Të gjithë grupet e interesit të përfshirë në diskutimet e dy javëve të fundit bashkohen në mendimin se ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale, që shoqëron buxhetin 2016, do të rëndojnë më tepër “xhepat” e kategorive të profesioneve të lira, të cilët paralajmërojnë se kostot do të kalohen më tej te konsumatorët…
Nga Deada Hyka, Monitor
Profesionet e lira pritet të paguajnë kontribute shoqërore dhe shëndetësore më të larta. Paketa e re fiskale, që shoqëron buxhetin e vitit të 2016, përcakton se këto kategori profesionesh, lista e të cilëve ende nuk është përcaktuar qartësisht, do të paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore duke u bazuar në pagën maksimale prej 97,030 Lekë. E ndërsa diskutimi për paketën fiskale nis këtë javë, grupet e interesit shfaqin argumentet e tyre se pse, nuk duhet të rritet masa e kontributeve për to.
Përshkallëzim i kontributeve
Në përgjithësi politikat e pensioneve janë delikate, jo vetëm sepse i drejtohen një shtrese në nevojë, por edhe për shumë faktorë si p.sh. inflacioni, jetëgjatësia mesatare, papunësia, zhvillimet demografike etj. Të gjithë këto bashkë janë tepër dinamike dhe shpesh e vështirë për t’u parashikuar me saktësi të pranueshme. Kështu theksojnë ekspertët fiskalë, të cilët të kontaktuar nga Monitor, pohojnë se duke pasur parasysh këto faktorë, parashikimet mbi politikat e pensioneve janë po aq dinamike sa dhe vetë faktorët përcaktues të saj.
Por, të gjithë janë të mendimit se këto ndryshime duhet të ishin studiuar më mirë dhe të aplikoheshin në një masë të përshkallëzuar.
“Mund të ishte bërë e tillë që nëse një individ fillon një aktivitet si profesion i lirë, sigurimet për 5 vitet e para të paguheshin për një pagë jo më shumë se 50,000 Lek në muaj. Dhe pas vitit të pestë, të kalonte në masën e pagës maksimale, apo të një klasifikim tjetër më të lartë. Dhe mendoj se është më e drejtë të ketë një nivel minimal dhe më shumë se sa një klasifikim, në mënyrë që të ketë më shumë mundësi zgjedhje. Kështu profesionistët do të zgjedhin vetë mënyrën e sigurimit të së ardhmes së tyre.” – shpjegon më tej eksperti Artan Xhiani, nga studio e kontabilitetit Uhy Elite.
Ai tregon se brishtësia e ekonomisë vendase dhe informaliteti janë të tjerë faktorë që ndikojnë në një parashikim të mundshëm të vështirësisë së kushteve për këto profesione.
Tom Ndoci, anëtar i Institutit të Kontabilistëve të Miratuar, dega Shkodër, pohon për Monitor se ligji është hartuar gabim dhe se është diskriminues për këto profesione.
“Unë jam kontabël i miratuar dhe po trajtoj problemin tonë. Ne paguajmë 100% të TVSH-së së deklaruar, që përben 20% të vlerës që arkëtojmë, paguajmë taksa të tjera si gjithë bizneset, paguajmë qira zyre, internet, roje, energji elektrike etj. Me këtë pagesë shtesë ne i japim shtetit mbi 50% së të ardhurave bruto. Kjo është diskriminuese.”- thotë z. Ndoci.
Ai tregon se, mbi 50% e kompanive në Shqipëri sot kanë ekonomistë informalë që nuk deklarojnë asgjë në tatime. “Për sa kohë nuk janë kushtet e barabarta dhe nuk përcaktohet një shkallëzim i këtyre grupeve për masën e kontributeve, shpenzime tona shtesë do na detyrojnë të rrisim çmimet e shërbimeve tona ndaj biznesit.”- përfundon z. Ndoci.
Ekspertët shtrojnë pyetjen: Si do reflektohen kontributet në skemat suplementare të pensioneve në këtë kontekst?
