Sipas BB, në fund të vitit 2017 në Shqipëri remitancat pritet të rriten me 1.8 për qind duke shkuar në 1,07 miliardë dollarë nga 1,05 miliard dollarë që ishin më 2016. Në 6-mujorin e parë paratë që sollën emigratët ishin 3 për qind më shumë se në 2016.
Festat e fundvitit shënojnë flukset më të larta në pikat e hyrjes e daljes së kufirit shqiptar. Më të shumtët në këtë lëvizje janë emigrantët të cilët kthehen pranë familjeve të tyre. Veç të tjerave ata si për çdo vit rritin shpenzimet me paratë që sjellin, dhe për këtë vit shpresat janë që paratë e ardhura nga jashtë të jenë më shumë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore në Shqipëri remitancat pritet të rriten me 1.8 për qind duke shkuar në 1,07 miliard dollarë në fund të vitit 2017 nga 1,05 miliard dollarë që ishin më 2016. Ndërkohë sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë në 6-mujorin e parë të këtij viti paratë që sollën emigrantët ishin 3 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2016. Sipas statistikave të BSH, prurjet e emigrantëve për periudhën janar-qershor ishin 298 milionë euro.
Rigjallërohet cikli
Pas një rënieje të ndjeshme në periudhën 2008-2013, të ardhurat që emigrantët dërgojnë në shtëpitë e tyre kanë rifilluar ciklin rritës, ndonëse me ritme të ngadalta. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, prurjet nga remitancat në vitin 2016 ishin 615 milionë euro, me një rritje prej gati 3% me bazë vjetore. Ky është niveli më i lartë në katër vjet. Pasi remitancat shënuan rënie të vazhdueshme pas kulmit të arritur në vitin 2007, rrjedhojë e tendencës ciklike dhe krizës globale, në 2015-n, ato nisën sërish rritjen. Kjo dukuri u shpjegua nga ekspertët me rigjallërimin e emigracionit. Në gjysmën e parë të 2015-s, remitancat u rritën me rreth 18%. Por, gjysma e dytë shënoi sërish rënie, ku efektin kryesor e dha kriza në Greqi, teksa shteti helen rrezikoi deri daljen nga euro dhe mbylli bankat e ndaloi transfertat në korrik. Në tremujorin e tretë, paratë që emigrantët dërguan në shtëpitë e tyre ranë me 18%, tendencë që vijoi dhe në muajt e fundit, ndërsa për gjithë vitin, ato u rritën me 1%. 2016 ka vijuar me tendencën pozitive, teksa kriza në Greqi u zbeh dhe nga ana tjetër, vala e re e emigracionit, që kulmoi në 2015, rriti numrin e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë jashtë. Gjatë vitit 2015, numri i azilkërkuesve arriti në një nivel rekord prej 67 mijë dhe në 2016-n, numri i tyre zbriti në rreth 29 mijë. Pavarësisht kthimeve të larta, një pjesë e tyre kanë arritur të integrohen dhe të punojnë në vendet pritëse. Mbi 80% e atyre që kanë ikur janë nën 35 vjeç, duke e pasur më të lehtë të integrohen në tregun e punës. Gjithsesi, rritja, pohojnë operatorët e tregut është shumë më e ulët në krahasim me periudhën para 2008-s, kur zgjerimi ishte dyshifror.
Harta e remitancave
Greqia dhe Italia janë tradicionalisht dy shtetet, nga të cilat emigrantët dërgojnë më shumë para drejt Shqipërisë, por a e dini sa para dërgojnë dhe cilat janë vendet e tjera që sjellin para drejt vendit tonë. Instituti ndërkombëtar kërkimor Pew Research ka publikuar hartën e fluksit të remitancave për të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë për vitin 2015. Greqia mban rekordin. Nga fqinji helen vijnë rreth 480 milionë dollarë në vit, sipas të dhënave të hartës. Ndonëse vitet e fundit Greqia ka qenë në krizë të fortë ekonomike, duke rrezikuar edhe daljen nga euro në korrik të 2015-n, sërish lidhjet vazhdojnë të jenë të forta. Italia është shteti i dytë që dërgon më shumë para në Shqipëri, që llogariten në rreth 390 milionë euro në vit. Në të dyja vendet fqinje llogaritet të jetojnë e punojnë gati 1 milion shqiptarë. Vendi i tretë në listë është nga kontinenti i largët i Amerikës. Dëshira e shumë shqiptarëve për të emigruar në vendin e ëndrrave ka sjellë mbrapsht në Shqipëri 81 milionë euro në vitin 2015, sipas të dhënave nga Pew Research. Kthehemi sërish në Europë, ku Gjermania është në vend të katërt me rreth 39 milionë euro. Nga dy shtetet shqipfolëse, Maqedoni dhe Mali i Zi, sipas Pew Research marrim përkatësisht 19 dhe 15 milionë euro. Më pas renditen Britania e Madhe dhe Kanadaja me 15 dhe 12 mln euro përkatësisht.
