Banka e Shqipërisë është pranuar zyrtarisht në kolegjet mbikqyrëse të bankave europiane.
Vendimi, i cili është marrë nga Autoriteti Bankar i Europës, përveçse certifikon besueshmërinë e kuadrit mbikqyrës në vend, i jep Bankës së Shqipërisë zë në vendimarrjen që ka të bëjë me mbikqyrjen e bankave europiane.
Sipas Bankës së Shqipërisë, pjesa më e rëndësishme e këtij vendimi ka lidhje me aksesin në informacion.
Bankat kryesore që janë në Shqipëri vijnë nga vendet e Bashkimit Europian.
Pranimi në Kolegjet e Mbikqyrjes i mundëson Bankës së Shqipërisë të ketë informacion të plotë mbi gjendjen e tyre financiare, jo vetëm për degën lokale, por edhe në rang grupi.
Pra të ketë akses në bilancet dhe pasqyrat e tyre financiare në çdo vend ku ato kanë aktivitet.
Kjo, sipas ekspertëve të bankës, e bën sistemin financiar më të sigurtë.