Investimet e huaja direkte u rritën me 36% në 3-mujorin e dytë të vitit, duke arritur në 198 mln euro nga 145 mln që ishin në të njëtën periudhë të vitit 2014.
Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, ky është 3-mujori i dytë me radhë që investimet e kompanive të huaja në ekonominë shqiptare shënojnë rritje të fortë në rend dyshifror.
Banka e Shqipërisë thotë se, prurjet më të mëdha në formën e investimeve direkte në Shqipëri vijnë nga sektori i hidrokarbureve.
Sipas të dhënave, në gjysmën e parë të vitit investimet në këtë sektor ishin rreth 226 mln euro ose sa 47% e totalit.
Në vend të dytë vjen sektori bankar dhe ai i telekomunikacionit, që përfaqësojnë përkatësisht 10 dhe 3% të flukseve hyrëse të investimeve që vijnë nga jashtë.
Sipas Bankës edhe dërgesat e emigrantëve shënuan rritje dyshifrore me 17.6% krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar.
Për periudhën prill-qershor dërgesat e emigrantëve ishin 162.5 mln euro nga 138.1 mln që ishin një vit më parë.
Në total si 6-mujor, të ardhurat që emigrantët kanë dërguar pranë familjeve të tyre ishin 305 mln euro, ose rreth 48.5 mln euro më shumë se gjysma e parë e vitit të kaluar.