Teksa e gjithë vëmendja në lidhje me ecurinë buxhetit është përqendruar tek mosrealizimi i të ardhurave, situata është gati njësoj në mos më keq është alokimi i fondeve të programuara për investime.
Tani kanë mbetur edhe 3 muaj nga përfundimi i vitit fiskal qeveria ka realizuar vetëm gjysmën e fondit vjetor prej 63 miliardësh të planifikuar për investime.
Në fund të periudhës nëntëmujore fondet e disbursuara ishin vetëm 32.9 miliardë lekë nga 38.3 miliardë lekë të programuara në planin e rishikuar, duke rezultuar kështu me një mosrealizim prej 14 %.
Burimet zyrtare të Ministrisë së Financave kanë argumentuar se, mosrealizimi i shpenzimeve kapitale ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesori ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve.
“Shpenzimet kapitale, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për periudhën janar-shtator 2015 është konstatuar një mosrealizim në investimet me financim të huaj në nivele të konsiderueshme, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivele të kënaqshme pavarësisht se jo në nivelet e dëshiruara”,- sqaron Ministria e Financave.
Investimet që janë i vetmi mjet publik që ndikon direkt në rritjen ekonomike po ecin në të njëjtin trend me vitin e kaluar.
Kalimi i kompetencave nga Ministria e Financave tek ajo e Ekonomisë për alokimin e fondeve për investimet ka rritur procedurat borukratike e për rrjedhojë po pengon alokimin e tyre sipas programit.
Gjatë rishikimit të buxhetit 2015 qeveria rishikoi me ulje fondin për investimet.
Nga më shumë se 67 miliardë lekë që ishin programuar investimet kapitale në fillimvit pas rishikimit ato zbriten në 63 miliardë lekë ose 7% më pak./Monitor/