Nga Elona Shehu dhe Mimoza Kaçi
Shqipëria ka një industri financiare pak të zhvilluar e kufizuar kryesisht tek industria e bankingut. Situata financiare po i gëlltit bankat tregtare në një rreth vicioz. Gjatë dekadës së fundit, risku i kredibilitetit ose i njohur në terminologjinë financiare, kredit risk është rritur së tepërmi, gjë që ka kontribuar në rritjen e kredive me probleme në vend. Për pasojë bilancet e bankave janë ‘pasuruar’ me asete toksike. Qëllimi i këtij punimi, është shtrimi i alternativës së duhur për menaxhimin e këtyre aseteve toksike, në mënyrë që të mos cenohet kredibiliteti financiar i bankave. Në këtë kuadër pyetja që shtrohet është, a duhet të konsiderohet ristrukturimi i sistemit bankar? Në vijim, punimi përcakton nëse ky ristrukturim duhet orientuar në kuadër të centralizimit apo decentralizimit. Në kuadër të ristrukturimit, shtrohet mundësia e ndarjes së bankave në dy grupe, banka të mira dhe banka jo të mira (të këqija). Qëllimi është që asetet toksike të trajtuara më sipër të kalojnë nën menaxhimin e ‘bankës së keqe’, duke pastruar në këtë mënyrë bilancin e ‘bankës së mirë’. Ndërkohë që bankat e mira reduktojnë riskun dhe menaxhojnë kryesisht portofolin e depozitave dhe kredive të shëndosha. Ky model i propozuar, do të përmirësonte kredibilitetin e sistemit bankar, si edhe do të rriste mundësinë për një financim të shëndetshëm të bankave. Në kontekstin e kësaj skeme financimi, në këtë punim propozohet krijimi i një fondi garancie i cili do të monitorojë skemën e menaxhimit të aseteve toksike. Ky punim, në qendër të të cilit qëndron platforma për ndarjen e bankave në dy grupe, ka një kontribut të rëndësishëm në rrethin e akademikëve të rinj, specialistëve të tregjeve financiare dhe kërkuesve shkencorë, pasi hap një shteg të ri në fushën e kërkimeve shkencore.
***
Kriza globale e vitit 2008, ngriti debate të shumta mbi “shëndetin financiar” të bankave. Në këtë kontekst shumë ekonomistë filluan të diskutojnë mbi platforma të mundshme për të rikapitalizuar sektorin bankar. Në vendin tonë, sistemi financiar e gjen veten të kufizuar kryesisht brenda industrisë së bankingut. Bankat tregtare në vendin tonë, gjatë dekadës së fundit kanë hasur vështirësi të shumta në aspektin e kreditimit. Nevoja e vazhdueshme për financim dhe dhënia pa kriter e kredive për të konkurruar tregun, po e drejton sektorin bankar drejt një rrethi vicioz.
Sipas Caprio dhe Klingebiel (1997) problemet ne sistemin bankar, mund të shkatërrojnë resurset financiare, institucionale dhe politike të një vendi; për këtë arsye, duhen marrë masa ristrukturuese në suport të sistemit financiar. Në këtë kontekst shtrohet nevoja për ndërtimin e një strukture të re financiare, bazuar në rikapitalizimin e portofolit të bankave. Ky rikapitalizim, propozohet të bëhet me anë të ndarjes së bankave në dy grupe: banka të mira dhe banka të këqija.
Kur flasim për “bankë të keqe”, në fakt, i referohemi bankës që nxjerr sistemin nga ngërçi i kredive me probleme. Në këtë kuadër, një bankë e keqe është një bankë që mban asetet toksike në portofolin e saj, duke lejuar bankat e tjera të ‘pastrohen’ nga këto asete dhe të bëhen në këtë mënyrë banka të mira.
Ky problem materializohet në dy modele të ndryshme: njëra i referohet rastit kur një bankë ‘në telashe’ ndahet në një bankë të mirë dhe një bankë të keqe dhe tjetra është rasti që qeveria krijon një bankë toksike të madhe në të cilën bankat me probleme shkarkojnë asetet e tyre toksike. Bankat toksike krijohen për të marrë asetet riskoze nga bankat e mira. Në këtë mënyrë sistemi bankar përmirëson kapacitetin financiar dhe bëhet më konkurrues në tregun bankar. Punimi ngre një diskutim vertikal nëse duhet të konsiderohet ristrukturimi i sistemit bankar? Lind pyetja përse duhen bankat e këqija dhe a e ndihmojnë këto sistemin financiar në të vërtetë?
