Çmimi i naftës pritet të shkojë deri në 20$ për fuçi duke njohur kështu një kuotë që nuk është dëgjuar kurrë më parë.
Paralajmërimi vjen nga analistët e Goldman Sachs, të cilët nëpërmjet një raporti shpjegojnë edhe arsyet pse pritet të ndodhë diçka e tillë.
Në të thuhet:“Tregu i hidrokarbureve është i tejngopur krahasuar me atë çfarë prisnim të ishte dhe parashikimit për një rritje të prodhimit nga vendet e OPEC-ut e kërkesës gjithnjë e në rënie nga përdoruesit e saj përfshi këtu edhe tregun kinez dhe ekonominë e dobët që po përballet ai, na detyrojnë të ndryshojmë qëndrim.
Duke pasur parasysh këto të dhëna mund të themi që gjatë vitit 2016 çmimi do të bjerë gjithnjë e më shumë duke arritur nivelin e 20$ për fuçi”.
Çmimi i naftës ka qënë vërtet i trazuar këto kohë kur në fillim të vitit një fuçi shitej për 45$ dhe filloi të rritej duke kapur kuotat e gati 60$ për fuçi.
Kjo në fakt i gëzoi tregtuesit e naftës por mbiprodhimi dhe reagimi i tregjeve solli një ulje sërish të saj kur të premten në tregun amerikan shitja e një fuçie nafte kapi vlerën e 45.12$.
Por pavarësisht nga kjo situatë në Shqipëri ulja drastike e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare nuk po jep asnjë efekt pozitiv.
Tregu me pozita oligopol i cili dominohet nga disa kompani grosiste vazhdon të mbajë çmime të larta në shitjen me pakicë, nga 175-180 lekë litri.
Kjo ndikohet edhe nga taksat e larta që rëndojnë mbi çdo litër naftë të vendosura nga qeveria, në një kohë që e gjitha peshon në xhepat e konsumatorëve dhe në ritmin e ekonomisë së vendit.