Fondacioni për Liri Ekonomike çeli dje fushatën sensibilizuese kundër taksave dhe politikave të qeverisë aktuale ndaj biznesit dhe sipërmarrjes. “Jo taksave të shumta! Jo taksave të larta! Jo ndryshimeve!” është quajtur fushata që nisi me një tryezë me ekonomistë, përfaqësues të organizatave të ndryshme të biznesit dhe me studentë të ekonomikut, ku ishin të pranishëm kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, Kryetar i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë Ilir Zhilla, si dhe përfaqësues të bordit të FLE-së.
Synimi është sensibilizimi i publikut për atë që po ndodh sot në ekonominë shqiptare, sjelljen e shtetit ndaj biznesit dhe individëve dhe në fund të fushatës specialistët e FLE-së do të hartojnë rekomandimet për qeverinë se çfarë duhet bërë. Tryeza e organizuar dje vjen fill pas raportit të Bankës Botërore ‘ “Doing Business 2016”, ku vendi ynë ka zbritur 35 vende më poshtë në renditjen e vendeve duke shënuar përkeqësim të dukshëm të klimës ndaj biznesit.
Tryeza e djeshme u hap pikërisht me këtë argument, dhe Drejtori Ekzekutiv i FLE-së, Besart Kadia, tha se pavarësisht që fushata jonë ishte planifikuar, ky raport e mbështet këtë fushatë dhe e bën të dosmodoshme atë në këto kushte. Duke marrë shkas nga gjobat e aksionit të fundit të qeverisë ndaj biznesit për kuptonin tatimor, Kadia tha se “ne mendojmë se kjo fushtë shtetërore për vjeljen e taksave po paralajmëron një dimër të vështirë të ekonomisë Shqiptare. Përdorimi i policisë për vjeljen dhe kontrollin ndaj biznesit ishte instrumenti më i gabuar i mundshëm dhe mesazh jo i mirë për partneritetin shtet-biznes”.
Gjergj Buxhuku tha se kur vjen koha e krizës mund të përfitonim dhe ta përdornim për mirë, duke mësuar nga gabimet. “Kur filloi thatësira e likuiditeteve ne nxorrëm një sistem ekonomik që ishte i copëtuar në tregje të mbyllura, ku shkalla e konkurrencës ishte shumë e ulët. Po këtu ka dhe probleme të tjera me fenomenin e kapjes së shtetit, aftësinë e institucioneve për të menaxhuar krizë, korrupsionin në sistemin gjyqësor që ka ndikim të drejtpërdrejt në ekonomi. Pra ne kishim një sistem oligopoli që ishte i paftë që të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ndër të tjera ai.
Ndërkohë Kryetari i Bordit Drejtues të FLE-së, Dr. Selami Xhepa, tha se shumë gjëra që po ndodhin në ekonominë shqiptare tregojnë se nuk kemi arritur të ndërtojmë një sistem ekonomik të qëndrueshëm, ku të ketë konkurrencë.
Xhepa tha në kushtet e reduktimit të lirisë ekonominë kërkohet një reagim i qënësishëm. Reagimi i FLE-së ishte planifikuar prej kohësh, por raporti i BB-së evidenton pikërisht atë për të cilën ne jemi shqetësuar, që nuk ka asnjë progres, por përkundrazi ka një përkeqësim të dukshëm në këtë drejtim.
“Kjo fushatë është e nevojshme dhe do të jetë një fushatë racionale me partnerë të tjerë të sektorit privat dhe me të gjithë aktorët e tjerë. Në fund të saj ne do të dalim dhe me disa rekomandime për qeverinë në mënyrë që të realizojë në mënyrë më efiçente reformat”.
Ilir Zhilla, Kryetar i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, tha në tryezën e FLE-së se “shoqëria shqiptare ndodhet para një intimidimi të pashembullt në 25 vjet. Ndodhet para një trysnie që ka ngrirë çdo inciativë, çdo ide, çdo gjë”.
Për ekonomistin Adrian Civici sistemi i taksave është një kontratë sociale në emër të zhvillimit, një instrument për të realizuar një objektiv. Sipas tij në këtë prizëm nuk ka arritur të japë rezultatet e duhura. “Çdo qeveri duhet të gjejë çdo mënyrë për të stimuluar rritjen ekonomike dhe sistemi fiskal është mjeti më i mirë për ta bërë këtë, tek ne ky sistem nuk ka dhënë rezultat as në reduktimin e varfërisë dhe as në zhvillimin ekonomik”, tha ndër të tjera ai duke folur mbi filozofinë e sistemit të taskave.
Javët në vazhdim forumit të diskutimit do ti bashkohen ekonomistë të tjerë si Arben Malaj, Nikolin Jakaj, Mark Craëford, Gjergji Gjika, Dritan Shano, etj.. Këto forume do të bëhen më pas publike me anë të një konference kombëtare pikërisht për të adresuar në një zë shqetësimet e këtij komuniteti për ekonominë Shqiptare. Kjo fushatë mbështetet nga Dhoma e Tregëtisë Tiranë, Konfidustria shqiptare, qendra Austriake për Ekonominë, etj. Arsyeja kryesore që e ka nxitur fushatën janë aksionet e fundit të qeverisë ndaj evazicionit fiskal, si dhe ndryshimi dhe rritja e taksave në dy vitet e fundit.