Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

AKKP: Formula e kompensimit të pronave me ligjin e ri

$
0
0

sonila qatoDrejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shpjegon se qëllimi i ligjit të ri të pronave është që dosjet që po shqyrtohen në Gjykatën e Strasburgut të kthehen në gjykatat shqiptare, pasi fatura e tyre mund të çojë në falimentimin e buxhetit të shtetit

 

 

Për herë të parë pas 23 vitesh, për çështjen e pronave në Shqipëri fillon një përpjekje e re për ta sjellë në parametra bashkëkohorë dhe pranë zgjidhjes. Përtej hartimit dhe ndryshimeve pafund ligjore, ai që u vjen tani në ndihmë pronarëve dhe gjithë qytetarëve të interesuar do jetë dixhitalizimi i këtij procesi.

Në një intervistë ekskluzive për ‘Ora News’, drejtorja e Agjencisë Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, Sonila Qato shpjegon me detaje reformën e saponisur, problemet e hasura, si dhe u jep përgjigje gjithë pretendimeve të opozitës dhe shoqatës së pronarëve për draftin e ri të pronave.

Zonja Qato shpjegon se është përcaktuar në ligj përfundimi brenda tri viteve i Reformës së Pronësisë, një ambicie e fortë që synon të shpëtojë shtetin shqiptar nga rreziku i falimentimit nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut për çështjet e pronës.

Ajo zbulon se nisma ka për qëllim të pezullojë dosjet në këtë gjykatë dhe t’i kthejë ato sërish për shqyrtim në Shqipëri, për t’i dhënë zgjidhje përmes reformës së re.

Çfarë pritet nga kjo reformë?

Reforma pritet t’i japë një zgjidhje përfundimtare çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave. Dy janë misionet: 1- të mbyllim një herë e mirë trajtimin e 9300 dosjeve që kemi trashëguar ndër vite sipas afateve të mirëpërcaktuara për qytetarët; 2- të trajtojmë për herë të parë kompensimin e pronarëve, që për 23 vjet është trajtuar përmes vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyrave Rajonale.

Janë 26 mijë vendime për kompensim të pronarëve, dhe do të trajtohen me reformën që do të kryejmë brenda një afati 10-vjeçar.

Cila është garancia që do marrin nga ky institucion pronarët?

Transparenca është garanci optimale për të gjitha subjektet që do të trajtohen me ligjin e ri, i cili ka një datë fillimi dhe një datë fundi

Çmimi i kompensimit a është ai i vitit 1945?

Jo, nuk është ai i vitit 1945. Pjesëmarrja e Shoqatave të Pronarëve më 16 korrik por dhe tryeza e konsultimeve që bëmë më 21 korrik ishte dëshmi se Shoqata e Pronarëve nuk kanë arritur dot të lexonin draftligjin e shpërndarë nga Ministria e Drejtësisë dhe prononcimet publike të tyre kanë qenë të gabuara dhe nuk pasqyrojnë realitetin. Ajo që kërkoj nga pronarët është të jenë të drejtë.
Çmimet që parashikon ligji i ri janë të hartës së vlerës së pronës në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ndërsa zëri kadastral, i cili llogaritet për të vlerësuar ekonomikisht këto 26 mijë vendime, asnjëherë të vlerësuara për likuidim, është zëri kadastral i momentit të shpronësimit të këtyre pronave. Kjo është formula që propozon ligji dhe nuk ka vend për abuzim sepse është shkruar si e zeza në të bardhë.

Shoqata e pronarëve pretendon se nuk është pasqyruar e drejta e kthimit të pronës përmes këtij procesi me draft-ligjin e ri dhe kjo nuk është aspak e vërtetë. Kapitulli që trajton procesin e kthimit të pronës veçse lehtëson procedurat e deritanishme të kërkesave ende të paezauruara të pronarëve dhe përcakton disa afate që janë shumë të rëndësishme, pasi për herë të parë vendoset një afat trevjeçar në vendimmarrje nga dita e parë deri në ezaurimin e dosjeve brenda këtyre tri viteve.

 Pretendohet se u është hequr e drejta e ankimit…

Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Qeveria nuk mund të heqë një të drejtë kushtetuese. Prandaj i ftoj ta lexojnë draft-ligjin dhe të japin vërejtje konkrete e të bashkëpunojnë për përmirësimin e këtij draft-ligji. Të jemi bashkëveprues me njëri-tjetrin, pasi kjo reformë do realizohet.

Ka vërejtje për vijën e verdhë…

Kjo është formula që bën ndryshimin për këtë reformë. Në këtë draft janë konceptuar dy elemente kryesore: Trajtimi i pronës siç ka qenë në momentin e shpronësimit të tij. Pra, nëse ka qenë tokë bujqësore, do të trajtohet si tokë bujqësore, nëse ka qenë tokë truall, do trajtohet si e tillë. Këtu përfshihen 75% e të gjitha dosjeve që do të trajtohen përmes këtij ligji.

