Radio Kina Internacional prej vitesh trasmeton nga Cërriku përmes antenave të instaluara aty, por a do të jetë Shqipëria po ashtu joshëse për të qenë porti prej nga gjigandi ekonomik i Azisë së largët kryen tregti me Europën dhe a do mundet kjo të financojë ekonominë e Shqipërisë…
Nga Vladimir Karaj
Imazhi i Kinës tregtare në Shqipëri është i lidhur me cingla-minglat plastike të dobëta, veshjet e lira dhe elektronikën skarco. Para kësaj, Kina ishte financuese dhe ndërtuese e një pjese të industrisë së rëndë gjatë diktaturës, pjesa më e madhe e së cilës është shkatërruar tashmë. Shqipëria ndërkohë ishte vendi prej nga Kina mund të shpërndante mesazhin e saj në botë. Radio kineze vazhdojnë të shpërndajnë edhe sot sinjal përmes antenave të instaluara në Cërrik.
Por vizita e fundit e kryeministrit Edi Rama dhe takimi i katërt në më pak se tre vjet mes drejtuesve të Evropës Lindore dhe Kinës mund ta ndryshojë këtë perceptim nëse investimet për rrugë, porte e energji realizohen. Kina duket se shpreson të jetë më e pranishme në Evropë duke rigjallëruar “Rrugën e Mëndafshtë”, Shqipëria nga ana e saj duket se është e gatshme të jetë pjesë e kësaj rruge.
“Fener kinez” në Durrës
Hapi i parë i gjithë kësaj është binjakëzimi i Durrësit, që kryeministri i Shqipërisë e sheh si port të fundit të Rrugës së Mëndafshit mes qytetit Shantou, vendi prej nga kjo rrugë nis. Në fakt shpresat e Durrësit për të rivalizuar “vëllezërit” e mëdhenj në Mesdhe, si Selaniku ka kohë që ndizet e fiket. Këtë herë fenerët janë kinezë dhe në Shqipëri për këtë mall të Kinës kanë pasur respekt të veçantë sa kohë ishte ndër të paktët mjete të transportueshme ndriçimi.
Kryeministri Rama duket se e mendon kështu: “…jo vetëm do të shtrojë më tej rrugën për zhvillimin e portit të Durrësit, por do të çelë një fazë të re në rritjen e investimeve ku moment me rëndësi të veçantë përbën ndërtimi i Zonës Ekonomike me Parkun Industrial të Spitallës”. Qeveria e Shqipërisë sheh te kjo një mundësi për krijimin e 30 mijë vendeve të reja të punës. Deri tani e gjitha është në letër ashtu si Rruga e Arbrit apo marrëveshje të ngjashme për të cilat Tirana kërkon të tërheqë investime.
Pekini po ashtu duke i interesuar. Një interesim që mund të lexohet edhe në faqen me njoftime të ambasadës. Ndryshe nga më herët, kur ajo i ishte kushtuar gati tërësisht diplomacisë kineze në botë, prej më shumë se një viti faqja dëshmon një rritje të aktivitetit brenda në Shqipëri. Prej vizitave në qytetet të ndryshme të ambasadores te takime të njëpasnjëshme me ministra të qeverisë dhe përfaqësues të lartë të vendit. Kina po ashtu është më e pranishme në median vendase. Ambasadorja Jiang Yu ka shpjeguar projektin “Një brez një rrugë” duke shkruar vetë në të përditshmet e Tiranës. Nga ana tjetër “lidhjet e vjetra”, ish ambasadorë apo grupe teknike bashkëpunimi të para viteve 70 janë rigjallëruar. Madje një prej ish ambasadorëve Hajdar Muneka shkruante në Janar të vitit që shkoi se : “Vetëm Kina mund ta bëjë këtë vend”. Ai ia vë në gojë fjalët një deputeti të rëndësishëm shqiptar dhe po ashtu thekson: “Mendoj se ka ardhur momenti për t’i kthyer sytë nga Kina. Është vendi që ka më shumë para të lira në të gjithë botën. Përveç financave mbart edhe dëshirën e përkushtimin për t’i investuar ato. Si në formën e investimeve të huaja direkte ashtu edhe në dhënie kredish me kushte mjaft të favorshme”.
