Qeveria do shpërblejë edhe këtë fundviti 614 mijë pensionistë. Ministria e Financave po përllogarit ndarjen e shumës. Burime pranë saj kanë bërë me dije se shuma e shpërblimit do variojë nga 2 deri në 3 mijë lekë të reja
Më shumë se 614 mijë pensionistë do kenë mundësi që t’i gëzohen “gjeli” dhuratë nga qeveria për këtë Vit të Ri.
Kjo pasi edhe këtë vit, ekzekutivi ka menduar që t’u qëndrojë pranë të gjithë pensionistëve në vend për ta festuar sa më mirë ndërrimin e viteve.
Burime nga Ministria e Financave kanë bërë të ditur se pritet që vendimi përfundimtar lidhur me këtë çështje të merret në një mbledhje tjetër të qeverisë, e cila do të mbahet vetëm dy ditë para Vitit të Ri.
Me shumë mundësi pritet që të jetë vetë kryeministri Edi Rama ai që do bëjë publik vendimin për mediat dhe opinionin.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se po punohet ndërkohë me përllogaritjen e ndarjes së fondit të mbledhur tashmë për këtë qëllim, kjo pasi ashtu si edhe në vitin e shkuar, ndarja do jetë në kategori të ndryshme.
Kështu bëhet e ditur se do të merret parasysh statusi që kanë pensionistët në familje, nëse janë kryefamiljarë, apo nëse janë të vetëm.
Për këtë arsye, edhe shuma që do të ndahet do jetë në varësi të këtij statusi që ka secili pensionist. Gjithsesi mësohet se ashtu si edhe një vit më parë, shuma që do i ndahet çdo pensionisti do variojë nga 20 deri në 30 mijë lekë të vjetra.
Gjithsesi, për shkak se vendimi në fjalë pritet të merret vetëm pas disa ditësh, pensionistët do e kenë të vështirë për shkak të kohës së shkurtër për ta tërhequr shpërblimin brenda këtij viti.
Në fakt, vendimi që pritet të merret është i ngjashëm edhe me vendimin e një viti më parë, pasi pavarësisht politikës së “dorës së shtrënguar”, qeveria ka mundur këto vite që të japë një shpërblim simbolik për disa kategori, përfshi edhe pensionistët.
Shpërblimin e pensionistëve e ka paralajmëruar në fakt edhe kryetari i komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili disa ditë më parë deklaroi se për këtë qëllim është ngritur një grup pune ndërmjet disa ministrive për të bërë përllogaritjen e shumës dhe formulës sesi do të ndahen këto shpërblime.
Deri më tani qeveria ka dhënë shpërblim vetëm për disa nga kategoritë e administratës shtetërore.
Një javë më parë ajo vendosi të shpërblejë me 2 paga mujore rreth 1000 policë të dalluar.
Këshilli i Ministrave vendosi lejimin e Policisë së Shtetit për përdorimin e fondit prej 98 400 000 lekësh nga fondi i pagave, të planifikuar për vitin 2015, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës.
Gjithashtu, në një tjetër vendim ajo shpërbleu edhe punonjësit e tatimeve me afro 6 paga mujore, për rezultatet e arritura në luftën kundër informalitetit.