Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

A ka shteruar ekonomia shqiptare?!

$
0
0

bujariMasat e qeverisë nuk po sjellin të ardhura shtesë në buxhet, ndërsa institucionet bankare dhe të statistikave japin alarmin për rritje të varfërisë, rënie të kreditimit dhe rënie të konsumit. A ka nevojë vendi për një model të ri ekonomik dhe si mund të frymëzohet zhvillimi i munguar

Nga Vladimir Karaj

Është e diel. Mëngjes herët. Në një kafene në një cep periferik të Elbasanit shfaqen si nga hiçi dy punonjës të tatimeve. Kanë laptop, dosje dhe letra. Pronari, kamerieri dhe banakieri i bar-kafesë i ka ftuar brenda. Mesoburrit, tani, po i dridhen duart kur u shërben të tjerëve, duke u lënë mbi tavolinë edhe një faturë çarçaf të gjatë në mungesë të kasës që s’ka mbërritur ende deri këtu. Ai me gjasë nuk bën më shumë se 3 mijë lekë xhiro ditore dhe nuk do ta kapërcejë dot kurrë atë pragun 2 milionësh që do e detyronte të paguante pak më shumë apo për të cilin do duhej të fshihte disa prej shitjeve edhe sikur të punojë rrumbullak 365 ditë të vitit. E, megjithatë, kontrolluesit janë aty dhe burrit i dridhen duart kur vendos kafetë në tavolinë. 250 lekë është xhiroja e tij deri në orën 10:30 të asaj të diele. Në më pak se një kilometër rrugë, ai ka të paktën dhe pesë konkurrentë që kryejnë të njëjtën punë dhe ndajnë bashkë buxhetet e familjeve të lagjes, që bazohen kryesisht në punë në emigracion dhe që siç tregojnë statistikat e INSTAT-it apo Bankës së Shqipërisë janë në rënie të përvitshme.

Kjo është në fakt ekonomia e frymëzuar prej remitancave. Ajo i dha dikur boom ekonomisë shqiptare duke prodhuar kryesisht kërkesë të madhe për ndërtimin dhe njëkohësisht kafenetë që mbusheshin me të papunët që jetonin prej emigracionit. Sigurisht ekonomia nuk është vetëm kjo, por kjo është pjesa më e dukshme dhe dalluese e saj.

Dy ditë më parë Banka e Shqipërisë në Raportin për Stabilitetin Financiar për 6-mujorin e parë të 2015 dha dy lajme jo fort të mira për ekonominë e vendit. E para me faktin që kërkesa e bizneseve në vend për kredi ka rënë dhe e dyta se bankat e nivelit të dytë në vend kishin rritur me 7 herë kredi dhënien  për biznesin jashtë Shqipërisë apo edhe investimet e tyre në vende të tjera. E thënë kjo duket qartë që nuk bëhet fjalë për mungesë parash në vend. BSH në raport shkruan se  “oferta dhe kërkesa për kredi mbeten nën potencialin e tyre”. E ndërsa e para ka të bëjë me kreditë e këqija dhe problemet në administrimin e tyre, e dyta me gjasë ka faktorë të tjerë që e mbajnë në ngërç ekonominë e vendit.

Pa ide për biznes

Ndërsa qeveria është fokusuar në formalizimin e ekonomisë, kjo pak duket se do të ndryshojë në përmirësimin e gjendjes së saj. Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se sistemi ekonomik shqiptar i bazuar te remitancat, koncesionet minerare dhe të naftës apo fluksi i pallogaritshëm dhe konfuz turistik e të ngjashme si këto ka shteruar. Për shumë vendit i duhet një platformë e re ekonomike një model që mund ta nxjerrë vendin nga kriza. Një gjë e tillë nuk është shtruar në tavolinë prej qeverive dhe as duket se do shtrohet së shpejti. Nga ana tjetër, vetë biznesi nuk duket se është në gjendje të prodhojë ide të reja për investim përpos kafenesë apo dyqaneve të thjeshta që tani janë në kërkim të blerësve pasi po sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë edhe këta të fundit po rrallohen ndërsa konsumi bie. Gjasat janë që asnjë mbledhje zbritje nuk do ta zgjidhë këtë situatë. Ndër të paktat fusha që “frymëzojnë” për momentin mbetet bujqësia, ministria e fushës thotë se pati një dyfishim të prodhimit dhe eksporteve,  por infrastruktura e dobët, mungesa e kreditimit (për shkak të pasigurive që ka ky sektor) dhe në fund mungesa e aftësisë për të gjetur tregje për produktet vendase e ka lënë atë në gjendje primitive. Parcelizimi i saj dhe pasiguria e pronës mbeten probleme madhore që pengojnë investimet në këtë fushë. Turizmi nga ana tjetër ndjek të njëjtën rrugë. Rritja e përvitshme e të huajve që vizitojnë vendin nuk duket se shoqërohet me infrastrukturë të re. Zhvillimi është krejt sporadik dhe kryesisht i bazuar në hotelerinë shtëpiake apo ndërtimet buzë detit të cilat mbahen përgjegjëse më shumë për shkatërrimin e natyrës atje se sa për zhvillimin e zonave. Minierat dhe sektori i energjisë në vend mbeten në të njëjtën situatë amortizimi dhe problemesh. E para, për shkak të mungesës së sigurisë dhe vjetërsisë me minatorë që vijojnë të humbin jetën në vendet e punës, dhe e dyta, për shkak të mungesës së strategjive ka dështuar të vërë në jetë një numër të madh projektesh që janë braktisur pas licencimit.

