Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Ndikimi i borxhit publik shqiptar në rritjen ekonomike

$
0
0

Nga Dr. Mateo Spaho dhe Dr. Ermela Kripa

Në Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (RPSSH), e aprovuar nga Kuvendi Popullor më 28 Dhjetor 1976, shprehej qartë se nuk lejohej që qeveria të merrte asnjë lloj forme të borxhit publik, sidomos borxh të huaj. Borxhi i huaj konsiderohej si një instrument i hollë skllavërimi, kolonizimi ekonomik e më pas pushtimi ushtarak nga vendet kapitaliste. Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, vendi u detyrua të merrte borxhe, duke filluar nga organizatat ndërkombëtare dhe nga vendet fqinje më të zhvilluara. Borxhi publik ishte i nevojshëm për ndërtimin e institucioneve dhe strukturave të reja demokratike si dhe për fillimin e investimeve publike. Deri në vitin 1996 Borxhi Publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto nuk ishte shqetësues, pasi kapte nivelin e 33,6%. Pas trazirave të vitit 1997, qeveria e re shqiptare u detyrua të kontraktonte Borxh Publik shtesë për të ndërtuar nga e para strukturat qeverisëse dhe institucionet e vendit.

Nga viti 1998 fillon analiza jonë për t’u përmbyllur në vitin 2014, duke marrë parasysh edhe Buxhetin e fundit të Shtetit, i cili është ende në fazë zbatimi. Shifrat e mëposhtme do të analizohen në fokusin e një “Golden rule” të përbërë nga tri kushte, dy nga të cilat ishin vendosur në Traktatin e Maastricht në vitin 1992 për vendet që donin të krijonin monedhën e përbashkët “Euro” dhe i fundit ishte një rregull i përpunuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe i pranuar gjerësisht në botën ekonomike..

Këto kushte janë:

Raporti Borxh Publik/Prodhim i Brendshëm Bruto nuk duhet të tejkalojë masën 60%;

Raporti Deficit/Prodhim i Brendshëm Bruto nuk duhet të tejkalojë masën 3%.

Është i lejueshëm një Deficit edhe më i lartë se 3% në rastin se ai është prapëseprapë më i reduktuar në krahasim me shpenzimet kapitale të po të njëjtit vit. Në raste të tjera merret parasysh edhe shërbimi i Borxhit, por në këtë analizë ky element nuk do konsiderohet.

Kushtet e lartpërmendura do të konsiderohen si “praktika të mira” për t’u marrë parasysh. Gjithashtu, do të analizohen të dhënat me anë të një Regresioni midis Borxhit Publik dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto. A është e vërtetë se Borxhi Publik i Shqipërisë është përdorur në mënyrën e duhur? Borxhi ka stimuluar rritjen ekonomike apo është përdorur për pagesën e shpenzimeve korrente, kur nuk është shpërdoruar?

Analiza e situatës së borxhit dhe rritjes ekonomike ndër vite në Shqipëri

Lidhja që ekziston ndërmjet borxhit publik dhe rritjes ekonomike është një çështje e debatuar gjerësisht. Literatura mbi këto dy madhësi ndahet në dy rryma kryesore: teoria Rikardiane e cila mbështetet fort nga Barro (Barro R. 1974), e cila mohon efektet në periudhë afatgjatë ndërmjet këtyre dy madhësive; teoria tjetër e cila e mbështet lidhjen që ekziston ndërmjet këtyre dy madhësive është ajo konvencionale. Sipas së cilës ekziston një lidhje ndërmjet borxhit publik dhe rritjes ekonomike të një vendi për shkak të akumulimit të kapitalit. Qëllimi i këtij punimi është të tregojë lidhjen që ekziston ndërmjet borxhit publik dhe rritjes ekonomike në Shqipëri, duke analizuar të dhënat ndër vite dhe të nxjerrë në pah se cilët janë ata faktorë që kanë ndikuar ose jo në rritjen ekonomike.