Asetet toksike shkojnë në bilancet e atyre që u lakuan si “banka të këqija”; këto të fundit duke marrë në portofolin e tyre asete të tilla, duken më të forta në treg, pasi ekziston perceptimi se ato janë në gjendje t’i menaxhojnë këto asete, dhe bëhen në këtë formë “shpëtueset” e sistemit bankar. Nga ana tjetër, këto banka menaxhojnë portofolin e tyre toksik duke krijuar letra me vlerë të tregueshme mbi këto asete me risk të lartë, e për pasojë edhe me kthim të lartë. Përveçse hapet një shteg drejt zhvillimit të tregut financiar, rritet kredibiliteti i i klientëve në bankat e mira dhe ulet mundësia për panik bankar, i cili përbën shkakun kryesor të falimentimit të bankave.
Në aspektin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare ky model ristrukturimi propozon ngritjen e një agjencie shtetërore ose fond garancie me financim publik me qëllim kontrollin e sasisë së riskut që marrin bankat e mira, dhe të financojë kur është e nevojshme bankat e këqija. Ky fond garancie duhet të marrë përsipër edhe kostot financiare të ndërtimit të skemës në fjalë.
Në vijim të punimit trajtohet mundësia e strukturimit të sistemit bankar dhe domosdoshmëria e rikapitalizimit të bankave. Më tej diskutohet nëse ky ristrukturim do të jetë në kuadër të centralizimit apo decentralizimit. Në fund punimi konkludon në mënyrë të përmbledhur se çfarë i duhet propozuar sistemit bankar shqiptar në kuadër të ristrukturimit.
***
Caprio dhe Klingebiel (1997), gjykojnë se si pasojë e menaxhimit të keq bankar, lind domosdoshmëria e krijimit të një strukture të re të tregut financiar. Në rastin e Shqipërisë, kjo strukturë do të rigjeneronte sistemin dhe konsolidonte asetet e bankave. Referuar Faucette, Hart, Bruno, Cunningham, Loegering dhe Carpenter (2009), në mënyrë që sistemi financiar të pastrohet nga asete “toksike”, duhen krijuar të ashtuquajturat “Bankat e Këqija”, të cilat do të blejnë asetet problematike, duke risjellë likuiditetin në tregjet e kapitaleve.
Ristrukturimi, në kuadër të ndarjes së bankave është eksperimentuar që në vitin 1989. Sipas Schäfer dhe Zimmermann (2009) në fundin e vitit 1980, më shumë se 1000 institucione kreditimi dhe depozitimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ‘kërcënuan’ nga paaftësia paguese. Për pasojë në 1989 u themelua një “bankë e keqe” me financim qeveritar dhe privat, e cila operoi deri në 1995. Më tej, suksesi i platformës vijon për Suedinë në vitin 1990 dhe në vitin 2006 me Gjermaninë.
Një tjetër eksperiencë e mirë vjen nga sistemi bankar i Britanisë së Madhe. Suksesi i këtij ristrukturimi në Britani qëndroi në kontrollin e fortë, menaxhimin dhe qeverisjen e mirë. Ata krijuan një komitet i cili raportonte rregullisht te bordi qendror i bankës.
Në mënyrë që kjo skemë të funksionojë mirë, shihet i domosdoshëm angazhimi i qeverisë. Schäfer et.al. (2009) analizojnë sistemin bankar gjerman dhe mundësinë e tij për rikapitalizim. Sipas tyre qeveria duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e menaxhimit të kësaj skeme, duke marrë mbi vete kostot e bankave të këqija dhe duke përfituar aksione në bankat e mira.
Në vijim, të diskutimin shtrohet çështja nëse kjo skemë duhet ndërtuar mbi bazën e centralizimit apo decentralizimit. Referuar Schäfer et.al (2009) ky plan funksionon pavarësisht strukturave të centralizuara apo të decentralizuara; pra edhe kur qeveria drejton një bankë të keqe të centralizuar, edhe kur lejon decentralizimin sipas të cilit secili institut bankar krijon bankën e vet të keqe. Ky i fundit është rasti tipik i Britanisë së Madhe.
Holmberg, Sjogren dhe Hellstrom (2012) në studimin e tyre mbi centralizimin dhe decentralizimin e sistemit bankar, konstatojnë se—në kuadër të eficiencës së kostove të borxhit—bankat e decentralizuara gjenerojnë më shumë fonde për huadhënie dhe kanë risqe më të ulëta. Nga ana tjetër ata theksojnë se bankingu i centralizuar është më efektiv për sa i përket targetimit të klientëve dhe reduktimit të riskut. Në vijim, Canales dhe Nanda (2010), konkludojnë në studimin e tyre se bankat e decentralizuara janë më të përgjegjshme ndaj konkurrencës. Po ashtu, sipas Neuberger (1959)—në studimin e tij mbi rastin e bankingut jugosllav—centralizimi i sistemit bankar ngre pikëpyetje të mëdha mbi efektivitetin e kontrollit.
