Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Borxhi tani matet me trilion…

$
0
0

edi rama dhe shkelqim caniBorxhi publik i Shqipërisë tejkaloi që në mars kufirin e 1 mijë miliardë lekëve dhe tani njësia matëse e tij do të jetë trilioni.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, borxhi kombëtar arriti në 1 trilion e 15 miliardë e 324 milionë lekë.

Pjesa dërrmuese e tij është borxh i marrë drejtpërdrejtë nga qeveria, ndërsa rreth 60 miliardë lekë janë detyrime të ndërmarrjeve publike, të cilat edhe pse nuk shërbehen nga buxheti janë garantuar me dorëzani të qeverisë.

Krahasuar me fundin e vitit të kaluar, shifrat tregojnë se borxhi është rritur me 38 miliardë lekë, raporton TCH.

Por edhe pse është rritur në vlerë nominale, Ministria e Financave thotë se pesha e tij ndaj prodhimit kombëtar, që është dhe treguesi më i rëndësishëm i borxhit, ka rënë nga 69.17 për qind në 68.1 për qind.

Megjithatë kjo shifër sipas ministrisë nuk përfshin detyrimet e prapambetura ende të papaguara, të cilat llogariten në rreth 15 mld leke ose 1 për qind e prodhimit kombëtar.

Borxhi publik i Shqipërisë filloi të rritej pas vitit 2007, kur ish qeveria e djathtë zgjodhi t’i kundërpërgjigjej krizës përmes një stimuli agresiv fiskal.

E kombinuar dhe me ngadalësimin e rritjes ekonomike kjo bëri që borxhi të kërcejë nga 53.7 për qind në 2007-ën, në 62 për qind e prodhimit në fund të 2012-ës.

Paralelisht veç detyrimeve formale, u krijua dhe një borxh i fshehtë ndaj biznesit në formën e faturave të papaguara.

Në vitin 2014, qeveria e majtë së bashku me FMN-në thanë se kjo shifër ishte sa 5.3 për qind e prodhimit kombëtar.

E sapoardhur në pushtet ajo vendosi legalizimin dhe shlyerjen e tij sipas një plani trevjecar. Por demokratët thonë se  shifra reale është shumë më e vogël dhe se ajo u fry qëllimisht nga qeveria për ti krijuar asaj mundësi të marrë borxh.

 

PD akuzon mazhorancën për ligjin e pronarëve dhe rritjen e borxhit

Partia Demokratike kundërshtoi sërish ligjin e ri të qeverisë për ish-pronarët. Ajo tha se nuk do të pranojë kurrë padrejtësinë që dyshja Rama-Meta po u bën atyre.

“Dyshja Rama-Meta vazhdojnë ta thellojnë rekordin e tyre negativ dhe korruptiv në lidhje me pronarët. Edi Rama ka nisur një skemë djallëzore, duke sjellë një ligj që synon kompensimin e pronarëve me vlerën e hartës së vitit 1976. Ky është një qëndrim ekstremisht kundër pronareve, kundër të drejtës themelore të pronës. Partia Demokratike nuk ka për ta lejuar këtë padrejtësi dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë ligj që ridënon pronarët dhe të sjell ndërmend luftën e klasave dhe përndjekjen e tyre”, deklaroi Drejtori i Departamentit për të Përndjekurit Politikë dhe Pronarët në PD, Belind Këlliçi

Po ashtu opozita akuzoi kryeministrin se ka dështuar me borxhin publik dhe sipas saj partneret ndërkombëtarë janë të alarmuar për korrupsionin në tatime dhe dogana.