Të dhënat janë marrë nga Kuadri Makro-Fiskal i Ministrisë së Financave. Kemi llogaritur 17 diferencat vjetore të Borxhit Publik dhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto me një lag ose një vonesë. Variabla e pavarur është Borxhi publik ndërsa ajo dipendente PBB për arsye se objektivi është të demonstrojmë nëse Borxhi Publik ka stimuluar rritjen ekonomike. Analiza është kryer me programin SPSS.

Tabela e mëposhtme (1) tregon rritjen vjetore të PBB në vlerë nominale dhe rritjen nominale të Borxhit Publik çdo vit. Norma e mbulimit tregon në përqindje sasinë e borxhit të ri në krahasim me vlerën e re të krijuar nga ekonomia. Mundet të shohim se një norme mbulimi vjetore e duhur, e cila do ta mbante Shqipërinë jashtë risqeve të shtuara në kohë krize do të ishte 60%. Nuk bëhet fjalë këtu për normën e përgjithshme por vetëm për atë vjetore, e cila nëse tejkalon masën 60%, tregon rritjen e Borxhit Publik ndaj PBB. Kjo masë, siç vërehet edhe në Grafikun 1,është më e madhe se 60% në 11 nga 17 vitet e analizuara. Ky element tregon se për 11 vjet në Shqipëri Borxhi Publik është rritur ndërsa për 6 vitet e tjera është zbutur. Të dhënat më pozitive i referohen vitit 2007 kur për 100 lekë shtesë të prodhuara nga ekonomia shqiptare, qeveria e kohës ka marrë borxh vetëm 26,1 lekë. Rekordi më negativ i referohet vitit 2013 ku për 100 lekë shtesë të prodhuara nga ekonomia dy qeveritë kanë marrë gati 402 lekë borxh shtesë. Për sa i përket raportit Borxh/PBB, ose kushti i parë i “Golden rule” mundet të shohim se tavani i 60% është thyer në 6 vite nga 17. Këto vite kanë qenë viti: 2000, 2002, 2011, 2012, 2013 si dhe viti 2014.

Raporti Deficit/PBB më pak se 3% nuk është respektuar asnjëherë në periudhën e analizuar. Në fakt ky kusht nuk mundet të ishte konsideruar aq i pazëvendësueshëm pasi vendet me rritje të lartë ekonomike, siç ishin vendet në zhvillim, dhe midis tyre edhe Shqipëria, mundet të kishim një rritje ekonomike me 8%, dhe një Deficit me 5% të PBB nuk mundet të përbënte problem. Për këtë arsye një tjetër tregues i mirë për të kuptuar natyrën e “mirë” ose të “keqe” të Borxhit  do të ishte raporti midis Shpenzimeve Kapitale (shpenzime që qeveria kryen për infrastrukturën dhe zhvillimin e vendit) dhe Deficitit ose thënë ndryshe me vija të gjera, Borxhi i ri i kontraktuar.

Në rastin kur Norma e mbulimit do të jetë më e vogël se 100, kjo do të thotë se “Borxhi është i mirë” ose thënë ndryshe Shpenzimet Kapitale janë më të mëdha se Deficiti dhe si pasojë, në rast emergjence qeveria mundet të reduktojë Shpenzimet duke zeruar Deficitin. Qeveria në këtë rast nuk ka nevojë për Borxh për të mbajtur strukturat e shtetit, por e përdor atë vetëm për arsye investimi. Natyrisht, presupozohet se ky impuls ndaj ekonomisë do të japë si rezultat një rritje ekonomike më të theksuar ose një zbutje të një recesioni të mundshëm. Sipas këtij treguesi Borxhi Publik i Shqipërisë ka qenë i “mirë” apo i “keq”?  Nga të dhënat e disponuara, të cilat mundet të vështrohen edhe në Grafikun 3, mund të shohim se Deficiti ka qenë në të njëjtin nivel ose më i lartë se Shpenzimet Kapitale në vitet 1998, 1999, 2000, 2002, 2003, 2013 dhe është parashikuar që edhe për vitin 2014 deficiti të jetë 36,3% më i lartë se Shpenzimet Kapitale. Treguesi ka qenë pozitiv për vitin 2001 dhe për të gjithë harkun kohor 2005-2012. Viti më i mirë për shtetin shqiptar sipas këtij treguesi ka qenë viti 2010, ku jo vetëm Shpenzimet Korrente janë paguar tërësisht me të ardhurat nga taksat dhe tatimet por edhe 43,7% të Shpenzimeve Kapitale janë kryer pa marrë Borxh.

