Edhe pse varfëria në rajonin e Ballkanit perëndimor është ulur, Banka Botërore thotë se vendet në këtë rajon janë të ekspozuara ndaj fatkeqësitë natyrore.
Kjo bën që varfëria të rritet, duke qenë se shtresat e dala nga kufijtë e varfërisë janë më të ekspozuara ndaj dukurive ekstreme të natyrës, informon “Tv Klan”.
Në raportin e publikuar së fundi, “Rigjallërimi i rritjes ekonomike”, Banka Botërore merr në analizë rastin e Serbisë, ku thotë se përmbytjet në vitin 2014, rritën varfërinë me 1.7 pikë përqindje.
Të gjitha vendet Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë dhe Shqipëria, janë të ndjeshme nga goditjet e klimës.
“Nxehtësia, thatësira dhe përmbytjet ulin prodhimin bujqësor, efiçencën e sektorit energjetik dhe mirëqenien e njerëzve në këto shtete. Impaktet që japin këto dukuri, sipas të dhënave, prekin më shumë shtresat vunerable të popullatës”,- thotë Banka.
Banka Botërore thotë se edhe shpenzimet për shëndetësi kanë zhytur në varfëri 4.5% të popullsisë shqiptare, duke zënë nivelin më të lartë në rajon e Europë.
Vendi ynë dhe Kosova janë dy shtetet të cilat kanë edhe shpenzimet më të larta “jashtë xhepit” për sektorin e shëndetësisë. Në këtë treg raporti e rendit Shqipërinë si një nga vendet që ka edhe informalitetin më të lartë në tregun e punës, i cili varion mes nivelit 40 dhe 60%.