Ka dhe disa shtete të largëta, nga të cilat rezulton që marrim dërgesa të vogla, më pak se 1 milion euro, si p.sh. Argjentina, Aruba, Republika Domenikane, Ekuadori, Libia, Meksika etj.
BB: Remitancat, 8.7% e PBB
Emigrantët shqiptarë si rezultat i krizës greke, e cila rriti fuqinë e forcës punëtore shqiptare me 5 %, nga 2011 deri në 2014, gjë që pati një efekt pozitiv mbi pagat e emigrantëve me aftësi të ulëta dhe efekt të përgjithshme pozitive mbi punësimi i atyre që qëndruan në Greqi. Edhe emigrantët e rikthyer në atdhe gjithashtu gjetën forma vetëpunësimi, duke kontribuar në mënyrë të veçantë në gjenerimin e punësimit dhe në rritjen ekonomike, citon raporti. Pjesa më e madhe e shteteve të Europës kanë zhvilluar politika për të inkurajuar kthimin e shtetasve. Emigrimi gjithashtu mund të krijojë sfida, thuhet në raportin e Bankës Botërore. Pavarësisht nga këto përfitime, në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, mbështetja në remitanca mund të zvogëlojë stabilitetin makroekonomik dhe konkurrencën e këtyre shteteve Hyrjet e remitancave kanë një efekt pozitiv të të ardhurave në konsumin të mallrave të tregtueshëm dhe jo të tregtueshëm. Për ekonomitë e vogla të hapura, çmimet e mallrave të tregtueshëm janë dhënë, ndërsa kërkesa agregate në rritje mund të çojë në çmime relative më të larta për mallrat e paluajtshme dhe paga më të larta. Efektet e tilla munden të dekurajojnë lëvizjet e investimeve dhe të punës, në orientim drejt eksportit ose importit. Si rezultat, sektori i jashtëm i ekonomive duke u mbështetur në remitanca,
mund të humbasin konkurrueshmërinë. Përveç kësaj, hyrjet e mëdha të remitancave mund të rezultojnë në vlerësimin real të kursit të këmbimit, si dhe paga më të larta të rezervës dhe nxitje e ulët për të punuar.
Varësia nga remitancat
Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë që kanë varësi të lartë nga të ardhurat nga emigracioni, ndonëse pesha e tyre po vjen në ulje, sipas një studimi të IFAD (International Fund for Agricultural Development), të titulluar “Të dërgosh para në shtëpi”. Ky është studimi i parë i këtij lloji, që mat tendencën 10-vjeçare të migracionit global dhe fluksit të remitancave përgjatë periudhës 2007-2016. Sipas raportit, vendet e Europës në zhvillim varen dukshëm nga remitancat, të kryesuara nga Moldavia, (24% e PBB-së), ndërsa flukset janë më të ulëta në shtete të tjera, si: Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, ku prurjet e emigrantëve përfaqësojnë nga 9% në 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vitin 2007, Shqipëria renditej e katërta nga pesë shtetet më të varura nga emigracioni, por me kalimin e viteve, rëndësia e tyre duket të ketë rënë dhe Shqipëria ka zbritur në vend të gjashtë, pas Moldavisë, Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi dhe Serbisë. Sipas të dhënave të IFAD, në Shqipëri, të ardhurat nga emigrantët ishin 1 miliard dollarë (shifër që është shumë më e lartë se ajo që raporton Banka e Shqipërisë, sipas të cilës prurjet në 2016-n ishin 615 mln euro), ose 9.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në krahasim me vitin 2007, paratë që emigrantët shqiptarë dërgojnë në Shqipëri kanë rënë me rreth 27%. Edhe në Kosovë, rëndësia që kanë prurjet e emigrantëve është më e lartë se në Shqipëri. Në vitin 2016, ato ishin 972 milionë euro, apo 15.2% të PBB-së. Për më tepër, tendenca e tyre vijon në rritje, teksa në krahasim me vitin 2007, paratë që emigrantët dërgojnë tek të afërmit në Kosovë janë rritur me gati 6%.
