Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Uji i ambalazhuar: Bie tregu, bizneset detyrohen të investojnë

$
0
0

ujeFalë një direktive europiane, stabilimentet e prodhimit të ujit janë detyruar të bëjnë investime në një periudhë të vështirë për ta. Ulja e kërkesës në treg ka vënë në sprovë sektorin, ku kompanitë vijojnë të mbijetojnë me probleme financiare. Tregu i vitit të kaluar ra 10%, ku si prodhimi i brendshëm, edhe importi, shënuan ulje. Investitorët, optimistë për 2015-n

 

Viti i kaluar nuk ishte ndër më të suksesshmit për tregun e ujit dhe stabilimentet e prodhimit të ujit. Efektet e krizës duket se kanë prekur edhe këtë sektor, që ka ende shumë hapësira për t’u zhvilluar por që vitin e kaluar, ngadalësoi hapin. Arsyeja, sipas sipërmarrësve kryesorë në vend, është ristrukturimi i investimeve. Disa kompani janë detyruar të investojnë për të ulur kostot e prodhimit e të paketimit, duke lënë në plan të dytë sasitë e prodhimit, ndërsa të tjera kompani vlerësohet të kenë pasur probleme financiare.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, tregu i ujit gjatë vitit të kaluar shënoi tkurrje prej rreth 10% krahasuar me një vit më parë, duke shënuar kthesën pas tre vitesh rritje të njëpasnjëshme. Sipas këtyre të dhënave, vitin e kaluar, sasia totale e ujit të prodhuar në vend e të importuar, ishte 1.1 milionë hektolitra, nga 1.15 që ishte një vit më parë. Sipërmarrësit duket se kanë përshtatur uljen e aktivitetit me një periudhë kur kërkesa për produktet e konsumit nuk po lulëzon. Sipas të dhënave, prodhimi ra rreth 10%, ndërsa sasia e importuar u tkurr me 18%. Sasia e importit, e pesha e tij në treg ka ardhur në ulje të vazhdueshme. Sipas të dhënave të fundit, vitin e kaluar, importuan më pak se 100 mijë hektolitra ujë nga jashtë, ose 20 mijë hektolitra më pak se një vit më parë. Ulja e importit erdhi pavarësisht uljes së prodhimit në vend, duke pasqyruar shitje më të pakta në treg.

Kur flasim për ujin e importuar, vlerësimet janë relative. Ndonëse importi zë një peshë në ulje, ekonomistët vlerësojnë se kushtet e tregut duhej të ishin në raste optimale për importe më të ulëta. Specialistët e bujqësisë vlerësojnë se burimet e pastra natyrore, por edhe investimet e bëra në Shqipëri kanë potenciale, jo vetëm për të zëvendësuar importin e ujit të paketuar, por edhe për të rritur eksportet. Sipas të dhënave statistikore, importi i ujit në pesë vitet e fundit është përgjysmuar, e shumë më tepër edhe pesha e ujit të sjellë nga jashtë në tregun vendas. Sipas të dhënave të agroindustrisë, në vitin 2010, ato zinin 23% të tregut, ndërsa gjatë vitit të kaluar, importi i tyre ra në 8% të tregut.

Ujë pa gaz, të lutem…

Porositë në lokale, apo edhe blerjet e ujit në supermarkete vlerësojnë ujin pa gaz. Sipërmarrësit e pranojnë se ka ulje të theksuar të kërkesës për ujë me gaz. Sipas të dhënave statistikore, uji i gazuar zë rreth 15% të totalit të prodhimit të ujit në vend, ose është rreth 1.7 herë më shumë në sasi se uji i importuar gjithsej në një vit. Gjatë 2014-s, prodhimi i tij ka rënë rreth 15%, ose gati dy herë më shumë se ulja e prodhimit të ujit në tërësi.