Marrëveshjet e fundit
Kryeministri Rama ndërkohë është për të dytë herë në Kinë, pa llogaritur edhe një vizitë në Hong Kong brenda një kohe të shkurtër. Kjo me gjasë është e barabartë me numrin e herëve që ka vizituar Gjermaninë prej nga po ashtu Shqipëria pret financime. Por a do të jetë në gjendje Shqipëria të bindë Kinën se investimet në vendin tonë vlejnë. Muneka thotë se kjo nuk do të jetë e lehtë dhe se projektet duhet të jenë serioze. “Nxis Shqipërinë të ofrojë favore”, citon agjencia e lajmeve “beijingneës.net” kryeministrin kinez Li Keqiang. Favoret, lehtësira fiskale dhe të ngjashme për biznesin kinez i cili sipas Li do të ketë mbështetjen e qeverisë së Pekinit për të investuar në; porte, rrugë, hekurudha dhe parqe industriale në Shqipëri. Li po ashtu shprehu interes për të zgjeruar bashkëpunimin në energji, agrikulturë dhe banka.
Takimi mes Li Keqiang dhe Edi Ramës ishte pjesë e samiti të katërt vjetor Ekonomik midis Kinës dhe 16 vendeve të Europës Qendrore dhe asaj Lindore filloi ditën e martë në qytetin lindor bregdetar Suzhou në Kinë. Iniciativa, e quajtur “16+1”, u iniciua nga Kina në vitin 2012, në përpjekje për të përmirësuar lidhjet tregtare dhe ekonomike me 16 vende në Europën Qendrore dhe Lindore – Shqipëria, Bosnja, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Maqedonia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia dhe Sllovenia. Pas tri samiteve të para, në Varshavë, Bukuresht dhe Beograd vitin e kaluar, samiti po organizohet për herë të parë në Kinë. Nga 16 vendet europiane të ftuara të marrin pjesë në të, 15 kanë dërguar kryeministrat, zv/kryeministrat ose presidentët.
Kryeministri Rama duket se ka shpresa për të marrë financime nga Kina. Në facebook ai njoftoi se pritej finalizimin sa më parë i negociatave financiare për të nisur punimet në Rrugën e Arbrit dhe “potencialin e madh të bashkëpunimit për Parkun Industrial në Zonën e re Ekonomike të Durrësit, ku parashihet krijimi i 30 mijë vendeve të reja pune; zhvillimin e infrastrukturës portuale në Shqipëri në kuadrin e programit të mekanizmit 16+1 për këtë infrastrukturë në Baltik dhe Adriatik”. Rama gjithashtu njoftoi për një sistem me lehtësi vizash për shtetasit kinezë dhe gjithashtu për përmirësim të marrëdhënieve ekonomike në turizëm e agrikulturë. Rama thotë se është biseduar për të lehtësuar eksportin e produkteve bujqësore shqiptare në Kinë dhe madje mbështetje me grante kineze për modernizmin e saj.
Konkretisht sidoqoftë vetëm një marrëveshje duket se është nënshkruar. Kryeministri njoftoi se bashkë me Malin e Zi, kishte nënshkruar një marrëveshje me kompaninë e madhe të rrugëve “Pacific”, që do të fillojë projektin e “Korridorit të Kaltër”. “Kjo marrëveshje çel rrugën e studimit të fizibilitetit për financimin dhe ndërtimin e Korridorit të Kaltër (Autostrada Adriatiko-Joniane), një projekt me përparësi strategjike që lidh Shqipërinë me unazën turistike të Mesdheut”, tha Rama.
“Korridori i Kaltër” ishte pjesë e kërkesës shqiptare për financim nga BE në Vienë dhe duket se përfshirja e Kinës në këtë rast i rrit shanset e një fillimi të shpejtë të punimeve atje, por fishekzjarrët, edhe këta përgjithësisht kineze, është shpejt të ndizen.
Nën syrin skeptik të BE
“Diplomatët europianë në Pekin e shohin me kritika këtë samit të Kinës. “Përçaj dhe sundo”, e përshkruan një diplomat i lartë planin e Kinës për të ndihmuar me kredi vendet e BE”, shkruante Deutsche Welle në dhjetor të vitit të kaluar kur takimi u zhvillua në Beograd.
