Bëni kujdes…pranë dyqanit, restorantit, lokalit apo biznesit tuaj do të ketë “spiuna fiskal”, që do të raportojnë të gjitha rastet kur ju si tregtarë nuk zbatoni ligjin.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, paralajmëroi se për pak ditë, këta individë do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë për të patur nën kontroll territorin dhe për të luftuar evazionin.
Do të ketë kontrolle pas kontrollesh deri sa të merret vendimi për të penalizuar subjektet që i shmangen ligjit.
Ministri i Financave ishte në Komisionin parlamentar të Ekonomisë teksa prezantoi 7 ndryshime ligjore në ligjin për procedurat tatimore.
Në thelb të gjitha ndryshimet kanë të bëjnë me ashpërsimin drastik të penalitetve, për bizneset që fshehin të ardhurat, që nuk deklarojnë ndryshimin e vendndodhjes, që kapen me mall pa faturë, që nuk lëshojnë kupon tatimor, apo që kapen me punonjës të pasiguruar.
Për ish-Ministrin e Financave Bode, masa të tilla do të japin efekt negativ, pasi do të rrisin korrupsionin tek biznesi i vogël e i mesëm, pasi kjo kategori do të preket më shumë.
Debatet për infomalitetin në komision janë shoqëruar edhe me një luftë nervash mes kryetarit Erjon Braçe dhe ish-ministrit Bode, të cilët nuk i kanë kursyer debatet me tone të larta mes tyre.