Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Nëpunësit që nuk marrin kuponin, rrezikojnë punën

$
0
0

kuponiKreu i qeverisë në kuadër të luftës kundër informalitetit ka nxjerrë një urdhër të vlefshëm për nëpunësit shtetërorë. Sipas tij, çdo nëpunës që nuk merr kuponin do penalizohet deri në largim nga puna

Në rast se një punonjës i administratës publike nuk merr kuponin tatimor për çdo blerje që bën, rrezikon të humbasë vendin e tij të punës.

Ashtu siç u veprua edhe në rastin e operacionit për energjinë elektrike, qeveria ka vendosur të ndjekë të njëjtën praktikë edhe në aksionin e shpallur të luftës kundër informalitetit në ekonomi.

Ndaj, në këtë kuadër kryeministri Edi Rama ka nxjerrë një urdhër të vlefshëm për të gjitha institucionet e vartësisë, por edhe ato të pavarura, ku iu bën të ditur titullarëve se për të gjithë punonjësit në varësi të tyre do të ketë masa penalizuese në rast se nuk marrin kuponin tatimor.

Siç raporton “VizionPlus”, urdhri fillimisht i është dërguar për zbatim Ministrisë së Financave dhe më pas skema e ndjekur prej saj në zbatim do të ndiqet edhe në të gjitha institucionet e tjera shtetërore.

Kështu, të gjithë nëpunësit që ushtrojnë një funksion publik në një institucion të administratës shtetërore, institucion të pavarur apo njësi të qeverisjes vendore, sipas këtij urdhri duhet të angazhohen në marrjen e masave për përmbushjen e detyrimit ligjor të marrjes së kuponit tatimor për çdo blerje ose përftim të shërbimit.

Në këtë urdhër specifikohet se Drejtoria e Tatimeve, çdo tre muaj duhet të hartojë listën e personave që ka gjobitur për mospajisje me kuponin tatimor.

Më pas dokumenti i çohet për verifikim Departamentit të Administratës Publike, i cili konstaton nëse mes të ndëshkuarve ka apo jo nëpunës civilë.

Struktura përkatëse e burimeve njerëzore i raporton me shkrim eprorit direkt të nëpunësit, ndaj të cilit është marrë masa e gjobës nga administrata tatimore.

Dënimi me gjobë i nëpunësve për mosmarrje të kuponit tatimor sipas nenit 125 të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore”, përbën shkak për fillimin e procedurave disiplinore ndaj nëpunësit përgjegjës.

Procedurat disiplinore që duhet të merren ndaj punonjësit të administratës publike shkojnë deri në pushim nga puna të tij, nëse ai është gjobitur në mënyrë të përsëritur nga tatimet për faktin se nuk ka marrë kuponin. Qeveria e ka shpallur luftën kundër informalitetit si një nga prioritetet e saj për muajt në vijim dhe për këtë ka angazhuar një sërë institucionesh shtetërore.

Sipas kryeministrit Edi Rama, suksesi i këtij aksioni do të sjellë rritje të të ardhurave në buxhet, çka do mundësojë paga më të larta por edhe ulje të taksave. Sipas tij, ky nuk është një aksion i radhës në vazhdën e një tradite të vjetër të doganave dhe tatimeve, por një operacion pa ndalim, deri në vendosjen e plotë të rendit ligjor në hapësirën e aktivitetit ekonomik dhe tregtar të Shqipërisë.

Për Ramën, fitorja e kësaj beteje është e barabartë me ulje taksash, rritje rrogash dhe mundësi shumë më të mëdha për investime publike në të mirë të çdo komuniteti.

Por sipas kryeministrit, një rol përcaktues në këtë betejë kanë vetë konsumatorët, pra edhe nëpunësit e administratës publike në rolin e konsumatorit, të cilët duhet të kërkojnë kuponin tatimor për çdo blerje që bëjnë. Madje ai u bëri thirrje atyre para disa ditësh që të mos paguajnë mallin e blerë në rast se nuk marrin kuponin tatimor.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Trending Articles