Nëse ka qenë tokë bujqësore vitet e para të shpronësimit dhe aktualisht është tokë truall, do të trajtohet me formulën e re si tokë bujqësore, por me çmimin aktual të hartës së vlerës së pronës në fuqi nuk ka referenca për çmimet e viteve ‘45. Edhe pse ka qenë sugjerim i BB-së, ne nuk e kemi parë të arsyeshme dhe në interes të pronarëve, pasi çmimet mesatare të atyre viteve do të ishte shumë e vështirë për t’u identifikuar, ndaj kemi parë një rregull: Do të trajtohen në mënyrë të barabartë të gjithë pronarët. Harta e vlerës së pronës aktuale në fuqi do të jetë çmimi që do të llogaritet për kompensim

Ç’domethënë dixhitalizim të arkivit?

Është një hartë që do të mbajë në një sistem të web G të gjithë informacionin arkivor të arkivit së bashku me dokumentet e skanuara që kemi realizuar deri tani dhe me hartat përkatëse, duke u pasqyruar si poligone të caktuara në hartë. Kjo do na shfaqë problematikën e madhe të mbivendosjeve, si dhe një fletë të saktë të faturës së kompensimit nga buxheti i shtetit, që do të mund të likuidohet ky proces që kemi marrë përsipër në ligjin e ri.

Cilat ishin problemet kryesore të projektit pilot në Vlorë?

Problemi kryesor i projektit pilot për hartën e Vlorës është mbivendosja e pronave. Në qarkun e Vlorës mbivendosjet kanë qenë me kate. Sa herë janë marrë vendime kompensimi apo kthimi, aq herë janë mbivendosur pronat e qytetarëve mbi njëri-tjetrin, duke krijuar konflikt.

Sistemi dixhital, i cili do të financohet këtë vjeshtë nga ana e qeverisë, do t’i shmangë për herë të parë dhe kur të nisë shqyrtimi i 9300 dosjeve nuk do të ketë më problematika të mbivendosjes së pronave, pasi ne do i kemi të pasqyruara në mënyrë dixhitale në kompjuterat tanë se çfarë vendimmarrjesh janë marrë rreth e qark kufijve të pronës që pretendohet për t’u kthyer dhe do kthehet.

Në atë raste kur do të kemi mbivendosje, sugjerohen palët e interesuara t’i drejtohen gjykatës të zgjidhin mosmarrëveshjen dhe atje ku do të ketë prona të lira, do të mund të disponojmë me kthim apo kompensim sipas hapësirës dhe ligjit

Pritet që ky shërbim të bëhet në mënyrë dixhitale përmes një ID që çdo qytetar është i pajisur në kartën e identitetit, të mund të shkarkojë të dhënat e dosjes së tij, të interesuar nëse është personi i autorizuar pa ardhur këtu.

Takimi informal me Prokurorin e Përgjithshëm…

Kërkojmë një bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë, pasi prokuroria do vendosë nëse dokumenti në dosje është i falsifikuar. Takimi i zhvilluar me Prokurorin e Përgjithshëm ishte pjesë e aktivitetit. Kërkojmë bashkëpunim nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm të impenjohet përmes zyrave në rrethe për rastet e dokumenteve të falsifikuara. Ky do të jetë investimi më i madh që qeveria do kryejë në funksion të administrimit të këtij procesi, pasi lehtëson punën e agjencisë por dhe qytetarëve.

Qeveria është penalizuar shumë herë nga vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg…

Misioni që qeveria shqiptare mori këtë reformë është nevoja për t’u vënë fre vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, të cilat nga njëra anë janë shumë të drejta, për shkak të këtij sistemi të korruptuar të cilin sot po mundohemi ta ndryshojmë, por e kemi të trashëguar nga e kaluara.

Fatura që na vjen nga Gjykata e Strasburgut është aq e madhe, sa një ditë të caktuar me këtë prurje kërkesash që shkojnë në gjykatë mund të kërkojë dhe falimentimin e shtetit për ekzekutimin e këtyre vendimeve. Misioni që kemi marrë është pezullimi i vendimmarrjes së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që do të thotë që të gjitha ankesat e drejtuara në këtë gjykatë të mund të rikthehen në vendin tonë për t’u ezauruar dhe shqyrtuar brenda vendit përmes procedurave të reja dhe sistemit të ri që ngrihet nga kjo reformë që kemi lançuar këto ditë. Nuk mund të mbajmë peng procesin e mbarëvajtjes së interesave të shtetit dhe integrimit përmes këtij sistemi të krimbur që i ka kaluar koha.

Intervistoi: Mimoza Picari/ Ora news tv/

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles