Një strategji i re për kthimin dhe kompensimin e pronës që synon të zgjidhje kthimin e tokës tek i zoti ose kompensimet në masën 100% në 10 vitet e ardhshme është bërë gati për miratim në qeveri.
Më e rëndësishmja në këtë reformë shihet të jetë kompensimi i pronarëve që u është marrë toka me ligjin të 7501, nëpërmjet të cilit në vitin 1991 u bë ndarja e tokës për frymë duke i hapur kështu rrugë një konflikti të ri duke zhbërë pronarët reale dhe duke parcelizuar në mënyrë të tejskajshme tokën.
Përgjatë një viti qeveria po diskutonte të kthente në pronarë zotëruesit e tokës më ligjin 7501 pasi ata e kishin marrë në përdorim dhe jo në pronësi.
Por me ndryshimet e fundit ligjore, pronarët realë, të cilëve iu mor toka nëpërmjet ligjit 7501 duke u shpërndarë ndaj atyre që nuk kishin toka, do të kompensohen 100%, raporton Monitori.
5 miliardë lekë vjetor nga buxheti për kompensim
Strategjia e re e kthimit dhe kompensimit të pronës ka sjellë risi edhe sa i përket mënyrës dhe vlerës së kompensimit. Burimet nga Ministria e Drejtësisë, që janë marrë me hartimin e projektligjit, bëjnë me dije se do të përdoret një hartë e unifikuar vlerë në të gjithë vendin për çështje të kompensimit.
Gjithashtu në buxhetin e shtetit do të krijohet një fond vjetor prej 5 miliardë lekësh, gati trefish më i lartë se fondi i këtij viti 1.4 miliardë lekë.
Shuma e do të jetë e njëjtë për çdo vit në 10 vitet e ardhshme.
Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato tha në emisionin “Të Bësh Ekonomi” në News 24 se, kush ka patur tokë bujqësore në ’45 do kompensohet me çmim tregu si tokë bujqësore në 2015, kush ka patur tokë truall në qendër të Tiranës më 1945 do të kompensohet me tokë truall me çmimin e 2015. Pra nuk do të ketë ndryshime të zërit kadastral në raport me kompensimin e pronave.
Ata që do të preken nga kjo formulë janë të gjithë pronarët që u ndryshon zëri kadastral nga momenti i shpronësimit të tokës në ditët e sotme, pasi u ulet pritshmëria në kompensimin e pronës. Por ne kemi qenë të udhëzuar për ta çuar përpara dhe unifikuar këtë proces dhe kemi gjetur dy elemente që nuk ndryshojnë, shtoi ajo.
Rama: Zhdukëm menaxhimin kriminal
Kryeministri Edi Rama, duke folur në prezantimin e reformës së kthimit dhe kompensimit të pronave, ka deklaruar se për këtë çështje nevojitet një vijë e prerë ndarëse mes logjikës dhe absurditetit.
“Historiku i çështjes së pronave ka pasur dy anë: individë që kanë trashëguar teatrot e antikitetit dhe një shtet që ka bërë me pronën çorapin më të paimagjinueshëm”, ka deklaruar Rama.
Shefi i qeverisë ka nënvizuar se, raportet e progresit të BE që nga viti 2005 e më pas kanë ardhur me vlerësime negative në rritje sa i takon çështjes së pronave.
“Nga viti 2008 në 2014, raportet e progresit për çështjen e pronave kanë ardhur duke u bërë më të zymta”, ka vijuar Rama.
Duke theksuar se çështja e pronës është një nga 5 prioritetet për të cilat Shqipëria po mbikëqyret nga BE, kryeministri ka thënë se, në këto dy kjo çështje ka hyrë në një fazë të re.
“Progres-raporti i vitit 2013 thotë se përpjekje drastike duhen ndërmarrë për kthimin dhe kompensimin e pronave. Pra, thotë ose zgjidheni, ose rrini. Nëse s’e zgjidhni s’keni vend në BE”, ka pohuar Rama.
“Me trasenë që çel ky projekt, në një hark kohor rekord ne mbyllim nga pikëpamja përmbajtësore një problem që mund të shkonte deri në 1 mijë vjet dhe nga pikëpamja financiare mund të kërkonte 350 vjet”, ka thënë ai.
Një tjetër pikë të cilës shefi i qeverisë i është referuar ka qenë ndryshimi 24 herë i ligjit të vitit 2004 për pronën, si dhe veprimi i strukturave të gjyqësorit si banda kriminale, “që me forcën e çekiçit i ndanin pronat sipas oreksit me para në dorë”.
“Sasia e titujve të pronësisë së falsifikuar është marramendëse dhe është bërë një hata e vërtetë”, ka shtuar ai.
Më herët, drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato theksoi se ky ligj shënon një kthesë me rëndësi për çështjen e pronave. Ai parashikon shtyrjen me 6 muaj të afatit për aplikimet për pronësinë.
Qato tha se për herë të parë qeveria merr përsipër faturën që shteti përballon për identifikimin e të gjitha vendimeve për kompensim. Fondi vjetor buxhetor i përcaktuar do të jetë me rritje progresive me një vlerë mesatare prej 5 miliardë lekësh në vit, me një shtrirje kohore 10-vjeçare.
“Për herë të parë qeveria mori përsipër të identifikojë faturën që shteti do të përballojë për ekzekutimni e të gjitha vendimeve për kompensimin, sikurse të gjitha institucionet analizuan të gjithar resurset e mundshme. Fondi vjetor buxhetor me rritje progresive të detyrueshe me vlerë mestare 5 miliardë lekë në vit me një shtirje kohore 10- vjeçare. Vendoset një koncept i ri në përllogaritjen e shumës financiare. Brenda 6 muaj AKKP merr përsipër detyrën për të verifikuar mangësitë formale të 26 mijë vendimeve për kompensim”, tha Qato gjatë fjalës së saj.
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në fjalën e tij vlerësoi se çështja e pronave është me rëndësi kombëtare.
“Mazhoranca prezantoi një program për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe miratoi një plan të mirëfilltë veprimi, me afate të përcaktuara”, tha Naço.
Ai u shpreh se, për vite më radhë çështja e pronave kishte mbetur nëpër labirinte ligjore.