Ministria e Financave pret që të ardhurat nga lufta ndaj antinformalitetit të gjenerojnë 8.9 miliard lekë ose 64 milionë euro të ardhura, raporton Monitor.al.
Por në gusht të këtij viti, Ministri i Financave deklaronte se nga ky aksion kishte një pritshmëri nga më shumë se 330 milionë euro.
Të dhënat janë marrë nga relacioni i projektbuxhetit 2016.
Sipas deklaratës së bërë në 22 gusht të këtij viti nga Shkëlqim Cani, pritshmëritë nga aksioni kundër informalitetit ishin 5 herë më të mëdha.
Pas 3 muajsh, deklaratat janë shfryrë.
Të ardhurat nga lufta ndaj informalitetit në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar vlerësohen në rreth 5,3 miliard lekë.
Këto të ardhura konsistojnë në:
-Të ardhura nga rritja e TVSH së brendshme me rrreth 2,8 miliard lekë si rezultat i luftës ndaj informalitetit. Vlerësimi është bazuar në të ardhurat e vitit 2014, aplikimi i rritjes së numrit të bizneseve në skemë dhe ristrukturimi i bizneseve si rrjedhojë e rritjes së vetdeklarimit;
-Të ardhura shtesë nga rritja e importit të cigareve me rreth 400 ton më shumë se pritshmëria e vitit 2015(me çmimin e vitit 2015), të cilat do të gjenerojnë 622 milion lekë më shumë;
-Të ardhurat shtesë nga rritja e importit të karburanteve me 3,4% më shumë se vitit 2015. Shuma e të ardhurave shtesë, me çmimin e vitit 2015 vlerësohet të jetë rreth 1,8 miliard lekë.
Të ardhura shtesë nga lufta ndaj informalitetit, e përkthyer në rritjen e importeve të cigareve dhe të karburanteve. Rritja e importit të cigareve me 400 ton më shumë se viti 2015, që do të gjenerojë rreth 2 miliardë lekë më shumë në akcizë, ndërsa rritja e karburanteve pritet të gjenerojë rreth 922 milion lekë.
Të ardhura nga mirëadministrimi, vlerësuar në shumën rreth 400 milion lekë, të cilat do të vijnë si rezultat i mirëadministrimit të rentës minerale për mineralet jometalike. Ky mirëadministrim do të vijë nga zëvendësimi i sistemit aktual të taksës së rentës minerale mbi mineralet jometalike në taksë fikse për ton apo m3, me efekt rreth 400 milion lekë;