Bizneset dhe bankat kanë vërshuar në zyrat private përmbarimore gjatë muajit korrik për të mbledhur detyrimet e prapambetura që u kanë të tretët. Edhe disa institucione shtetërore nuk mbeten pas, duke kërkuar të mbledhin gjobat e papaguara.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, vetëm në 10 ditët e para të korrikut janë dorëzuar në QKR 45 njoftime përmbarimi për vendosjen e sekuestrove tek biznese të ndryshme.
Urdhrat e sekuestros janë vendosur mbi biznese të ndryshme të vogla apo të mëdha, por nuk mungojnë dhe ato ndaj individëve që nuk kanë paguar kreditë në banka.
Katër urdhra përmbarimi janë dorëzuar në emër të AMC-se e cila nuk gjen adresat për disa kompani debitore ndaj saj.
Nga bankat është Credins më aktivja, që kërkon kthimin përmes përmbarimit të detyrimeve nga individë apo kompani të ndryshme.
Rasti më i madh i detyrimit në ditët e para të korrikut është ai i kompanisë farmaceutike Alb trade Pharma, për të cilën kanë urdhëruar sekuestro si banka Credins për shumën e 500 mijë lekëve, ashtu dhe kompania Novartis Pharma, e cila kërkon kthimin e detyrimit prej 1.5 milionë euro, plus shpenzimet gjyqësore.
Edhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor kërkon të vjelë përmes përmbarimit gjobat 300 mijë lekëshe që ka vënë ndaj bareve e lokaleve për moszbatimin e ligjit anti duhan.
Lolipop dhe Kafe Antonela kanë për të paguar një gjobë prej 300 mijë lekësh ndaj Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, me këtë të fundit që ka kërkuar ndihmën e përmbaruesve për të vjelë gjobën./Monitor