Ndërkohë që debati politik vazhdon të dominojë në vend, lajmet nga ekonomia vazhdojnë të jenë të këqija. Më poshtë një përmbledhje informacionesh nga revista e njohur ekonomik Monitor
Bankat tregtare lajmërojnë përkeqësim të gjendjes financiare të individëve
Bankat tregtare kanë raportuar se gjendja financiare e individëve është përkeqësuar edhe më shumë në tremujorin e tretë të këtij viti.
Duke raportuar standardet e kreditimit tek Banka e Shqipërisë, subjektet bankare kanë evidentuar se, përkeqësimi i gjendjes financiare të individëve ka dhënë ndikimin më madhor në moslehtësimin e kushteve të kredisë në tremujorin e tretë, me një ndikim negativ-13 për qind, niveli më i lartë në katër tremujorët e fundit.
Përkeqësimi i financave të individëve bashkë me rrezikun e moskthimit të kredisë ka ndikuar bankat që të mbajnë të pandryshuar sjelljen e kredisë për individë.
Ndonëse shihet që faktorë të tjerë që e stimulojnë kredinë të tilla si konkurrenca në sektorin bankar, politika e Bankës së Shqipërisë dhe situata e likuiditetit në banka janë përmirësuar ndjeshëm.
Ekspertët në sektorin bankar në një takim të fundit me gazetarët e ekonomisë shpjeguan se kreditimi për ekonominë do të vijojë të jetë në stanacion nëse nuk përmirësohen burimet e financimit të ekonomisë dhe me këtë rast edhe gjendja financiare e bizneseve dhe individëve.
Por qeveria nga ana tjetër pret që bankat të rrisin kreditimin, si mënyra themelore për të nxitur rritjen e ekonomisë.
Bankat raportuan lehtësim të standardeve të zbatuara për kreditë si për blerje banese, ashtu edhe për qëllime konsumi.
Balancat e vlerësuara ishin përkatësisht 7.9% dhe 14.0%.
Edhe për tremujorin e katërt, bankat presin vazhdim të tendencës lehtësuese të standardeve të kredisë për individët të akorduar si për blerje banese, ashtu edhe për konsum.
Çmimet e shërbimeve spitalore i rikthehen rritjes, pas rënies më 2014
Çmimet e shërbimeve spitalore i janë rikthyer rritjes për të pestin muaj radhazi në shtator, pas rënies sistematike gjatë viti 2014 deri në maj të këtij viti.
Siç raportohet nga të dhënat e detajuara të INSTAT, rritja e vjetore e mesatare e çmimeve në shërbimet spitalor rezultoi me 3.3% në shtator.
Më herët në shtator të vitit 2014 rënia e çmimeve në shërbimet spitalore ishte mbi 8% në krahasim me vitin 2013.
Në të tre grupet e shëndetit, rënie e çmimesh është parë vetëm tek medikamentet, ndërsa çmimet janë rritur edhe për shërbimet dentare dhe ato të parësorit.
Dy vitet e fundit, tregu i privat i shërbimeve spitalore është zgjeruar dukshëm, me 9 operatorë, çka solli vitin e kaluar edhe uljen e çmimeve si pasojë e rritjes së konkurrencës. Por së fundmi shihet se çmimet kanë rinisur rritjen.
Tre spitalet private kryesore në vend Univers Alb (spitali amerikane), Hygeia dhe Salus shënuan së bashku një rritje të qarkullimit vjetor prej 24%, në rreth 5 miliardë lekë (36 milionë euro) në 2013-n, sipas të dhënave të raportuara në bilancet përkatëse.
Ministria e Shëndetësisë nga ana e saj është duke aplikuar një politikë liberalizimi në shërbimet shëndetësorë duke deleguar ofrimin e disa prej tek privatët që do të financohen nga fondet publike.
Nëpërmjet formës së partneritetit publik-privat, Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë një kompanie kontrollin bazë mjekësor falas, i cilësuar si “check up” falas për moshat 45 deri në 60 vjeç.
Agjencitë imobiliare: Taksa e shitjes së banesave ka ulur transaksionet me 30 %
Drejtues të agjencive të pasurive të patundshme në Tiranë kanë pohuar se viti 2015 ka pasur një frenim të shitjes së pronave, për shkak të rritjes së taksës mbi fitimet nga shitja e pasurisë së paluajtshme nga 10% në 15 %, duke filluar nga 1 janari 2015.
Ata pohojnë se e përkthyer në shifra, kjo rënie e shitjeve ka arritur -30 %, krahasuar me vitin e kaluar.
Duke rikujtuar edhe projeksionet e tyre që në fillim të këtij viti, ata pohojnë se ishin “të përgatitur” se kjo taksë do të sillte këtë frenim, sidomos për ato prona të cilat nuk kanë përfituar nga procesi i rivlerësimit, por që tashmë është i “ngrirë”.
Ing. Xheni Jahja tregon për Monitor se rritja e taksës së shitjes së banesës këtë vit ka prekur ato apartamente që nuk kanë përfituar nga rivlerësimi i pronës. “Apartamentet që kanë bërë vlerësimin kanë qenë më të lehta në menaxhim. Vështirësi në dukje kanë pasur ato që nuk kanë bërë rivlerësimin”- thotë ajo, duke pohuar se ky proces ka vite që është ndërprerë.
Nga ana tjetër, drejtuesi i një agjencie imobiliare në vend, z. Dritan Caka thotë se taksa në nivelin e 15 % është një shifër ndjeshëm e lartë, e cila gjatë këtij viti ka sjellë një frenim të tregut të shitjes.
“Unë mendoj se rihapja e vlerësimit për pasuritë e paluajtshme do të sjellë zhbllokimin e tregut. Ajo do të mund të sjellë të ardhura më tepër në buxhetin e shtetit, pasi nga një përllogaritje në sasinë e pronave që janë në shitje, buxhetit i shtohen afërsisht 30 milion euro. Madje, duke përfshirë edhe ato prona që janë potencial për shitje,” përfundon z. Caka.
Ai shton se procesi i rivlerësimit do të ulte në nivele të ndjeshme evazionin fiskal.
Nga 1 janari 2015, kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë ndërtesa, tatohet me 15 për qind të fitimeve të realizuara, nga 10% që ishte më parë.
Taksa mbi 15% paguhet mbi fitimin nga prona, sipas shembullit të mëposhtëm.
Shembull:
Një shoqëri ndërtimi i ka shitur individit A një apartament me vlerën 5 000 000 lekë. Ky individ e shet këtë apartament pas disa vjetësh, te një individ tjetër B, për 6 000 000 lekë.
Individi A do të tatohet me 15% të diferencës midis vlerës së shitjes 6 000 000 lekë dhe vlerës së blerjes 5 000 000 lekë.
Pra 15% x (6 000 000-5 000 000) = 150 000 lekë do të jetë tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë, i cili paguhet nga individi A, apo 50 mijë lekë më shumë sesa do të paguante më parë, kur ky tatim ishte 10%.