Bejan (2011) cilëson dy teori të mendimit ekonomik që mbështesin përkatësisht centralizimin dhe decentralizimin: Shkolla Keynesiane dhe Shkolla e Bankingut të Lirë. Në këtë kontekst ka vend për diskutim se cilin model duhet të ndjekë kjo reformë në Shqipëri. Edhe pse Schäfer et.al (2009) shprehet se ky model i shkon çdo vendi, eksperienca ka treguar të kundërtën.
Për implementimin e kësaj skeme, sistemi bankar dhe qeveritar në Shqipëri duhet të përballet me disa sfida në lidhje me zbatueshmërinë, menaxhimin, transparencën etj. Schäfer et.al (2009) thekson tri sfida kryesore të kësaj reforme: transparenca e eliminimit të aseteve toksike, mbajtja minimale e kostove të taksapaguesve dhe eliminimi i rrezikut moral.
Një nga disavantazhet dhe sfidat kryesore të pranuara të këtij modeli është risku i “moral hazard”. Duke qenë se bankat e mira do ua shesin asetet toksike bankave të këqija, ato do të shpërblehen me çmimin e shitjes. Por nga ana tjetër, bankat e këqija nuk do të jenë të gatshme të paguajnë shuma të mëdha për disa asete me risk shumë të lartë. Për këtë arsye bankat e këqija, duhet të ofrojnë një çmim të tillë që të mos i favorizojë bankat e mira të marrin risk të tepruar në portofolat e tyre. Schäfer et.al (2009) thekson se problematika themelore e një platforme të tillë është vlerësimi i aseteve toksike në mënyrë të tillë që të eliminojë rrezikun moral.
Po ashtu, Schäfer et.al (2009) parashtron dy pengesa apo disavantazhe të tjera; së pari, ngritja e një strukture të tillë kërkon një kapital të madh fillestar dhe së dyti, në fund të jetës së bankës së keqe mund të ketë humbje të konsiderueshme. Për këtë arsye, modeli paraqet në vetvete një sfidë të madhe dhe që modeli të funksionojë mirë, duhet krijuar një ndarje e qartë midis aseteve të mira dhe atyre toksike.
Avantazhi kryesor i këtij ristrukturimi qëndron në shndërrimin e asetit toksik në aset të shëndoshë përmes futjes në sistem të bankave të këqija. Ky model për ristrukturimin e sistemit bankar—i cili i referohet rikapitalizimit të portofolit të bankave—rrit sigurinë e investitorëve në sistemin bankar, redukton riskun dhe ul levën financiare.
***
Schäfer et.al (2009) thekson se ky plan i krijimit të bankës së keqe i studiuar për Gjermaninë mund të funksionojë për çdo vend. Pra, sipas tyre është gjetur modeli që i përshtatet çdo vendi. Por implementimi i këtij modeli në vendin tonë kërkon vëmendje më të lartë në vlerësimin e aseteve, kjo për arsye të shkallës së informalitetit dhe mungesës së transparencës. Po ashtu, fondi i garancisë—i financuar nga qeveria— duhet të jetë i gatshëm të financojë skemën dhe të rikapitalizojë bankat e rrezikuara nëpërmjet blerjes së aksioneve. Skema kërkon pjesëmarrjen e të gjithë bankave që operojnë në vendin tonë.
Implementimi i kësaj ndarjeje kërkon njëkohësisht ndërtimin e një sistemi të ri të tregut financiar në Shqipëri. Realizimi korrekt i kësaj reforme rikapitalizimi, do të nxirrte sistemin bankar nga vorbulla e kredive me probleme dhe do të pastronte tërësisht asetet e tyre, duke rritur kështu mirëqenien ekonomike në vend.
(Kumtesë e mbajtur gjatë Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Ditët e Studimeve Shqiptare” organizuar nga UET)
Shënim:
Elona Shehu është e angazhuar në statusin e asistent pedagoges në Universitetin Europian të Tiranës, në të cilin vazhdon njëkohësisht studimet doktorale në fushën e financës dhe tregjeve financiare.
Mimoza Kaçi është lektore pranë Universitetit Europian të Tiranës. Doktorante në Universitetin e Tiranës.