Aktorët kryesorë pohojnë se tregu imobiliar i Tiranës po përballet me një rritje kërkesash për blerje, por çuditërisht, edhe me ulje çmimesh nw zonat periferike.
Çfarë po ndodh?
Ing. Xheni Jahja nga Tirana Real Estate pohon se, krahasuar me 6- mujorin e parë të vitit, kërkesat për blerje janë rritur me 30%. Sipas saj, arsyet lidhen me një rënie të ndjeshme në çmimet e banesave në kryeqytet, në 15%.
Specialisti i tregut të imobiliarëve, Lefter Sila, tregon se ka pasur një rënie çmimi për banesa në kryeqytet, por që ky trend ka filluar që 5 vite më parë, kur nisi kriza në të gjithë botën.
Sa i përket këtij viti, z. Sila pohon se rënia e çmimeve është më e theksuar në zonën e ish-Bllokut me rreth 30-35%, në qendër me 25%, në unazë me 15-20%. Në zona më periferike, rënia ka qenë më e ulët, për shkak se vetë çmimet janë të ulëta, sipas specialistit. Në total, për të gjithë Tiranën, mesatarja vjetore e rënies së çmimeve është rreth 16%, pohon z. Sila. Ai shtoi edhe se emigrantët, që kanë qenë pjesë e grupit që kryenin më tepër transaksione, tanimë, duke u nisur nga eksperienca e këtij sezoni veror, u drejtohen zyrave të agjencive për të shitur, jo për të blerë.
Çmimet në këtë sezon nuk kanë pësuar ulje në zonat brenda Unazës -deklaron Dritan Caka, kreu i Dev Information. Z. Caka ia atribuon këtë fakt mungesës së dhënies së lejeve të ndërtimit dhe kërkesës nga klientët, të cilët preferojnë të banojnë sa më pranë qendrës. Për zonat jashtë qendrës, ai tregon se çmimi nuk është rritur, përkundrazi ka një rënie të lehtë krahasuar me vitin e shkuar. Sa u përket kërkesave nga blerësit në kryeqytet, z. Caka pohon se kanë mbetur në nivelin e vitit të shkuar./Monitor