Lush Ndoci është fermer nga fshati i Trushit, i cili bashkë me familjen jeton me blegtori dhe bujqësi.
Këtë të martë, nuk e ka nisur si ditët e tjera kur i drejtohej pikës së grumbullimit të qumështit për të dorëzuar prodhimin e marrë nga gjëja e gjallë, por ka vendosur ta hedhë atë në një pusetë në qendër të Shkodrës.
Një formë proteste e fermerit nga Nënshkodra i cili në janar të 2010-s u prek dhe nga përmbytja.
Atëherë qeveria Berisha e kompensoi vetëm me 5 mijë lekë të reja.
Ai thotë se që prej nisjes së aksioneve kundër informalitetit, çmimi i qumështit të deles nga 75 lekë/ litri ka zbritur në 30 lekë.
Për produktin në fjalë, baxhot kërkojnë edhe faturë origjine të mallit që fermeri nuk ka ku ta sigurojë.
Sipas Lush Ndocit, kësaj i thonë të shesësh 3 kg qumësht që të blesh një 1 bidon ujë.