Sipas këtij kushti, në 7 vite deficiti ka qenë më i lartë se Shpenzimet kapitale ndërsa për 11 vitet e tjera (61% të kohës së analizuar) Shpenzimet Kapitale kane qenë më të mëdha se Deficiti.

Grafiku 3. Dallimi i “Borxhit te mire” nga “Borxhi i keq”

 

Analiza e gjetjeve

Në vijim do të shohim, me anë të regresionit, nëse investimet në vepra publike të kryera nga ana e shtetit, kanë dhënë, pas një viti (koha minimale për t’u ndërtuar vepra) efekt në rritjen ekonomike, pra nëse shpenzimet kapitale kanë stimuluar rritjen e PBB. Duke marrë parasysh se janë të shumta variablat që ndikojnë mbi rritjen ekonomike nuk mundet të presim një lidhje tepër të fortë (R=0.9), por një lidhje mesatare (0.4<R<0,5) do të ishte ajo e duhura për të vërtetuar efektin e Shpenzimeve Kapitale mbi rritjen ekonomike.

Cili është rezultati? Nga Regresioni i zbatuar me anë të programit SPSS lidhja midis variableve është më pak se 15% ndërsa R^2  tregon se dy variablat janë praktikisht të palidhura (2%) ose të pavarura nga njëra-tjetra. Nga kjo analizë mundet të themi se nuk është e vërtetë në rastin e Shqipërisë se Borxhi Publik i përdorur për Shpenzime Kapitale, stimulon rritjen ekonomike.

Nga të dhënat e statistikave deskriptive mundet të shohim se në 16 vitet e fundit Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me 63 miliardë lekë në vit ndërsa Borxhi Publik me rreth 49 miliardë lekë në vit.

Si mundet të jetë e mundur që Borxhi Publik i përdorur për Shpenzime Kapitale të mos ketë dhënë efekte në rritjen ekonomike?

Shpenzimet e qeverisë për infrastrukturën publike, arsimin dhe përkujdesjen shëndetësore mund të sigurojë një bazë të mirë ekonomike për rritje. Teoria endogjene e rritjes ka treguar se shpenzimet qeveritare produktive mund të nxisin rritjen ekonomike në një kohë afatgjatë. Megjithatë, strategjia më e përshtatshme për të financuar shpenzime të tilla të qeverisë mund të varen nga vendi në vend, sipas A.L. Christie dhe F.K. Rioja (2012).

Sipas Easterly, Irwin, dhe Servén (2007), strategjia e duhur në shpenzimet kapitale duhet të jetë
e prerë për secilin vend e duhet të ndryshojë në të gjitha vendet, në varësi të vëllimit të të ardhurave të tyre, nga niveli i shpenzimeve dhe përbërja e tyre, varet nga niveli i borxhit publik dhe privat, nga cilësia e institucioneve, si dhe nga një shumëllojshmëri faktorësh të tjerë specifikë. Për këtë arsye, efektet ekonomike të investimeve në infrastrukturën publike mund të varet nga fakti se si se investimi është financuar, nga madhësia e borxhit ekzistues në vend, si dhe nga niveli ekzistues i tatimeve të ndryshme.

***

Ekzistojnë pra faktorë të ndryshëm të cilët kushtëzojnë dhe komprometojnë vlefshmërinë e teorisë se Borxhi i marrë për të financuar shpenzimet kapitale është “Borxh i mirë”, për sa i përket Shqipërisë faktorët që tregojnë mungesën e efikasitetit të investimeve publike në rritjen ekonomike mundet të listohen në këtë mënyrë:

-Abuzimet e kryera me investimet publike dhe shpenzimet e paqarta ulin vlerën dhe cilësinë e veprave publike. Përfitimi i komunitetit dhe ekonomia do të ulet në këtë mënyrë, sidomos në një hark kohor afatmesëm.

