Prodhuesi i makinave luksoze, “Aston Martin” deklaroi se po konsideron Maqedoninë, si një nga vendet më të mundshme për të ndërtuar fabrikën e tij të re. Lajmi është publikuar nga agjencia prestigjoze “Reuters”, sipas të cilës, fqinji ynë lindor është rikthyer fuqishëm në garën për të tërhequr këtë investim.(http://uk.reuters.com/article/uk-aston-martin-plant-idUKKCN0UP16820160111).
Fillimisht “Aston Martin” kishte përcaktuar një listë me 19 vende të mundshme për ndërtimin e fabrikës, por më vonë lista u reduktua në vetëm dy vende, një në Alabama dhe një tjetër në Lindjen e Mesme.
Por javët e fundit mësohet se në garë ka rihyrë Maqedonia. Sipas “Reuters”, qeveria maqedonase i ka bërë një ofertë joshëse prodhuesit gjigand të autmojeteve, që të zhvendoset në Shkup. Agjencia prestigjoze thotë se, oferta është konfirmuar edhe nga burime të qeverisë në Maqedoni.
“Aston Martin”, e njohur për prodhimin e makinave sportive “DB5”, që nget James Bond në filmat e tij, synon që brenda fundit të kësaj dekade të katërfishojë prodhimin e automjeteve.
Të gjithë në Maqedoni
Qeveria maqedonase ka qenë tepër agresive në tërheqjen e investimeve të huaja përmes politikave subvencionuese por edhe lehtësive tatimore. Jo rastësisht gjatë viteve të fundit, kanë investuar disa nga emrat më të njohur të biznesit në arenën ndërkombëtare.
Në vitin 2009, gjigandi britanik Johnson Matthey ndërtoi një fabrikë në lindje të Shkupit duke hapur 200 vende pune. Po kështu Termocentrali i ri i kompanisë italiane “Diatek”, filloi aktivitetin e tij në zonën e Shkupit, ku janë punësuar 250 persona.
Në tetor të vitit të kaluar kompania gjermane “Marquardt” çeli në Maqedoni fabrikën me 600 punonjës, për prodhimin e pjesëve mekanike, ndërsa “Key Safety Systems”, një kompani amerikane nisi punën në fabrikën e ndërtuar rishtas në Kërçovë, me 1 mijë punonjës.
Maqedonia duket se është shndërruar në vendin e preferuar të investimeve të huaja për ballkanin.
Anashkalohet Shqipëria
Nëse pyet qeverinë e Shqipërisë se cili është investimi më i bujshëm i mbërritur në vend gjatë dy viteve të fundit përgjigja ështrë kompania automotive gjermane, Forschner, e cila ka 75 të punësuar.
Dikur vendi i preferuar i kapitalit të huaj, Shqipëria është shndërruar në një vend të harruar.
Nuk është rastësi që thuajse të gjithë emrat e njohur të biznesit ndërkombëtar kanë mbërritur në vitet 2007 deri në 2010-ën. Kompani austriake Verbund, gjigandi norvegjez Shtatcraft, multinacionalja Shell apo qoftë edhe gazsjellësi Transadriatik, janë të gjitha investime të kontraktuara gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë që në tre vitet e fundit të vetmet investime që kanë mbërritur në Shqipëri janë, Call Center-at dhe afrimi i një kompanie turke për Skavicën, por edhe kjo përmes një proçedure të dyshimtë si korruptive.