Ish-kryetari i degës së doganës Tiranë dhe ish-juristi i saj janë paditur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
Nga auditi i kryer për vitin 2014 dogana rezulton me të ardhura të munguara në shumën 130,438 mijë lekë, (rreth 931,000 euro).
Po kështu borxhi doganor në fund të vitit 2014 rezulton në rritje me një shtesë në vlerën 1,592,455 mijë lekë në krahasim me fillin e vitit 2014.
“Nga auditimi u konstatua se gjendja e borxhit doganor në fillim të vitit 2014 ka qenë 1,807,618 mijë lekë, kurse në fund të vitit 2014 ajo ka arritur në vlerë 3,400,073 mijë lekë”,- thuhet në njoftimin e KLSH-së.
Sa më sipër, për të gjitha shkeljet e konstatuara nga auditimi, KLSH me shkresën nr. 409/15, datë 08.09.2015, ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzim penal për B.D. ish-Kryetar i Degës së Doganës Tiranë, gjatë vitit 2014 dhe F.K. ish-jurist në këtë degë, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës në marjen e vendimeve administrative”, parashikuar nga neni 248 dhe 258 i Kodit Penal.