Vlerësimet e BSH
“Një pjesë ende e konsiderueshme e të ardhurave nga emigrantët futen nëpërmjet kanaleve informale në vendin tonë, duke shmangur bankat dhe agjencitë e transfertave”, është shprehur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko. Sejko thotë se studimet më të fundit tregojnë se dominuese janë kanalet formale të dërgimit, kryesisht përmes institucioneve financiare që mundësojnë transferta parash, e më pak përmes atyre bankare. Ndërkohë, në nivele ende mjaft të larta është dërgimi i tyre në formën e parasë cash, e cila meriton një analizë të thellë. Sipas vrojtimit të Bankës Botërore të kryer në vitin 2016, është arritur në konkluzionin se arsyet për përdorimin e ulët të kanaleve bankare janë kostot e larta të transferimit të parave, dhe se procedurat e transferimit vlerësohen të koklavitura. Edhe në rastin e Shqipërisë, studimet e kryera nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore tregojnë që të ardhurat e përftuara nga remitancat alokohen kryesisht për konsum, mjekim dhe arsimim, por edhe për kursim e investime, këto të fundit kryesisht në banim. Sejko tha se, Banka e Shqipërisë i ka konsideruar gjithmonë remitancat si faktor mjaft të rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe jo vetëm. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë mat dhe analizon statistikat e disponueshme, sikurse kryen vlerësime të natyrës josasiore që lidhen me shpërndarjen gjeografike të burimit të remitancave në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në fokusin tonë, vijon të mbetet vlerësimi i faktorëve që ndikojnë në nivelin e remitancave dhe luhatshmërinë ciklike të rrjedhës së tyre në vite.
Rëndësia për ekonominë
Për Shqipërinë, remitancat përfaqësojnë një burim të qëndrueshëm dhe të konsiderueshëm të hyrash, të cilat tejkalojnë edhe investimet e huaja direkte, duke përbërë në këtë formë një burim të qenësishëm financimi të rritjes ekonomike. Në këtë drejtim, edhe Banka e Shqipërisë i konsideron remitancat si një burim i rëndësishëm të ardhurash në ekonomi dhe me ndikim në bilancin e pagesave. Të para në një këndvështrim më të ngushtë, remitancat vlerësohen të kenë një impakt domethënës në familjet shqiptare, në reduktimin e varfërisë dhe në përmirësimin e cilësisë së jetesës. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që sa më shumë të rritet përdorimi i kanaleve financiare, aq më shumë rritet depërtimi i financave në ekonomi. Për më tepër, rritja e përdorimit të kanaleve financiare ndihmon në rritjen e përfshirjes financiare të popullatës, duke rritur mundësitë për kursime dhe investime sa më produktive. Dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë është angazhuar edhe në projekte konkrete me Bankën Botërore, të lidhura me remitancat dhe përfshirjen financiare. I pari konsiston në një proces vlerësimi të përputhshmërisë me “Parimet e përgjithshme për shërbimet e remitancave ndërkombëtare”, të hartuara nga Banka Botërore dhe Banka për Rregullime Ndërkombëtare, dhe në një plan veprimi konkret, me shumë aktorë të përfshirë, për të përmbushur ato fusha ku ka ende nevojë për përmirësim.
Emigracioni shqiptar
Pas viteve ’90, fenomeni i emigracionit u bë i zakonshëm, ku mijëra shqiptarë u larguan në kërkim të një jete më të mirë dhe më pas filluan të dërgonin para drejt të afërmve në Shqipëri. Ndonëse pritej që ky fenomen të ishte ciklik (pas 20 vitesh lidhjet me shtetin mëmë fillojnë e dobësohen), rigjallërimi i emigracionit vitet e fundit (në 2015 kërkesat për azil të shqiptarëve në Be arritën në 66 mijë), ka bërë që remitancat të vijojnë të jenë të larta. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tri janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10 mijë. Sipas Censusit të fundit të INSTAT-it, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë 40% të atyre që banojnë në vend. Paratë e futura në ekonomi nga ky krah i fuqishëm pune vlerësohet të kenë mbajtur peshën kryesore të investimeve dhe zhvillimit. Sipas statistikave zyrtare vlerat më të larta në vend janë futur ndërmjet viteve 2006 dhe 2009 me mbi 1 miliard dollarë në vit. Rekordi është shënuar në vitin 2007 kur u futën 1.395 milion dollarë. Pas 2009 vjen rënia dhe pas vitit 2015 ka një rritje të lehtë të parave që vijnë nga emigrantët.
Ecuria e remitancave në vite dhe raporti me GDP në milion dollarë
1993 326 25.6
1995 385 15.8
2000 525 14.2
2005 990 12.2
2007 1.395 12.2
2010 924 7.7
2015 617 7.4
2016 662 7.3
Burimi BSH