Dje korrespondenti i DW në Pekin, Frank Sieren shkruante sërish se “këto investime përputhen me njërin nga projektet më të rëndësishme të Kinës në politikën e jashtme, Rrugën e Mëndafshit – rigjallërimin e rrjetit të dikurshëm të rrugëve tregtare që lidhte Mesdheun, Europën me Azinë e Mesme dhe atë Lindore”. Sipas tij Kina kishte planifikuar 40 miliardë dollarë investime për këtë projekt “dhe ka krijuar enkas një bankë të re, Bankën Aziatike të Investimit dhe Infrastrukturës me 100 miliardë dollarë. Edhe Gjermania është anëtare themeluese e kësaj banke”. Kina që përdor një formë mjaft të leverdishme të financimit të infrastrukturës dhe përfitimit prej saj. Ndërsa vendet e rajonit kanë nevojë për këtë zhvillim Pekini e kryen atë përmes kredive të veta, puna kryhet po prej kompanive kineze të ndërtimit dhe ajo planifikon t’i shfrytëzojë ato si rrugë tregtare. Frank Sieren e sheh këtë si një çelje të një porte hyrjeje anësore për në Europë. “Brukseli e ka fajin vetë. Europa Lindore është lënë mënjanë për një kohë të gjatë. Vetëm kur Lindja e injoruar kuptoi se nuk përbënte ndonjë prioritet në Bruksel, i hodhi sytë nga Azia”, thotë ai. Këtu sigurisht shqetësimi është kryesisht për Poloninë dhe vende të tjera të Bashkimit Europian tregje më të mëdha dhe njëkohësisht ekonomi më me ndikim.
Shqipëria që ka një histori jo të vogël marrëdhëniesh me Kinën, dhe ishte vendi që “mbrojti” anëtarësimin e saj në OKB pak ka shanse të përfitojë prej kësaj. Diktatori Enver Hoxha pati ndërprerë bashkëpunimin dhe vendet u ndanë keq në vitet 70 dhe prej asaj kohe pak gjëra kanë mbetur përveç një cinizmi që i sheh marrëdhëniet me gjigantin aziatik si qesharake edhe pse Kina është një prej ekonomive më të mëdha në botë. Nga ana tjetër biznesi shqiptar dhe ai kinez e kanë gjetur rrugë bashkëpunimi. Shqipëria është jo më pak se ndonjë vend tjetër treg i mallrave nga Kina. Madje një numër jo i vogël artefaktesh “shqiptare” që u shiten turistëve përfshi të tilla si statuja të Nënë Terezës, Skënderbeut e madje edhe flamuri kombëtar prodhohen në Kinë. Tani Shqipëria i duhet të joshë Pekinin që këtu mund të investohet më shumë se sa në kioska shitjeje të çikërrimave të lira dhe artefakteve. Ndërsa Shqipëria mund të mos jetë një treg, ajo mund të shërbejë si një port pak a shumë si stacioni i antenave të radios së Kinës në Cërrik.
Pekini po i afrohet Brukselit nga krahu lindor e juglindor
Takimi i fundit i raundit të njohur si 16+1 i shteteve të Evropës Lindore e Juglindore u zhvillua për herë të parë në Kinë. Duhet të shqetësohet Evropa për rritjen e ndikimit ekonomik të Kinës në këtë rajon?
Nga Frank Sieren*
Kina dhe 16 vende europiane kanë filluar nga viti 2012 rrugën e bashkëpunimit të përforcuar përmes një platforme ekonomike. Sigurisht kjo nuk i pëlqen Bashkimit Europian, sepse Pekini nuk rakordohet më parë me Brukselin për këtë. Qeveria kineze nga ana e saj mendon se me shtete sovrane ajo mund të futet në bashkëpunim, nëse edhe ato e duan këtë, e kjo nuk ka të bëjë me Brukselin. Nuk ka dyshim, shtetet sovrane duan të bashkëpunojnë me Kinën. Mekanizmi 16+1 e quajnë vendet partnere këtë lidhje të Pekinit me një pjesë të shteteve të Europës Lindore e Juglindore. Prej më shumë se tri vitesh këto vende zhvillojnë projekte të përbashkëta me Kinën, nënshkruajnë kontrata dhe përfitojnë nga njëri-tjetri.
