Këshilli i Ministrave vendosi sot që Ministrisë së Financave, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, t’i shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për shpenzime korrente, në programin “Menaxhimi i të ardhurave tatimore”.
Ky fond do të përdoret nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për përballimin e shpenzimeve që kryhen në kuadër të nismës kundër informalitetit dhe që lidhen me:
- a) shpërblimin e informatorëve të jashtëm, për shkeljet e dyshuara dhe të vërtetuara nga administrata tatimore në fushën e përdorimit të pajisjeve fiskale nga subjektet tatimpaguese;
- b) blerjen e mallrave dhe shërbimeve, nga punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për verifikimin në vend të subjekteve tatimpaguese, për përdorimin e pajisjeve fiskale.