-Rezultati pozitiv i veprave infrastrukturore (porte rrugë, aeroporte, kanale vaditjeje) shpaloset atëherë kur investimi dorëzohet i përfunduar.  Mospërfundimi i punës ose përfundimi i pjesshëm i veprës mund të komprometojë efektin pozitiv të saj.

-Ndërtimi i segmenteve rrugore të përfunduara por të pjesshme redukton ndjeshëm efektet pozitive. Shembull: Për një kamion që duhet të kalojë nga Elbasani në Korçë, rruga e re Korçë-Qafë Plloçë përshpejton udhëtimin e tij por degradimi i segmentit Lin-Pogradec e ngadalëson atë duke mos lejuar fitim mbi Kohën ose zgjatjen e jetëgjatësisë së automjetit.

-Mungojnë investimet në infrastrukturën lidhëse. Shembull: Mundet të udhëtojmë nga Elbasani për në Tiranë në 30 minuta por mundet të na duhet 45 minuta për të kaluar nga Fakulteti ekonomik shtetëror te Zogu i Zi. Mungesa e infrastrukturës lidhëse (Unaza e Madhe e qytetit) anulon avantazhet kohore të ardhjes nga Elbasani.

-Duhen përzgjedhur investimet në mënyrë strategjike, duke matur fizibilitetin ekonomik të veprave dhe benefitet që do t’i sillnin komunitetit, duke mos shpërndarë fonde për arsye elektorale. Shembull: efekti ekonomik pozitiv reduktohet nëse drejtohet rruga Sinjë-Berat, por rruga Berat–Lushnjë do të ishte në gjendje të amortizuar. Produktet e zonës së Sinjës nuk do të shkonin përtej Beratit.

-Shpenzimet kapitale duhen kryer në mënyrë të integruar, nuk duhet të ndërtohen vetëm rrugë por edhe kanalizime, kanale vaditëse, qendra grumbullimi dhe prodhimi të produkteve bujqësore, në kuadër të një planifikimi dhe kontrolli të përgjithshëm të territorit.

-Ndërtimi dhe fuqizimi i pikave të hyrje-daljes nga vendi si porte dhe aeroporte, stacione hekurudhore për mallra dhe krijimi i hapësirave logjistike.

-Lëndët e para dhe ekspertiza e përdorur në ndërtimin e veprave publike duhet të merren në masë të madhe Brenda vendit, duke vënë në lëvizje faktorët prodhues dhe kapitalin human që vendi ka në dispozicion.

*Kumtesë e mbajtur gjatë Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare”, organizuar nga UET

 

Autorët

Ermela Kripa ka kryer studimet e Nivelit të Parë dhe të Dytë, përkatësisht në degët Ekonomi, Institucione e Financë dhe Financë e Menaxhim risku,  pranë Universitetit “Roma Tre”, në Itali. Që nga janari i vitit 2014 ka marrë gradën “Doktore e Shkencave” pranë Universitetit të Tiranës. Që nga tetori i vitit 2008 e deri më sot znj. Ermela Kripa punon si pedagoge e brendshme në departamentin Financë-Bankë pranë fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës.

 

Mateo Spaho ka kryer studimit e Nivelit të Parë dhe të Dytë, përkatësisht në degët Ekonomi dhe Financë  e Menaxhim risku,  pranë Universitetit të “Parmës”, në Itali. Që nga Marsi  i vitit 2014 ka marrë gradën “Doktor i Shkencave” pranë Universitetit të Parmës. Që nga tetori i vitit 2010 e deri në mars 2014 ka punuar pranë Ministrisë së Financës dhe si Pedagog i jashtëm në Universitete të ndryshme. 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Latest Images