Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Panariti: Moratoriumet për të ndaluar shkretimin e vendit

$
0
0

edmond panaritiIntervista/ Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti flet për shkatërrime ekstreme që i janë bërë natyrës së vendit dhe që kërkojnë sipas tij masa ekstreme për t’i përballuar

Bisedoi: Vladimir Karaj

Ndryshimet klimaterike do të kushtëzojnë edhe ndryshimin e agrokulturës në Shqipëri. Sipas ministrit të Bujqësisë ato tashmë kanë diktuar “spostimin gradual të disa kulturave bujqësore drejt rajoneve të reja dhe futjen në kultivim të varieteteve më rezistente dhe më të adaptueshme ndaj ndryshimeve klimatike”. Ministri thotë se ka tashmë një hartë të rajonalizimit të prodhimeve bujqësore në vend e cila sipas tij ka marrë parasysh “përshtatjet e nevojshme në kultivimin e kulturave bujqësore në raport me prognozën gati 20-vjeçare të ndryshimeve klimatike të pritshme, ku parashihet një rritje prej mesatarisht 1,5 gradë celsius të temperaturës mesatare”. Ndërkohë ministri thotë se Shqipëria ka bërë plane dhe është duke investuar në projekte që synojnë të minimizojmë efektet dhe dëmet e goditjeve natyrore. Ministri flet për një projekt të pyllëzimit masiv të kodrave dhe faqeve të maleve dhe rindërtimin e pritave malore që do të zbusin përmbytjet. Po ashtu ai thekson domosdoshmërinë e ndërhyrjes me gjithë kostot sociale e politike që kjo mund të ketë në ndërtimet që janë bërë pranë baseneve të lumenjve. Ai thotë se qeveria po bën gati ndërhyrje “drakoniane” për të shpëtuar mjedisin dhe përmirësuar situatën e tij në vend.

Çfarë ndikimi kanë katastrofat natyrore në ekonomi?

Katastrofat natyrore mund të jenë rrënuese për ekonominë e vendit. Sigurisht që nuk jemi në gjendje që të ndalojmë katastrofat natyrore, si: stuhitë, reshjet, përmbytjet, tërmetet, por padyshim që mund dhe duhet t’u paraprijmë me masa, për zbutjen e dëmit prej tyre.

Pas çdo katastrofe, rishikohen treguesit e zhvillimeve ekonomike sektoriale të vendit, në varësi edhe të natyrës së katastrofës. Për shembull në rastin e përmbytjeve masive në zonat rurale përllogariten dëmet nga asgjësimi e sipërfaqeve të mbjella, dëmtimet në blegtori, fabrika përpunimi të prodhimeve bujqësore dhe për rrjedhojë treguesit e zhvillimeve të bujqësisë në këtë rast rishikohen me kahun e rënies. Për rastin e tërmeteve, kemi kritere të tjera të vlerësimeve të shkallës së dëmeve dhe të ndikimeve të pritshme në ekonomi.

Duke qenë se vendi po goditet vazhdimisht prej përmbytjeve (gati çdo vit prej 2010 e në vijim), a ka një përllogaritje të kostove dhe dëmeve në total? Sa kemi humbur nga këto katastrofa?

Dëmet nga përmbytjet mund t’i klasifikojmë në disa kategori. Së pari, ato më të drejtpërdrejta dhe me  pasoja të dhimbshme janë dëmet në infrastrukturë, pra në shtëpi banimi, në biznese, rrugë, linja tensioni, ura, të cilat krijojnë tensione sociale dhe mund të shpien në paralizimin e jetës së komuniteteve të prekura. Së dyti, ato të prejardhura, siç janë: dëmtimet e kulturave bujqësore, sipërfaqeve të mbjella, rrëmbim të tokave nga ujërat, erozion, dëmtim i blegtorisë, shembje argjinaturash, paretesh, ndryshime madje edhe të gjeometrisë së territoreve dhe të baseneve ujore nga prishja e ekuilibrave tokë dhe ujë. Dëmet janë kolosale dhe përllogariten në miliona euro çdo vit.

A ka Shqipëria një strategji për t’u bërë ballë këtyre katastrofave?

Strategjitë e përballimit të katastrofave natyrore në Shqipëri, ndërtohen nga dy komponentë. Së pari, planet e kontingjencës, pra të ndërhyrjeve për zbutjen e dëmeve nga katastrofat, kur ato kanë goditur tashmë. Këtu futen ndërhyrjet për zhvendosjen masive dhe të shpejtë të popullatës dhe eventualisht aty ku është e mundur edhe të aseteve nga zona e prekur nga katastrofa.

Ndërhyrje stabilizuese të dëmeve, si për shembull bllokime të zgjerimit të dëmit të shkaktuar nga katastrofa me mjete dhe metoda të njohura, për të krijuar kohë dhe mundësi për ndërhyrje të mëvonshme, më të programuara dhe rehabilituese. Komponenti tjetër, është komponenti parandalues, si: investime afatmesme dhe afatgjatë, nëpërmjet ngritjes së infrastrukturave të cilat zbutin efektet e goditjes nga katastrofat. Mbi këto kritere është ndërtuar dhe funksionon edhe strategjia e mbrojtjes dhe e parandalimit të përmbytjeve.