Forcohen stabilimentet e mëdha

Në tregun e ujit vlerësohet të ketë pasur disa vite të vështira, si p.sh., ai i 2009-s, kur uji u rëndua me taksën e ambalazhit, që ishte sa 10% e vlerës së ambalazhit. Pasi i rezistuan kësaj takse, 2014-a ishte viti i lodhjes së kompanive që investuan me entuziazëm e pa u kursyer në periudhën e bumit të investimeve, por që duhej të përballeshin me kërkesën e tkurrur në treg e njëkohësisht edhe me atë çka do ta bënte të mundur mbijetesën e tyre. Investim për të ulur kostot. E pikërisht kush ka arritur ta bëjë këtë, jo vetëm do të mbizotërojë në treg, por do të krijojë një terren më të fortë për zhvillim, ndërsa kompani të dobëta financiarisht, me borxhe të mëdha, e madje edhe gjoba për shkeljet e konstatuara, duken të gjunjëzuara. Vitin e kaluar, rezulton të jetë renditur mes kompanive të falimentuara, “Sopoti”, ndërsa vlerësohet se shumë kompani të tjera po përballen me probleme financiare.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë janë rreth 80 stabilimente të licencuara dhe kapaciteti i instaluar i ambalazhimit llogaritet të jetë gati 50% mbi nevojat aktuale të tregut.

2015, prodhuesit optimistë

Prirja e vitit të kaluar pritet t’i lërë vendin rritjes këtë vit. Disa prej administratorëve të kompanive, thonë se kanë shpenzuar për të rritur produktivitetin, për të ulur kostot e ambalazhit dhe janë përgatitur të gëzojnë frytet e investimit. Luciano Cirillo, administrator i “Ujit Tepelena” thotë për “Monitor” se, “në katër muajt e parë të 2015-s, shitjet e ujit ‘Tepelena’ tregojnë rritje mbi 10% krahasuar me 2014-n”. Sipas tij, rritja është më e lartë tek eksportet e kompanisë. “Rritja është e diferencuar, mes Shqipërisë 8% dhe eksportet, të cilat janë rritur 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Po punojmë në mënyrë të veçantë me tregjet e huaja dhe shitjet tona në këto tregje kanë arritur 10% të totalit të prodhimit” , -thotë Cirillo duke shtuar se, kjo po ndodh pavarësisht vështirësive të mëdha që sjell mungesa e infrastrukturës”.
Edhe prodhuesit i ujit “Spring” raportojnë rritje të volumit të shitjeve krahasuar me vitin e kaluar. Për ujin e gazuar “Glina”, i cili mbulon deri në 85% të tregut të ujit të gazuar, prodhimi qëndron në nivele të njëjta.
Sipërmarrësit thonë se prirja e konsumatorëve është drejt paketimeve më të mëdha. Sipas drejtuesve të “Agna Group”, “dy vitet e fundit është vënë re tendencë drejt paketimeve familjare. Për t’ju përgjigjur kësaj kërkese, u shtua dhe paketimi 2l i ujit ‘Spring’”.
Edhe prodhues të tjerë, që kanë formate më të mëdha paketimi në treg, thonë se kërkesa e rritur më shumë për paketimet e mëdha familjare 5, 8 dhe 10 litra.

Bum investimesh

Për këtë vit, administratori i ujit “Tepelena” tregon se, “parashikojmë të fusim formate të reja e produkte. Po investojmë rreth 300 mijë euro për të rritur eficiencën e linjës së paketimit”. Ai saktëson se, “që nga fillimi i vitit kemi përshtatur të gjitha etiketat tona në përputhje me direktivat e komunitetit europian për sa i përket etiketës së produkteve. Kjo kërkoi një tjetër investim shtesë prej 30 mijë eurosh”.
Investimet e bëra gjatë vitit të kaluar për ujin “Spring” e “Glina” sipas drejtuesve të kompanisë që administron ato, kanë bërë që paketimi të ketë përkatësit 30% dhe 10% më pak plastikë. Arsyeja është paketimi ekologjik, një standard i kërkuar nga direktivat europiane, por që i ndihmon njëkohësisht kompanitë të kenë kosto më të ulët paketimi. Duket të kujtojmë se paketimi i ujit zë 70% kostos së prodhimit./Monitor


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663