Investime me prapamendim
Kina investon në Europën lindore e juglindore të prekur nga kriza, dhe këtë jo pa prapamendim. Më 24-25 nëntor pjesëmarrësit e takimit u takuan për herë të katërt, dhe për herë të parë në Kinë. Kryeministri kinez Li Keqiang i ftoi presidentët e vendeve në Suzhou, pranë Shangait, në fund edhe një takim me presidentin kinez, Xi Jinping. Për herë të parë Kina u përqendrua vetëm tek Europa Lindore. Takimi i 16+1 nuk është një klub debati. Që nga takimi i parë në Varshavë janë iniciuar me sukses disa projekte, në pjesën më të madhe në infrastrukturë dhe sektorin energjetik, dy sektorë me nevojë të madhe në Europën Lindore. Rumunët po ndihmohen me një 1 miliardë dollarë në sektorin energjetik, para dy javësh agjencia kineze e lajmeve, Xinhua bëri të ditur se një firmë kineze, General Nuclear ka qëllim të ndërtojë dy blloqe të reja në centralin atomik të Cernadovës në Rumani. Në Serbi kinezët kanë filluar modernizimin e një termocentrali. Nga ana tjetër në fillim të këtij viti, Pekini ka nënshkruar një marrëveshje për modernizimin e sistemit hekurudhor në një gjatësi 370 kilometra nga Beogradi në Budapest. Në Maqedoni po ndërtohen dy autostrada të reja me financimin e një banke kineze në shumën prej 580 milionë eurosh.
Nxitja e krijimit të rrjeteve, zgjerimi i rrugëve tregtare
Këto investime nuk kanë si synim vetëm ndërlidhjen më të mirë brenda Europës Lindore e Juglindore, por edhe të Kinës me Europën Lindore. Ka dy muaj që nga Praga ofrohet një linjë direkte ajrore me Pekinin. Linja e parë hekurudhore mes Polonisë dhe Kinës ka filluar që nga viti 2013. 15 ditë duan kontenierët nga qyteti kinez Chengdu në qytetin polak, Lodxh.
Të gjitha projekte, për të cilat Brukseli ose nuk ka para, ose nuk ka kohë, një vend bosh në treg, të cilin po e mbush Pekini, madje me përfitim ekonomik. Vëllimi tregtar mes Kinës dhe vendeve të Europës Lindore, Qendrore e Juglindore përbënte vetëm 43,9 miliardë dollarë në vitin 2010. Vetëm vitin e kaluar ky vëllim u rrit me gati 17 miliardë dollarë më shumë. Vendet e Europës Lindore e Juglindore i janë mirënjohës Pekinit. Këto investime përputhen me njërin nga projektet më të rëndësishme të Kinës në politikën e jashtme, Rrugën e Mëndafshit – rigjallërimin e rrjetit të dikurshëm të rrugëve tregtare që lidhte Mesdheun, Europën me Azinë e Mesme dhe atë Lindore. 40 miliardë dollarë investime planifikon Pekini për këtë projekt dhe ka krijuar enkas një bankë të re, Bankën Aziatike të Investimit dhe Infrastrukturës me 100 miliardë dollarë. Edhe Gjermania është anëtare themeluese e kësaj banke. Formula është e thjeshtë: Sa më e mirë infrastruktura e vendeve të Europës Lindore, aq më i suksesshëm projekti i rigjallërimit të rrugëve të vjetra tregtare, të njohur si Rruga e Mëndafshit. Premtimet financiare të Pekinit kanë ndezur konkurrencën mes vendeve lindore për të fituar mbështetjen e Kinës. Presidenti polak, Andrzej Duda për shembull ka idenë që Polonia të luajë një rol të rëndësishëm si qendër logjistike në këtë projekt.
Ura lidhëse me Evropën Perëndimore
Natyrisht Kina kërkon me këtë angazhim edhe një akses të ri drejt Europës Perëndimore, pra përmes një hyrjeje anësore. Brukseli e ka fajin vetë. Europa Lindore është lënë mënjanë për një kohë të gjatë. Vetëm kur Lindja e injoruar kuptoi se nuk përbënte ndonjë prioritet në Bruksel, i hodhi sytë nga Azia. Në vizitën e ministrit të Jashtëm kinez, Vang Yi muajin e kaluar, krahas Polonisë edhe Çekia e Bullgaria treguan interes të madh për të luajtur rol në projektin e Rrugës së Mëndafshit. Vang tha se Kina ka interes për partneritet jo vetëm me qendrat e vjetra të Europës, Anglinë, Gjermaninë dhe Francën, por me të gjitha qeveritë në Evropë. Saktësisht sipas motos së takimit të këtij viti ‘16+1’ të zhvilluar në Kinë: “Fillime të reja, sektorë të rinj, vizione të reja.”
*Korrespondenti i “Deutsche Welle”-s, Frank Sieren jeton prej më shumë se 20 vitesh në Pekin.