Biznesi i spitaleve private në Shqipëri ka vijuar rritjen edhe gjatë vitit 2016, ndonëse me ritme të ngadalësuara, teksa shumë shqiptarë duket se kanë preferuar alternativën e kurimit privat, përballë shërbimeve të dobëta apo të munguara që ofron sot sistemi shëndetësor shtetëror.
Sipas të dhënave nga bilancet përkatëse, të publikuara nga monitor.al, 7 spitalet dhe klinikat kryesore private në vend, Spitali Amerikan, Hygeia Hospital – Tirana, Salus, Spitali Gjerman (Cardio & Diagnostic Center Hamburg / TIR), Klinika Gjermane e Syrit, Spitali Europian, Spitali Privat i Zemrës, kanë qarkulluar në total rreth 8.4 miliardë lekë, apo rreth 62 milionë euro, me një rritje prej 16% në raport me 2015-n. Rritja e të ardhurave të spitaleve private është ngadalësuar në raport me vitin e mëparshëm, kur ishte 21%.
Shuma e shpenzuar në spitalet private është gati sa një e treta e buxhetit total të shëndetësisë. Sipas të dhënave zyrtare, buxheti i shtetit ka shpenzuar në vitin 2016 (me paratë e taksapaguesve) rreth 31 miliardë lekë për planifikim, menaxhim, administrim, shërbimet e kujdesit parësor dhe pagat e personelit.
E panjohur mbetet shuma që shqiptarët shpenzojnë për t’u kuruar jashtë vendit, ku destinacionet kryesore mbeten Turqia, Greqia, Italia etj.