Kërkesa në rënie është regjistruar si për bizneset e vogla, ashtu edhe për korporatat e mëdha. Pritjet për kërkesën në tremujorin e tretë janë pesimiste dhe bankat nuk presin rritje të mundshme të saj.
Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues evidentojnë një lehtësim të standardeve të kredidhënies për bizneset dhe për individët, në tremujorin e dytë të vitit 2015, sipas Bankës së Shqipërisë. Për bizneset, standardet rezultuan të lehtësuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me qëllim financimin e investimeve dhe të kapitalit qarkullues. Standardet e aplikuara për kreditë dhënë korporatave mbetën të pandryshuara nga një tremujor më parë. Për kreditë dhënë individëve, standardet u lehtësuan si për kreditë me qëllim blerjen e banesës, ashtu dhe për atë me qëllim financimin e konsumit.
Ecuria e standardeve të kredidhënies për bizneset dhe individët u ndikua pozitivisht nga gjendja e likuiditetit të bankave, mjaftueshmëria e kapitalit, konkurrenca në tregun bankar, si dhe nga vendimet e marra nga Banka e Shqipërisë. Kreditë me probleme përfaqësojnë një faktor me kontribut negativ në ecurinë e standardeve të kredidhënies për individë dhe biznese.
Politika lehtësuese e kredidhënies u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar dhe rritjes së maturitetit maksimal të kredisë.
Kërkesa për kredi e bizneseve u vlerësua në rënie, ndërsa e individëve në rritje gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015. Rënia e kërkesës së bizneseve u ndje në madhësi të njëjtë si për ndërmarrjet e vogla e të mesme, ashtu edhe për korporatat e mëdha. Në të kundërt, kërkesa e individëve rezultoi ndjeshëm e përmirësuar, si për blerje banese, ashtu dhe për financimin e konsumit.
Pritjet për standardet e kredidhënies për bizneset dhe individët paraqiten pozitive dhe në kahun lehtësues për tremujorin e tretë të vitit 2015. Pritjet për kërkesën për kredi janë më pak optimiste. Ekspertët bankarë presin zhvillime pozitive në kërkesën e individëve për kredi, por vijojnë të presin një kërkesë të ulët nga ana e bizneseve gjatë tremujorit në vazhdim.
Kredia për bizneset
Standardet e kredisë. Standardet e kredisë për biznese u lehtësuan në tremujorin e dytë të vitit 2015, pasi lëvizën në kahun shtrëngues gjatë dy tremujorëve të mëparshëm. Përqindja neto e përgjigjeve për lehtësim standardesh regjistroi vlerën 10.4% (dy tremujorët e parë, balanca neto shënoi vlerën -2.5 dhe -4.5%).
Lehtësimi i standardeve u regjistrua vetëm për kredinë dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), ndërsa standardet për kredinë dhënë korporatave të mëdha ngelën të pandryshuara. Sipas qëllimit të përdorimit, lehtësimi i standardeve për NVM-të u regjistrua si për kredinë e dhënë me qëllim financimin e kapitalit qarkullues, ashtu edhe për kredinë e dhënë me qëllim investimi. Lehtësimi i standardeve për NVM-të pritet të vijojë edhe në tremujorin e tretë të vitit. Bankat presin një lehtësim të lehtë të standardeve edhe për kredinë dhënë korporatave.
Faktorët që ndikuan lehtësimin e standardeve të bankave në tremujorin e dytë ishin: konkurrenca në tregun bankar, gjendja e likuiditetit të bankave, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe mjaftueshmëria e kapitalit të bankës. Faktorët që historikisht kanë dhënë ndikim në shtrëngimin e standardeve, problemet specifike të sektorit dhe kreditë me probleme, kanë ulur kontributin e tyre negativ në tremujorin e dytë. Gjithashtu, pas kontributit në kahun lehtësues në tremujorin e parë, situata makroekonomike vlerësohet të ketë kontribuar në kahun shtrëngues të standardeve në tremujorin aktual.