“Rritja e menjëhershme e borxhit publik me 12 për qind te Produktit te Brendshem Bruto (PBB) per te mbuluar evazionin e korrupsionin e dyshes Rama- Meta  pergatiti recesionin ekonomik qe sipas Patrizio Pagano, drejtor ekzekutiv në Bankës Botërore për Shqipërinë e kërcënon seriozisht Shqipërinë. Pas 2 vitesh qeverisje partnerët ndërkombëtare janë të alarmuar nga loja e borxheve të Edi Ramës. Rritja e menjëhershme e borxhit publik me 12 për qind te Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) për të mbuluar evazionin e korrupsionin e dyshes Rama- Meta  përgatiti recesionin ekonomik, që sipas Patrizio Pagano, drejtor ekzekutiv të Bankës Botërore për Shqipërinë e kërcënon seriozisht Shqipërinë. Edhe Komisioni Europian paralajmëron se niveli i lartë i borxhit publik mbetet një burim rreziku për ekonominë shqiptare. Dështimet pranohen edhe nga kreu i “Crown Agents”, drejtori i së cilës tha: “Dështuam me doganat, nuk ka transparencë dhe ka korrupsion kudo”. Kjo pra është gjendja reale e ekonomisë së vendit, si pasojë e korrupsionit, abuzimit e vjedhjes masive të dyshes Rama-Meta  dhe tërë strukturës së tyre që ka kapur doganat e tatimet, duke mbushur xhepat e tyre, duke blerë vota e duke thelluar krizën e varfërinë për shqiptarët”, tha Kordinatorit për Ekonominë dhe Financat, Mateo Spaho.

MF: Borxhi po vihet nën kontroll. PD të shqetësohej 8 vite më parë

Ministria e Financave ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike për borxhin publik. Sipas opozitës, rritja e borxhit me 12 përqind për dy vjet është bërë për të mbuluar evazionin fiskal dhe korrupsionin galopant.

Por Ministria e Financave ka një tjetër këndvështrim për këtë çështje dhe këtë e ka bërë të njohur përmes një komunikate shpërndarë për publikun.

“Niveli i lartë i borxhit është produkt pikërisht i atyre që sot bërtasin ‘borxhi i lartë’. Sikur po këta individë të kishin dëgjuar këshillat e ndërkombëtarëve vite më parë, tani rreziku dhe kostoja e borxhit publik do të ishte shumë më i ulët për shqiptarët. Si dikur, Partia Demokratike e Shqipërisë ka një lexueshmëri të kufizuar të mesazheve të ndërkombëtarëve, duke i shtrembëruar ato deri në mashtrim ndaj shqiptarëve. Gjithë bota ndjente peshën e krizës globale, por qeveria e asaj kohe nuk pranonte as të përmendej fjala krizë. Borxhi rritej, qeveria teorizonte që rreziqet e borxhit të lartë mbi 60 përqind janë ulur. Tregjet dhe investitorët po i kthenin kurrizin, qeveria si pa të keq nuk paguante faturat”, thotë MF.

Ministria e Financave thotë se qeveria ka qënë shumë e qartë në programin e saj për të sjellë borxhin publik nën kontroll dhe se kjo është njohur edhe nga organizatat ndërkombëtare dhe më kryesorja, është reflektuar në uljen e kostos së borxhit.

Sipas qeverisë, borxhi publik do të ulet në vazhdim si pasojë e reformave të ndërmarra nga qeveria.

“E vërteta mbi menaxhimin e borxhit publik është lehtësisht e verifikueshme nga mbështetja që i japin ndërkombëtarët politikave të qeverisë aktuale. Borxhi publik do të vijë në ulje graduale, si rrjedhojë e atyre reformave që qeveria e mëparshme nuk pati kurajon t’i ndërmerrte. Reforma e pensioneve, reforma e sektorit të energjisë, reforma e pronave, përmirësimi i administrimit të të ardhurave, janë të gjitha këto reforma që do të çojnë në uljen e rreziqeve fiskale dhe të borxhit publik dhe jo ulja e shpenzimeve publike”, sqaron MF.

Në fund, Ministria e Financave akuzon opozitën se po manipulon publikun duke i paraqitur si borxh të ri rinovimin e borxhit aktual.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Latest Images