Tatimet kërkojnë bllokimin e llogarive bankare të njësive vendore pasi nuk kanë paguar sigurimet e punonjësve. 9 nga 61 bashkitë e reja janë kualifikuar borxhlinj të këqij.
Për 13 nga 61 njësitë e reja vendore të krijuara me reformën territoriale problemet e mospagesave të sigurimeve të punonjësve janë një kërcënim deri në faliment financiar. Edhe pse u synua që me krijimin e njësive më të mëdha t’i jepej fund keqadministrimit financiar, kjo nuk ka ndodhur gjatë këtyre dy viteve me bashkitë e reja.
Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve i ka klasifikuar 13 bashki të vendit, ose 21 për qind e totalit të bashkive si borxhlinj të këqij ndaj të cilave do të nisë arkëtimi i detyrimeve me forcë. Sipas të dhënave të tatimeve, 9 nga këto bashki janë kualifikuar si borxhlinj të këqij pas hyrjes në fuqi të reformës territoriale.
Detyrimet
Bashkitë e kanë krijuar detyrimin e papaguar në tatime kryesisht me mospagesat e sigurimeve shoqërore të stafit e punonjësve. Sjellja në këtë mënyrë e bashkive rrezikon të krijojë probleme të rënda sociale në periudhat e mëvonshme duke rrezikuar pagesat e pensioneve për qindra punonjësit e sotshëm.
Borxhi tatimor është përkeqësuar vitet e fundit, por në veçanti edhe detyrimet e paguara për sigurimet shoqërore. Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve kishte raportuar se në fund të vitit 2016 stoku i borxheve si pagesa të pabëra në kohë për sigurimet shoqërore arriti në 14.1 miliardë lekë.
Nga kjo shumë rreth 2 miliardë lekë janë borxh i krijuar rishtas në vitin 2016. Nga institucionet shtetërore shihet se ka një mungesë korrektese për pagat e sigurimeve nga ndërmarrjet e ujësjellësit, bashkitë dhe disa agjenci rajonale.
Borxhi
Projekti STAR (Mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale) në përfundim të 384 raporteve të kontrollit në ish-komunat dhe bashkitë e reja ka zbardhur detyrime të prapambetura në vlerën e 65 milionë eurove në mesin e vitit të kaluar. Ky borxh ka shtuar detyrimet e shtetit shqiptar në të paktën 0,57% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ministria e Financave, nga ana tjetër, ka miratuar një plan veprimi që i detyron Bashkitë të shlyejnë detyrimet deri në fund të vitit 2018. Por duke parë se borxhi i krijuar po thellohet tatimet kanë kërcënuar që për disa nga njësitë vendore do të ketë deri në bllokim të llogarive nëse ata nuk paguajnë detyrimet.
Reagimi
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar menjëherë pas lajmit të borxhit të krijuar nga bashkitë e reja. Sipas tij është koha që të hetojë prokuroria pasi Bashkitë po i mbajnë punonjësit në të zezë. Ish-kryeministri, Sali Berisha, e ka cilësuar një akt kriminal dhe antikushtetues mospagimin nga bashkitë të sigurimeve shoqërore për punonjësit.
Berisha thotë se, kjo është vepër e vjedhjes, shpërdorimit të buxhetit të shtetit direkt nga drejtuesit për përfitime personale. Si e tillë, ligjet e vendit parashikojnë ndjekje penale për sipërmarrësit privat që mbajnë qoftë dhe dy punëtorë të pasiguruar. Berisha apelon Prokurorinë të vendosë para ligjit drejtuesit vendorë të korruptuar./Mapo.al/
Bashkitë | Viti i krijimit
të detyrimit |
1- BASHKIA POLIÇAN | 29.03.2012 |
2-BASHKIA KAVAJE | 15.04.2015 |
3- BASHKIA RROGOZHINE | 06.01.2015 |
4-BASHKIA FUSHE KRUJE | 24.11.2014 |
5- BASHKIA KRUJE | 29/06/2017 |
6 -BASHKIA SHIJAK | 23.09.2016 |
7-BASHKIA DIVJAKE | 25.02.2013 |
8-BASHKIA MEMALIAJ | 01.04.2015 |
9-BASHKIA PERMET | 14.01.2014 |
10-BASHKIA TEPELENE | 01.04.2015 |
11-BASHKIA LIBOHOVE | 15.10.2015 |
12-BASHKIA SUKTH | 06.11.2015 |
13-BASHKIA HIMARE | 28.04.2017 |