Shifrën më të madhe të turistëve të huaj këtë vit në bregdetin shqiptar e mbajnë polakët me 71 për qind, por nuk mbeten pas as italianët, ndërsa mediet e shtetit fqinj shkruajnë mbi bukuritë e jugut të vendit, por edhe çmimet e lira të ushqimeve…Por asnjë nga këto elemente nuk duket joshës për vetë shqiptarët, që preferojnë t’i bëjnë gjetkë. Rënie duket se kanë pasur edhe turistët kosovarë, që këtë vit nuk kanë zgjedhur turizmin patriotik…
Afro 1 milion e katërqind mijë është numri i shtetasve të huaj dhe shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar për muajin korrik. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT flitet për një rritje me 2.8 % krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë vetë numri i të huajve ka rënë disi, me 0.1 % dhe shkak duket se kanë qenë turistët nga Kosova, më të paktë këtë vit, shkak mbase edhe muaji i Ramazanit.
Por, rënia e shtetasve nga Kosova, që kanë qenë pushuesit tradicionale të Shqipëri është kompensuar nga vendet e tjera. Sipas INSTAT, në korrik 2017, ndër dhjetë vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, ato nga Zvicra kanë pësuar rritjen më të madhe me 52,3 %, ndërsa uljen më të madhe e kanë pasur shtetasit nga Kosova me 33,2 %.
Nëse përjashtohet efekt i Kosovës, rezulton se hyrjet e të huajve të korrik janë rritur me 35%.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në shtatëmujorin e 2017 është 5.199.145, duke u rritur me 5,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Në shtatëmujorin 2017, ndër dhjetë vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, rritja më e madhe e hyrjeve ka ardhur nga Polonia me 71,1 % dhe rënia më e madhe nga Kosova me 17,3 %. Shtetasit nga Kosova gjithsesi vijojnë të zënë peshën kryesore, me 866 mijë turistë për 7 muajt e parë të vitit, të ndjekur nga maqedonasit me 341 mijë dhe grekët me 246 mijë dhe italianët me 182 mijë. Edhe numri i turistëve italianë ka shënuar rritje të ndjeshme për 7-mujorin, me 56%. Për periudhën janar-korrik, shtetasit e huaj që kanë hyrë për qëllime pushimi janë rritur ndjeshëm me 35% në mbi 1 milion persona, ose 40% e totalit.
Shqipëria ende nuk është joshëse për shqiptarët
Por, ndërsa të huajt po vijnë gjithnjë e më shumë, të nxitur nga shkrimet e pafund të mediave të huaja për Shqipërinë, vetë shqiptarët po ikin jashtë. Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit Korrik 2017 janë 1.362.491, duke shënuar një rritje me 6,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Korrik 2017 është 496.163. Krahasuar me Korrik 2016, ky numër është rritur 11,0 %.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në shtatëmujorin e 2017 është 2.759.744, duke u rritur 4,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Mediet italiane pagëzojnë Shqipërinë si parajsën e re të pushimeve
Vende shumë të bukura, shumë afër me Italinë dhe me një leverdi të dukshme ekonomike. Destinacioni i ri i turizmit (sidomos i familjes) në mënyrë të pashmangshme anon nga jugu i Shqipërisë.
“Duke sfiduar paragjykimet, vendi i shqiponjave është gati të fluturojë”. Kështu e mbyll artikullin për Shqipërinë, Giuseppe Spatola për Libero Quotidiano, publikuar në 21 gusht. Ai shkruan i mahnitur për bukuritë e bregdetit të jugut, ushqimet e lira e të shijshme dhe jep mesazhin se shqiptarët kanë zbuluar se ata i kanë të gjitha mundësitë që të jetojnë pa u larguar nga atdheu i tyre. Më poshtë artikulli:
Dhjetë ditë në Shqipëri për të zbuluar një qoshe të harruar nga Italia. Kush vendos që të udhëtojë drejt vendit të shqiponjave nuk mund të injorojë historinë që ka lidhur dhe lidh akoma të dyja vendet. Binjakëzimi fillon të kuptohet pasi ke përshkruar kilometra nga Tirana në drejtim të Beratit, duke shkuar në Himarë dhe Ksamil, Gjirokastër dhe Korçë, e më pas në Vlorë, ku deti i kristaltë, bunkerët e socializmit dhe terreni malor po i japin zemër turizmit të një destinacioni të ri me kosto të ulët.