Artan Xhiani, në vijim të arsyetimit të tij, pyet: A ka më interes një i siguruar me pagë maksimale të sigurohet në një skemë suplementare e cila mund të jetë me përfituese sesa skema e sigurimeve shtetërore?
“Kësaj pyetje duhet që t’i jepet një përgjigje nga ata që e kanë propozuar ligjin. Nëse shteti dëshiron mirëkuptim dhe dialog me shtetasit e tij, rrugët nuk mungojnë, idetë aq më shumë, sepse nuk jemi në ata që na duhet të shpikim. Por a ekziston kjo dëshirë apo është thjesht reforma e radhës?” deklaron ai.
Një tjetër çështje ku ndalen ekspertët e pyetur nga Monitor, është te sigurimet shëndetësore (që nuk njohin tavan). “Cili do të jetë motivimi për një individ (i punësuar apo profesion i lirë) që të sigurohet përtej pagës maksimale në kushtet kur shërbimi shëndetësor publik është në këtë gjendje? A ka menduar shteti të subvencionojë këtë kategori të siguruarish në rast se ata trajtohen në klinika apo spitale private? “ – pohon z. Xhiani.
Një grup tjetër interesi që kundërshton paketën fiskale janë edhe avokatët. Përmes një deklarate të bërë publike disa ditë më parë në media, ata kundërshtojnë rritjen e masës së kontributeve për to, duke argumentuar se, një pjesë e madhe e tyre kanë të ardhura të ulëta.
“Ky propozim është në kundërshtim me frymën e ligjit për sigurimet shoqërore, është diskriminues dhe pengues për avokatët e rinj, që futen në profesionin e avokatisë, për shkak të të ardhurave të pakta që këta mund të realizojnë nga puna e tyre”, deklaron Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
“Nga hartuesit e projektligjit nuk është marrë për bazë në llogaritjet e këtij detyrimi edhe gjendja reale e ushtrimit të këtij profesioni, si dhe të ardhurat që krijohen nëpërmjet ushtrimit të këtij aktiviteti”, deklaron Dhoma, teksa një pjesë e madhe e Anëtarëve të saj kanë ngritur si shqetësim kryesor se paga e propozuar mbi bazën e së cilës është propozuar të llogaritet ky detyrim, është më e lartë se sa vetë të ardhurat mujore, që ata arkëtojnë nga puna e tyre gjatë një periudhe njëmujore. “Situata e ushtrimit të profesionit nuk është e njëjtë në të gjitha rrethet. Numri i çështjeve që mund të trajtohen nga avokatët në pjesën më të madhe të rretheve dytësore është i kufizuar.”- pohojnë ata.
Kostot e shtuara të profesioneve të lira
Profesionet e lira (të vetëpunësuarit) nuk kanë të ardhura fikse sikurse një i punësuar. Duke i shtuar kësaj edhe kostot e kryerjes së punës së tyre, ata pohojnë se rritja e masës së kontributeve do të vështirësonte përballimin e kostove të përmuajshme.
Mjekja stomatologe Entela Hoxha tregon se për sa kohë, nuk bëhet një shkallëzim i pagesës së kontributeve sipas disa kategori profesionesh, që të merren parasysh disa faktorë, nuk mund të jenë dakord dentistët në Shqipëri.
Ajo tregon se fakti në je i punësuar apo pronar i klinikës, a ke të punësuar të tjerë, volumi i punës etj., janë faktorë kyç që bëjnë diferencimet në ofrimin e këtyre shërbimeve.
Duke pohuar se, në rast se miratohet ky ligj, çmimi i shërbimeve dentare do të shohë një rritje të ndjeshme, znj. Hoxha tregon për Monitor se rritja e masës së kontributeve do të shtonte më tej kostot e punës, që sipas saj këto dy vitet e fundit është rritur me 30 %. “Janë mjetet e punës, që nga dorezat deri te aparaturat më të mëdha që kanë pësuar rritje dhe që do vijojnë në këtë trend. Në rast se ne dentistët “rëndohemi” edhe më këtë barrë pagese tjetër, sigurisht ai që do ta “pësojë” është marrësi i këtyre shërbimeve.
