Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, lexoi dje përpara deputetëve raportin për zbatimin e buxhetit në vitin 2014.
Sipas KLSH, janë audituar 129 institucione dhe dëmi shkon në 108.8 miliardë lekë ose 1 miliard dollarë.
Pjesa më e madhe e shkeljes është për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes kompanisë CEZ dhe qeverisë shqiptare, me vlerën e 479 milionë eurove.
Shqetësues është fakti se nga tenderat e kontrolluar, 80 përqind e tyre janë me shkelje.
Kështu, nga 481 tendera të kontrolluar, 399 prej tyre kanë shkelje, që i kanë shkaktuar buxhetit një dëm prej 939 milionë lekësh.
Kreu i KLSH, Bujar Leskaj u përfshi në një debat me deputetët socialistë.
Më poshtë disa nga replikat.
Bujar Leskaj: Pse të djeg kaq shumë kjo punë?
Erion Braçe: Ore mua nuk më djeg fare, por pres të mblidhet Kryesia e Kuvendit të caktojë këtë punë.
Edmond Spaho: Ore pse ke frikë ti për këtë?
Erion Braçe: Unë nuk kam frikë, po ti njëherë çfare ke që ndërhyn?
Bujar Leskaj: Zoti kryetar, më shumë për merak, lexoni të plotë raportin dhe vendimin e kryetarit për auditimet. Janë një sërë problemesh, është edhe rafineria e Cërrikut, është edhe fabrika e telave në Shkodër, fjala vjen. Programin e auditimit e bëj unë, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, nuk e bën Ban Ki Mun.
Ervin Bushati: Nuk jam në shkollën e citateve, por në shkollën e mbikëqyrjes financiare, kisha dy pyetje për ju si skifter fiskal.
Erion Braçe: Kush është skifter fiskal?
Ervin Bushati: Kështu quhet në ekonomi, skifter fiskal. Unë i diplomuar në shkollën e Çikagos, por edhe zotëria si ish-ministër i djathtë, të dy jemi skifterë fiskalë. Pra me 770 milionë euro dëme, që është 30 përqind e buxhetit, si mbahet në këmbë kjo qeveri, kur sapo na tha ministri që të ardhurat vitin e kaluar, shtesa ka qenë sa pesë vite bashkë. Dua logjikën ekonomike.
Bujar Leskaj: Ti si skifter nuk besoj se dukesh, si lejlek edhe mund të dukesh, kjo është puna jote. Jo vetëm nga shkolla e Çikagos të vish, por edhe nga ndonjë shkollë tjetër. Po çne me skiftera, ne e kishim me pëllumba. Ne jemi shumë të qartë në dëmin prej 777 milionë eurosh dhe shpjegojmë që pjesën më të madhe e ka CEZ”.