PLUS thekson se është diskriminuar e zvarritur në mënyrë sistematike tashmë për vite nga autoriteti AKEP i Pirro Xhixhos, nëpërmjet mosrregullimit të tregut, e cila është detyra kryesore për të cilën AKEP paguhet, duke përmendur me rradhë çështjen e ndryshimit të tarifave brenda dhe jashtë rrjeteve, çështjen e asimetrisë të aplikuar ndryshe për operatorë të ndryshëm sigurisht duke diskriminuar PLUS-in, apo për çështjen jashtëzakonisht të zvarritur të dhënies së autorizimit për shërbimet 3G, duke kulmuar së fundmi edhe me trajtimin haptazi me dy standarte të një çështjeje të ngjashme të sjellë në vëmendje të tij nga operatorët në treg në lidhje me shfrytëzimin e frekuencave 3G dhe 4G….
Nëpërmjet një deklarate zyrtare për shtyp, kompania PLUS Communication Sh.A. denoncon publikisht mënyrën si është trajtuar ndër vite nga AKEP, enti rregullator i tregut të telefonisë celulare, treg në të cilin kompania PLUS operon.
Me veprimet e mosveprimet e vazhdueshme, totalisht në kundërshtim me normat bazë të një konkurence të drejtë, me mënyrën si funksionojnë tregje të vendeve të ngjashme aspirante për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian por mbi të gjitha në kundërshtim me ligjet në fuqi të vendit tonë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare, nën drejtimin e z.Pirro Xhixho, ka kontribuar fuqimisht në ekzistencën e një tregu të parregulluar.
Në vlerësimin e PLUS, AKEP jo vetëm që nuk e ka mbikëqyrur këtë treg në bazë të detyrave e atributeve që i takojnë sipas ligjeve në fuqi e sipas praktikave ndërkombëtare të sektorit, por në mënyrë të vazhdueshme ka lejuar e toleruar e madje edhe ka “ushqyer” një konkurencë të padrejtë e të pandershme midis operatorëve të mëdhenj e atyre të vegjël e veçanërisht ka vepruar në mënyrë të dëmshme e shumë diskriminuese kundër PLUS-it, që është operatori i fundit i licensuar për të operuar në këtë treg dhe që mbetet operatori më i vogël i këtij tregu.
Duke lejuar me vite ekzistencën e grupeve dhe “klubeve” brenda operatorëve të mëdhenj e cila për rrjedhojë sillte diferenca të mëdha çmimesh për komunikimin drejt rrjeteve të tjera duke krijuar mure mbyllëse për abonentët, AKEP jo vetëm që ka dëmtuar financiarisht PLUS-in, por në këtë mënyrë ka ndikuar direkt edhe në zbrazjen e xhepave të konsumatorëve shqiptarë duke u ngarkuar atyre tarifa më të larta për nevojat e tyre për komunikim.
PLUS thekson se është diskriminuar e zvarritur në mënyrë sistematike tashmë për vite nga autoriteti AKEP i Pirro Xhixhos, nëpërmjet mosrregullimit të tregut, e cila është detyra kryesore për të cilën AKEP paguhet, duke përmendur me rradhë çështjen e ndryshimit të tarifave brenda dhe jashtë rrjeteve, çështjen e asimetrisë të aplikuar ndryshe për operatorë të ndryshëm sigurisht duke diskriminuar PLUS-in, apo për çështjen jashtëzakonisht të zvarritur të dhënies së autorizimit për shërbimet 3G, duke kulmuar së fundmi edhe me trajtimin haptazi me dy standarte të një çështjeje të ngjashme të sjellë në vëmendje të tij nga operatorët në treg në lidhje me shfrytëzimin e frekuencave 3G dhe 4G.
Pas ndryshimeve pa shpjegime e pa argumentime edhe të vendimeve të veta të firmosura e të bëra publike, duke krijuar kështu një rast të paprecedent në nivel kombëtar e ndërkombëtar kur një autoritet rregullator nuk respekton vendimet e tij dhe gjithë procesin vendimarrës të sanksionuar jo vetëm në regulloret e funksionimit të institucionit, por edhe në praktikat e punës së tij që prej krijimit, ku si gjithmonë më i dëmtuari, më i diskriminuari, më i godituri është i vetmi operator shqiptar në vend, AKEP-i i Pirro Xhixhos vijon të mbështesë madje edhe në kundërshtim të plotë me ligjin, operatorët e mëdhenj.
Thënë sa më sipër, e pasi ka ndjekur të gjitha çështjet e sipërpërmendura konform ligjeve e normave në fuqi pranë vetë AKEP apo institucioneve të tjera shtetërore, por si gjithmonë pa u marrë në konsideratë e duke u injoruar në mënyrë të vazhdueshme e të shëmtuar, nëpërmjet kësaj deklarate, PLUS kërkon vëmendjen dhe mbështetjen e abonentëve, të mediave, të mbarë publikut shqiptar, si edhe të organeve të tjera shtetërore në luftën e tij për t’i dhënë fund këtyre sjelljeve diskriminuese, abuzuese të atyre që e kanë “kapur” dhe po e keqpërdorin këtë institucion publik, që nuk mund të kenë emër tjetër përveç se të KORRUPTUAR!, përfundon njoftimi për shtyp i PLUS./Monitor