Shqiptarët janë pak ose aspak të informuar për ndryshimet klimaterike dhe pasojat që kjo ka me ekonominë.  Banka Botërore ndërkohë na vendos në vendet në rrezik.  A mendoni se është koha për të përpiluar programe ekonomike në përshtatje edhe me ndryshimet e klimës? 

Shtetet serioze, ndjekin me vëmendje dhe shqetësim ecurinë e ndryshimeve klimatike, bazuar në ndryshimin e treguesve të temperaturës mesatareve vjetore, tipologjisë dhe natyrës së reshjeve etj. Ato mbi këtë bazë hartojnë hartat territoriale me impaktet e pritshme nga këto ndryshime dhe rishikojnë planet e zhvillimit ekonomik të këtyre zonave në funksion të këtyre ndryshimeve. Këto plane mund të përfshijnë rishikimin e prioriteteve të zhvillimit të bujqësisë në këto zona, zhvendosjen e kultivimit të kulturave nga zonat me rrezik të lartë në zona të tjera. Ndryshimin e kulturave që kultivohen në këto zona, në përshtatje me situatën e reshjeve dhe ndryshimin e temperaturave. Përqendrimin e ndërhyrjeve rehabilituese në basenet ujore të këtyre zonave etj.

Shqipëria, për shembull është klasifikuar këtë vit nga shumë organizma që merren me natyrën dhe shtrirjen e katastrofave natyrore si një vend me rrezik të lartë dhe kjo sigurisht ka ndikuar në analizën e prioriteteve zhvillimore të bujqësisë në zonat me kërcënim të lartë.

Agrokultura edhe pse ende larg të qenit faktori kryesor në ekonominë shqiptare, mbetet punëdhënësi më i madh në vend dhe një prej faktorëve ekonomikë me potencialin për të ndryshuar jetën e mijëra familjeve dhe për të përmirësuar ekonominë e vendit, por është shpesh në mëshirë të motit. Si mendoni se mund të përmirësohet kjo situatë? A duhen fermerët në Shqipëri të përshtaten me kultura të reja, në përshtatje edhe me këto ndryshime klimaterike?

Në hartimin dhe shpalljen e hartës së rajonalizimit të prodhimeve bujqësore në vend, të cilën unë do ta quaja një ndër arritjet më mbresëlënëse për politikat bujqësore të zhvillimit në vitin që u mbyll, janë mbajtur qartazi parasysh edhe përshtatjet e nevojshme në kultivimin e kulturave bujqësore në raport me prognozën gati 20-vjeçare të ndryshimeve klimatike të pritshme, ku parashihet një rritje prej mesatarisht 1,5 gradë celsius të temperaturës mesatare. Kemi paraparë edhe spostimin gradual të disa kulturave bujqësore drejt rajoneve të reja dhe futjen në kultivim të varieteteve më rezistente dhe më të adaptueshme ndaj ndryshimeve klimatike.

A ka strategji që do të ndihmonin  për të përmirësuar rezistencën ndaj kapriçove të motit?

Përballimi i kapriçove të motit, nuk është vetëm çështje hidrovoresh, stacionesh pompimi, kanalesh parësore e dytësore. Para së gjithash ajo është çështje administrimi territorial dhe vendosje ekuilibrash natyrorë.

Për këtë arsye, si ndërhyrje afatmesme dhe afatgjata për të mos rënë viktimë e përsëritur e kapriçove të motit, ne po parashikojmë zhvendosjen e ndërtimeve të paligjshme buzë lumenjve dhe largimin e njollave të betonit nga tokat bujqësore, të cilat e kanë rënduar edhe më shumë fragmentimin e tyre si rrjedhojë e ndarjes sipas ligjit 7501. Kjo sigurisht, ka një kosto financiare, sociale, madje dhe politike. Por kjo është e vetmja rrugë për një zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme të kërcënimeve dhe të përballimit të pasojave të përmbytjeve. Prandaj ne duhet t’i marrim përsipër këto kosto me vendosmëri dhe me një konsensus sa më të gjerë politik. Njëkohësisht, pas moratoriumit të shfrytëzimit të pyjeve për dhjetë viteve, do të pyllëzojmë me shpejtësi dhe sa më parë kodrat dhe faqet e maleve, së bashku me ndërtimin masiv të pritave malore, për të disiplinuar përrenjtë dhe rrëketë malore si kontribuesit kryesore të daljes së lumenjve nga shtrati.

Qeveria ka shpallur plane që do ndalojnë atë që ajo e quan shkatërrim mjedisor të vendit (ndërtimet pa leje, ndalimi i shfrytëzimit të pyjeve etj), a mendoni se moratoriumet do jenë të mjaftueshme? Nga ana tjetër çfarë kostosh kanë këto për ekonominë?

Shkatërrimet ekstreme, përballohen me masa ekstreme. Moratoriumet sigurisht nuk janë të mjaftueshme, por ato ndalin shkretimin e vendit, nga zhdukja pa kthim e florës dhe faunës, ato ndalin humbjen sistematike të qindra hektarëve tokë në vit nga erozioni. Do të thosha pa ngurrim se kjo ka të bëjë në fund të fundit dhe me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit burimor dhe diversifikues të vendit.  Sigurisht këto janë ndërhyrje drakoniane, por me gjithë atë plotësisht të justifikuar përballë kësaj katastrofe me natyrë anarkike njerëzore. Dëme ekonomike?! Ku ka dëm ekonomik që mund të justifikojë, shkretimin, degradimin, shëmtimin, infektimin e Shqipërisë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663