Ka marrë fund ankthi dhe pritja e naftëtarëve të Ballshit dhe Fierit të cilët kërkonin pagën e muajit nëntor.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë e cila ka marrë përsipër negociatat mes qeverisë dhe naftëtarëve bën me dije se pagat e nëntorit kanë kaluar në bankë.
Pagat për efekt kohe ende nuk janë në sistem, por deri pasdite do jenë të gjitha në numrat e llogarisë deri orët e vona të pasdites.
KSSH vendos në dispozicion dokumentin e ardhur nga banka që vërteton se pagat kanë kaluar.
“Naftëtarët i garantojmë se jemi me to, ndërsa u bëjmë apel strukturave të partive politike që nuk heqin dorë nga tepsia dhe OJF që xhirojnë miliona përmes gjobave të mos krijojnë situata të tensionuara”- thuhet në deklaratën e KSSH.
Kujtojmë se dy ditë më parë naftëtarit marshuan nga Fieri drejt Tiranës dhe u mblodhën para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku u kërkonin institucioneve qeveritare që të ndërhynin në mënyrë që të merrnin pagat e prapambetura dhe t’u paguhen sigurimet shoqërore.
Pas takimit në zyrën e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, administratori i firmës u premtoi protestuesve se sot do t’u hidhen pagat e nëntorit.