Me masat e marra nga autoritetet publike, rritjen e angazhimit të nëpunësve për të ofruar lehtësi të gjitha sipërmarrjeve që nuk kishin respektuar detyrimet ligjore për regjistrim ligjor dhe pajisjen me pajisjet fiskale, sipas ligjit, është arritur të ndërgjegjësohet pjesa më e madhe e sipërmarrësve që kishin neglizhuar për një kohë të gjatë këtë detyrim, sipas një njoftimi zyrtar nga Ministria e Financave.
Sipas të dhënave operative, në muajin korrik 2015 janë regjistruar 831 (ose 70.9%) biznese më shumë sesa viti 2014 dhe 1,151 (135.1%) më shumë sesa viti 2013.
Muaji gusht ka rritur ritmin e regjistrimeve, kështu janë regjistruar 4,221 (ose 569.6%) biznese më shumë sesa viti 2014 dhe 4,371 (739.6%) më shumë sesa viti 2013.
E njëjta situatë ndërgjegjësimi shënohet edhe gjatë gjysmës së parë të këtij muaji. Ritmet e regjistrimeve kanë kapur një tjetër stad me prezantimin publik të operacionit kundër informalitetit. Kështu deri me datën 18 Shtator, janë regjistruar 11,055 (ose 826.9%) biznese më shumë sesa shtatorin e plotë të vitit 2014 dhe 11,531 (1339.3%) më shumë sesa viti 2013.
Por ajo që është më e rëndësishme në gjithë punën e bërë për të ndërgjegjësuar subjektet që kanë detyrim ligjor regjistrimin dhe pajisjen me kasë fiskale, është rezultati në xhiron fiskale që deklarojnë subjektet.
Kështu, për periudhën 1 Korrik-16 Shtator 2015, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, është gati 3-fishuar numri i pajisjeve të reja fiskale që raportojnë në sistemin e tatimeve. Është rritur me rreth 26 milionë (+57%) numri i kuponëve tatimorë të lëshuar prej pajisjeve fiskale, ndërkohë që është shtuar me rreth 33 miliardë lekë (40.4%) sasia e xhiros së deklaruar gjatë kësaj periudhe nga pajisjet fiskale.
Kontrolli i kryqëzuar i pothuajse të gjitha institucioneve të angazhuara në operacionin antiinformalitet të qeverisë ka sjellë rezultate jo vetëm në pajisjen me kasa fiskale dhe detyrimin për të shoqëruar me faturë tatimore të gjithë mallin e inventarizuar, por edhe në formalizimin e të punësuarve.
Kështu, gjatë periudhës 7-18 shator, grupet e përbashkëta kanë ushtruar 36,372 kontrolle tek subjektet dhe kanë konstatuar shkelje tek rreth 11% e tyre.
Shkeljet më të mëdha konsistojnë në mospasjen e pajisjes fiskale dhe në mospasjen e faturave për mallin e inventarizuar. Punonjës të pa deklaruar janë konstatuar në 574 raste.
Grupet e punës në terren, po bashkëpunojnë me të gjithë aktorët, përfshirë edhe sipërmarrjen e ndershme për të arritur që të gjithë subjektet të ushtrojnë veprimtarinë e tyre tregtare apo të shërbimit, vetëm duke respektuar detyrimet ligjore dhe duke kundrejt një konkurueshmërie të barabartë dhe të ndershme në të gjitha nivelet e të bërit biznes, nga bizneset ambulante dhe të vogla, deri tek bizneset e mëdha dhe ato që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Njësinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj./Monitor/