Termat dhe kushtet me të cilat bankat lehtësuan në praktikë standardet gjatë tremujorit të dytë ishin ngushtimi i marzhit mesatar, ulja e komisioneve dhe rritja e madhësisë dhe e maturitetit të kredisë. Kërkesa për kolateral ngeli pothuaj e pandryshuar, ndërsa marzhi për kreditë me rrezik vijoi të zgjerohet gjatë tremujorit të dytë.
Kërkesa për kredi. Bankat kanë vlerësuar në rënie kërkesën e bizneseve për kredi në tremujorin e dytë. Balanca neto e përgjigjeve ishte -4.9%. Kërkesa në rënie është regjistruar si për bizneset e vogla, ashtu edhe për korporatat e mëdha. Pritjet për kërkesën në tremujorin e tretë janë pesimiste dhe bankat nuk presin rritje të mundshme të saj.
Pavarësisht se bankat janë përballur me një kërkesë të dobët nga ana e bizneseve për kredi, ato vlerësojnë se nevoja për të financuar kapitalin qarkullues dhe investimet, mungesa e financimeve alternative, kushtet e kreditimit dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë janë të gjithë faktorë, që kanë vazhduar të ndikojnë pozitivisht kërkesën e bizneseve për kredi.
Kredia për individë
Standardet e kredisë. Standardet e kredisë për individët vlerësohet të jenë lehtësuar gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015. Përqindja neto e bankave që shprehet për lehtësim të standardeve rezultoi 7.7%. Politika lehtësuese e standardeve të kredidhënies për individë u aplikua si në kreditë për blerje banese, ashtu dhe për atë konsumatore (në një shkallë më të lartë për këtë të fundit). Balancat rezultuan përkatësisht 7.7 dhe 19.8%. Ekspertët bankarë presin që lehtësimi i standardeve për kreditë dhënë individëve të vijojë edhe në tremujorin e ardhshëm; si për kreditë për blerje banese dhe për ato për financimin e konsumit.
Faktorët që ndikuan në lehtësimin e standardeve të kredisë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015 ishin: niveli i konkurrencës në sektorin bankar, gjendja e likuiditetit, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe mjaftueshmëria e kapitalit të bankës. Gjendja e huave me probleme vijon të jetë një faktor ndikues në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies, megjithëse, në një shkallë shumë më të ulët, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Gjendja financiare e individëve vijoi të ndikojë pothuajse në të njëjtën masë, në kahun shtrëngues të standardeve, edhe përgjatë tremujorit të dytë të vitit 2015.
Kushtet e aplikuara në dhënien e kredive për individët rezultuan të lehtësuara në tremujorin e dytë të vitit 2015. Politika lehtësuese u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar, si dhe rritjes së maturitetit maksimal të kredisë. Ndryshe nga një tremujor më parë, u përdorën gjithashtu instrumente të tjera si rritja e madhësisë së kredisë dhe ulja e kërkesës për kolateral në raport me madhësinë e kredisë.
Kërkesa për kredi. Kërkesa për kredi e individëve vijoi të vlerësohet në rritje edhe në tremujorin e dytë të vitit 2015. Balanca neto shënoi vlerën 29.9%, nga rreth 2.8% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Kërkesa u vlerësua pozitivisht dhe në përmirësim të ndjeshëm për kreditë më qëllim financimin e konsumit (balanca neto 32.7%) dhe me qëllim financimin e blerjes së banesës (balanca neto 27.1%).
Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në ecurinë pozitive të kërkesës gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015 vijojnë të jenë: kushtet e kreditimit të aplikuara nga bankat, nevoja për financimin e konsumit dhe blerjes së banesës. Pozitivisht, por në një shkallë më të ulët, ndikuan edhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe përmirësimi i besimit konsumator. Përdorimi i burimeve alternative të financimit ishte faktori i vetëm me ndikim negativ në kërkesën për kredi të individëve.
Pritjet për aktivitetin kreditues sipas monedhës
Ekspertët e bankave presin rritje të aktivitetit kreditues, si në monedhën vendase dhe në valutë, gjatë tremujorit të ardhshëm. Normat e interesit pritet të vijojnë të jenë në kahun rënës përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2015./Monitor