Shqipëria ndërkohë përtej premtimeve mbetet ende larg të qenit parajsa e investitorëve të huaj. Ambasadorë e drejtues shteteve të BE, vende potenciale prej nga vijnë investitorët, mbetën duke përsëritur se vendit i mungon siguria e stabiliteti dhe se korrupsioni e mungesa e drejtësisë i mbajnë paratë e tyre larg. Përtej kësaj idetë për biznes janë shteruar. Kafenetë nuk duken më as atraktive dhe as mundësi reale biznesi.

Shqiptarët duan më shumë ekonomi

Prej kërkesave të vjetra për “drita, rrugë dhe ujë” politika po përballet me të rejat që edhe pse përcillen përmes shifrave mjaft kontradiktore dhe shpesh të pakuptueshme për shumicën janë bërë më interesante. Fakti që prej muajsh ekonomia dhe të dhënat prej saj janë pjesë e debatit politik të përditshëm vjen pikërisht prej kësaj kërkese në rritje për zhvillimin e vendit apo zbutjen e papunësisë dhe varfërisë. Por qeveria e ka përqendruar punën e saj në përpjekje për të vendosur në rrugën e ligjshmërisë sipërmarrjen vendase. Ajo ka kaluar një sërë masash që ashpërsojnë penalitetet për sipërmarrësit që kapen në shkelje. Por megjithë aksionin dhe shifrat në rritje të bizneseve të regjistruara të ardhurat në buxhetin e shtetit nuk janë rritur dhe plani për to nuk është mundur të realizohet. Qartazi nuk bëhet më fjalë vetëm për korrupsion apo kontrabandë. Ekspertët mendojnë se rënia në vijim me gjithë aksionin e policisë e tatimeve është tregues thelbësorë i pamundësisë së biznesit për të paguar dhe kontribuar në arkën e shtetit. Madje mjaft mendojnë që operacioni po e godet ekonominë dhe po e frikëson atë.

Banka Botërore vinte në dukje pak ditë më parë se skamja në vend ishte rritur tre herë nga 2008 deri në 2012. Me gjasë kriza që vijoi në 2013 dhe rritja mediokre e papërfillshme në 2014 dhe 2015 mund ta kenë thelluar këtë tregues që përfshin sipas BB deri në 30 mijë shqiptarë. Nga ana tjetër gati 1/3 e popullsisë së vendit jeton në prag të kësaj skamje (e llogaritur me 1.9 dollarë në ditë) apo pak mbi nivelin e saj. Kjo është me gjasë edhe shpjeguesi kryesor i numrit të azilkërkuesve në Perëndim dhe po ashtu edhe i rënies së sistemit që ekonominë e shihte si produkt i remitancave dhe investimeve publike apo shfrytëzimit të burimeve natyrore pa ndonjë kriter dhe pa ndonjë dukje në ekonominë e vendit. Ndërkohë qeveria përveç mungesës së një strategjie të qartë që do i jepte shtytje ekonomisë, përveç masave të marra në shlyerje borxhesh që duket se nuk dhanë efektin e dëshiruar, duket se do i mungojë edhe buxheti për të dhënë impulse shprese. Ajo vijon të mos vjelë dot para prej koncesionarëve të mëdhenj si “Bankers Petroleum” (me të cilin tani është në gjyq), ndërsa përpjekjet e saj për të formalizuar ekonominë e vogël të rrugës nuk janë shumë shpresëdhënëse dhe nuk do të ndihmonin shumë buxhetin në mënyrë që rishpërndarja të rigjallëronte ekonominë e vendit.

Qeveria sidoqoftë po përpiqet të shtrëngojë dhëmbët për të kufizuar evazionin. Kjo në fakt do të ishte përgjigje e mirë dhe vendosje e një garancie konkurrence nëse do mund të ketë edhe këtë efekt. Tani për tani, ajo ka shkaktuar veç dridhje duarsh te pronari i kafesë së periferisë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663