe What’s up etj, kanë zhvendosur urimet nga kartolinat tradicionale me postë me një mesazh urimi ne këto shërbime./Monitor