Masat e shpallura së fundmi nga qeveria për të luftuar informalitetin kanë ndikuar besimin e konsumatorit, i cili do të jetë skeptik të shpenzojë deri sa situata të qartësohet, referon Komisioni….
Në raportin e vjeshtës për zhvillimet ekonomike në Europën Juglindore, publikuar sot, Komisioni Europian vlerësoi se rritja ekonomike e Shqipërisë ishte 2.6% në gjysmën e parë të vitit 2015, ndërsa konsumi i familjeve ka rënë me 2.3% për shkak të përpjekjeve të suksesshme të qeverisë për të përmirësuar pagesat e energjisë elektrike.
Trazirat ekonomike në Greqi kanë nxitur tendencën për kursim të agjentëve. Komisioni vlerëson se investimet private pritet të mbeten të forta pavarësisht kreditimit të dobët ndaj biznesit.
Besimi i biznesit dhe shfrytëzimi i kapaciteteve është përmirësuar kohët e fundit. Kushtet e financimit pritet të përmirësohen nga politika lehtësuese monetare.
Megjithatë, kredia ndaj biznesit ka mbetur e dobët dhe shpjegohet pjesërisht nga rritja e nivelit te lartë të kredive me probleme në banka në rreth 20%.
Në të njëjtën kohë, kërkesa për kredi e bizneseve ka mbetur e ulët edhe pas pastrimit të borxheve të prapambetura.
Investimet e huaja në formën e IHD-ve janë projektuar të mbeten të larta dhe do të jenë të përqendruar në projekte të mëdha energjetike. Përveç kësaj, autoritetet parashikojnë masa të mëtejshme për të nxitur ristrukturimin e kredisë, duke lehtësuar ekzekutimin e kolateralit.
Inflacioni i ulët po përcaktohet nga hendeku negativ i prodhimit dhe çmimet e dobëta të importit. Në të njëjtën kohë, masat e shpallura së fundmi nga qeveria për të luftuar informalitetin kanë ndikuar besimin te konsumatori, i cili do të jetë skeptik të shpenzojë deri sa situata të qartësohet, referon Komisioni.
Një tjetër burim i rrezikut është situata në Greqi, e cila mban një numër të madh emigrantësh të cilët mund të ulin remitancat ndaj familjeve të tyre në Shqipëri.
Shpenzimet konsumatore parashikohet të rriten sapo të qartësohen politikat e qeverisë dhe kriza greke të zbehet.
Të ardhurat buxhetore më 2015 janë zhgënjyese, por konsolidimi fiskal mbetet plani kryesor i qeverisë në gjysmën e parë të 2015. Të ardhurat nga taksat janë 7.4% më pak se objektivi, kryesisht për shkak të parashikimeve shumë optimiste. Kjo shkaktoi një rishikim të buxhetit në korrik, kur objektivat e të ardhurave u ulën me 3.9%, përkundër kursimeve të konsiderueshme në pagesat e interesit dhe një shkurtim me 6.9% të shpenzimeve kapitale. Objektivi i përgjithshëm i deficitit u la i pandryshuar në 4% të PBB-së.
Autoritetet nuk planifikojnë rritje të mëtejshme të taksave në këtë fazë, por do të mbështeten në frenimin e shpenzimeve për të arritur qëllimin e tyre për të çuar borxhin publik në një trajektore rënëse./Monitor