Formalizimi duket se po jep efekt më të dukshëm te sigurimi i punonjësve. Sipas të dhënave paraprake, të ardhurat nga kontributet deri në 26 tetor ishin 5.2% më të larta se plani mujor. Nga 6.344 miliardë lekë, të ardhurat janë 331 milionë lekë më shumë. Ndaj tetorit 2014, të ardhurat nga kontributet janë gati 9% më të larta. Megjithtë, edhe kjo shtesë duket e ulët, duke pasur parasysh se në skemë kanë hyrë rreth 80 mijë punonjës të rinj, sipas të dhënave zyrtare. Por, duket se më shumë se hyrësit e rinj në skemë, që përgjithësisht janë të vetëpunësuar dhe nuk paguajnë më shumë se 6000 lekë në muaj sigurime (80 mijë persona do sillnin në buxhet vetëm 480 milionë lekë më shumë në muaj), hapësirat më të mëdha janë te mosdeklarimi i pagave reale. Shqipëria vlerësohet sot se ka rendimentin më të ulët të mbledhjes së kontributeve, me vetëm 4% të PBB-së, ndërsa vendet e tjera të rajonit mbledhin mesatarisht 8-10% të prodhimit të brendshëm bruto.
Megjithatë, duke pasur parasysh që biznesi i vogël i paguan sigurimet një herë në tre muaj, priten të ardhura më të larta deri në fund të muajit.
Edhe vendosja e gjobave prej 500 mijë lekë për deklarim jo real të pagave dhe aksioni i nisur nga Inspektoriati i Punës pritet që të japë ndikim pozitiv në rritjen e të ardhurave nga kontributet./Monitor