Ajo theksoi edhe se, në shumë momente të vitit, fluksi i punës është thuajse i papërfillshëm, duke shtuar kështu edhe përhapjen e shumë klinikave dentare, konkurrenca mes të cilave ka sjellë një ulje të fitimeve. “Edhe në muajt që nuk kemi punë fare, të paguajmë 25 mijë lekë në muaj, është shumë e rëndë për ne, kur nga ana tjetër është qiraja, energjia, uji, pastrimi etj.”- përfundoi ajo.
Farmacistët: Nuk kemi tarifë shërbimi, dëmtohemi shumë
Unioni i Farmacistëve të Shqipërisë (UFSH) reagon për rritjen e masës së kontributeve për profesionet e lira, duke argumentuar se kjo kategori profesionesh do të preket negativisht nga ky ndryshim.
Duke treguar se koncepti i “pagës” tek i vetë-punësuari është nocion jo i barasvlershëm me konceptin e pagës tek i punësuari, UFSH rikujton se tek i vetë-punësuari “paga” nuk është e ardhur e sigurt dhe fikse e përmuajshme siç është tek i punësuari, duke përfshirë edhe farmacistët.
“Tendenca që përmban ky projekt ligj, ku një person që ushtron një profesion të lirë, i vetëpunësuar, të trajtohet si një punëmarrës, në gjykimin tonë zhduk diferencimin midis tyre, por krijon probleme, të cilat trajtimi i diferencuar i kishte zgjidhur.
Në qoftë se profesionin e lirë e fokusojmë tek komuniteti që ne përfaqësojmë që janë farmacistët, vërejmë dhe një fenomen tjetër i cili nuk vërehet tek profesionet e tjera të lira, që është ajo e mostarifimit të shërbimit.”- pohon UFSH për Monitor.
Ata shtojnë më tej se pikërisht mungesa e kësaj tarife shërbimi në ushtrimin e profesionit të lirë të farmacistit nuk krijon të ardhura për të dhe si rrjedhojë koncepti i përdorimit në projekt-ligj të sigurimit të një të ardhure më të lartë në krahasim me profesionet e tjera për farmacinë, nuk qëndron.
Sistemi farmaceutik aktualisht ka zhvillime të cilat janë shoqëruar me ulje të theksuara të marzhit të tregtimit, pohojnë drejtuesit e Unionit të Farmacistëve të Shqipërisë, e parë kjo në aspektin financiar, kjo situatë nuk mund të shkojë në favor dhe nuk mund të ndihmojë tendencën për një rritje të detyrimeve sado pozitive të jetë iniciativa e qeverisë. “Ky projekt-ligj në sektorin farmaceutik vendos disnivele page e për rrjedhojë edhe detyrimesh midis farmacistëve sepse jo gjithmonë farmacisti është pronar i farmacisë, duke krijuar një pabarazi në zbatim të ligjit.”- përfundon UFSH.
Ndryshimi në shifra
Efekti – 1.1 miliardë lekë më shumë (ose 9.5 milion dollarë) do të arkëtohen nga ndryshimi bazës së llogaritjes së kontributeve të sigurimeve për profesionet e lira
5 mijë individë – Projektligji përfshin rreth 5 mijë persona në profesionin e lirë, si avokat, përmbarues, kontabilist, dentist, doktor, noter, etj.
Sigurimet – Aktualisht një i vetëpunësuar paguan sigurimin shëndetësor, me normën 3,4%, bazuar në dyfishin e pagës minimale që është 44 000 lekë.
Propozimi – Nisma e qeverisë që detyron profesionet e lira të paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore mbi bazën e pagës maksimale (97.030 lekë)
Projektligji – “Për kategori të veçanta personash, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale, përfshirë edhe punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, profesionet, paga për efekt të llogaritjes të kontributeve si dhe kriteret e përcaktimit të saj, deri në nivelin e pagës maksimale, caktohen nga Këshilli i Ministrave.” Parashikohet të hyjë në fuqi me 1 janar 2016.