Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

FMN ‘shuplakë’ Ramës: Koncesionet rrezikojnë ekonominë. Mos bashko tatimet me doganat!

$
0
0

Fondi Monetar Ndërkombëtar rriti parashikimin për ekonominë shqiptare gjatë vitit 2017, por ka paralajmëruar qeverinë për rreziqe të shtuara për financat e shtetit.

“Rritja ekonomike për këtë vit parashikohet 3.9% nga 3.7% që vlerësohej më parë, e mbështetur nga zgjerimi i shpejtë i turizmit dhe ndërtimit duke amortizuar pasojat negative të thatësirës në sektorin energjetik”,- thotë FMN.

Por ndonëse ka dakortësi mbi vlerësimet për ecurinë e ekonomisë, Fondi ka pasur debate të ndezura me qeverinë për rreziqet e financave publike. Çështja më e nxehtë është ajo e koncesioneve.

FMN i ka kërkuar qeverisë të regjistrojë si borxh detyrimet që rrjedhin nga koncesionet sipas praktikave që ndiqen në vendet e Bashkimit Europian.

“Plani ambicioz i qeverisë për PPP-të ngre rreziqe substanciale. Në kundërshtim me praktikat aktuale, efektet e koncesioneve në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të pasqyrohen në mënyrë transparente dhe sipas praktikave ndërkombëtare”,- vëren FMN.

Fondi nuk është kundër koncesioneve, por ka shprehur shqetësim për mënyrën sesi jepen kontratat koncesionare. Dy vitet e shkuara me këmbënguljen e saj, qeveria forcoi kuadrin ligjor për koncesionet, duke përcaktuar qartë hapat sesi përzgjidhen dhe vlerësohen projektet. Por, sipas Fondit, ky kuadër nuk po zbatohet plotësisht duke rritur rreziqet për financat e shtetit.

Sipas FMN kjo rrezikon të krijojë detyrime për buxhetin e shtetit në të ardhmen dhe përveçse do të ngushtojë hapësirën për investimet publike mund të vendosë në rrezik uljen e borxhit. Sipas vlerësimeve të FMN, nëse do regjistroheshin tërësisht, kontratat aktuale të koncesionit do e rrisnin borxhin publik me 7 pikë përqindje nga niveli aktual.

Por qeveria thotë se, buxheti është i mbrojtur pasi, pagesat që ajo bën për koncesionet në një vit janë të kufizuara me ligj jo më shumë se 5% e të ardhurave.

Struktura e re e qeverisë, FMN: Riorganizim i paqartë

Koncesionet nuk janë shqetësimi i vetëm i FMN. Një tjetër çështje ku ekspertët e Fondit kanë rezerva është riorganizimi i qeverisë dhe institucioneve publike.

Sipas FMN, edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve ende nuk ka një plan të qartë sesi do të formatohet sektori dhe administrata publike.

FMN druhet se kjo paqartësi por edhe riorganizimi në vetvete mund të dobësojnë punën e institucioneve. Rasti ku Fondi ka rezervat më të mëdha është bashkimi i tatimeve me doganat.

Misioni i FMN është shprehur kundër këtij ndryshimi, pasi druhet se kjo mund të cenojë mbledhjen e të ardhurave në buxhet, çka mund të krijonte të tjera vështirësi për financat publike./tch/


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663