Shqipëria është një vend i tëri për t’u zbuluar, shumë larg nga turizmi klasik i masës. Edhe pse pjesa më e vështirë është paragjykimi i atyre që e kujtojnë vendin vetëm me anijet famëkeqe dhe nuk e kuptojnë se është bregu tjetër i rivierës Puliane dhe Greke. Sigurisht që Shqipëria duhet të bëjë shumë për të fituar një vend krah destinacioneve të tjera europiane, por hapi i parë është ndërmarrë tashmë.
E kanë kuptuar dhe në Bruksel, nga ku është financuar me rreth 1.5 milionë euro rruga e re e detit të Vlorës, me projektues kryesor Italinë. Shumë keq që autostrada përfundon dhjetëra kilometra para kryeqytetit të jugut, më kantiere të bllokuara prej dështimit të shoqërisë së ndërtimit, që duhet thënë që është një firmë italiane.
Udhëtimi
Pjesa më e vështirë është pikërisht udhëtimi, me tragetet që të kujtojnë anijet e vjetra dhe rrugët, që jo gjithmonë janë në lartësinë e duhur. Me 725 euro një familje me katër persona, si kjo e imja, paguan për kalimin nga Brindisi në Vlorë. Qëndrimi në Vlorë, në një hotel me katër yje ishte rekord për kursimet: 10 ditë për vetëm 700 euro në një suitë familjare në pikun e sezonit, që diku tjetër “do të binte kokës”.
Deri këtu shumë mirë, po çmimet? Për atë që e ka merak portofolin, Shqipëria është një parajsë, ku një pjatë linguini kushton 500 lekë (pak më shumë se 3 euro sipas kursit zyrtar) dhe një shezlong, plus çadër e paguan për një minimum nga 150 në 250 lekë.
Me pak fjalë: vende shumë të bukura, shumë afër me Italinë dhe me një leverdi të dukshme ekonomike. Destinacioni i ri i turizmit (sidomos i familjes) në mënyrë të pashmangshme anon nga jugu i Shqipërisë. Bregdeti shtrihet për 363 kilometra dhe pothuajse të gjitha plazhet janë të lira.
Në afërsi të Vlorës ka plazhe shumë të këndshme si Paradise Beach, perfekte për fëmijët, ose si Orikumi, me ujëra të qarta si kristal. Aty afër, mali i Llogarasë, ju ofron mundësinë të shihni një panoramë të mrekullueshme. Ujërat blu, pika e takimit midis Adriatikut dhe Jonit, dhe ishujt e veriut grek, Diapondie, shfaqen në sfondin e kësaj panorame të këndshme natyrore. Bregdeti i jugut ka plazhe për të gjitha shijet. Dhërmiu është i egër dhe ju lejon të arrini në shpellën e bukur Pirate pranë detit. Drimadhes është një gji i madh me rërë të bardhë i rrethuar nga bimësia e dendur. Më tej është plazhi i Palase, për të jetuar në paqe dhe liri.
Në këto parajsa akoma edhe sot vigjilojnë qindra bunkerë të braktisur me të cilët diktatori Enver Hoxha mendonte ta mbronte vendin e tij nga një pushtim që në fund nuk ndodhi kurrë. Dhe sot, që po ndodh pushtimi paqësor i italianëve, gjermanëve dhe francezëve, shqiptarët kanë zbuluar se ata i kanë të gjitha mundësitë që të jetojnë pa u larguar nga atdheu i tyre.
Pranë Dhërmiut, ushtarët kanë lënë të lirë një nga vendet simbolike të bregdetit, plazhi i pacenuar i Gjipesë që hapet në këmbët e një kanioni natyror. Gjithçka falas, sigurisht, ku e vetmja gjë që duhet paguar është parkimi (100 lekë) së bashku me lodhjen për të ecur të paktën 30 minuta rrugë të vështirë para uljes në plazh.
Në restorant
Poshtë, në mesin e kapanoneve, Elvisi (që mamaja, e ka quajtur me emrin e këngëtarit, duke injoruar diktimin e izolimit të imponuar nga komunizmi) drejton restorantin nën bimën e fierit. Me 11 mijë lekë për shtatë vetë mund të hash shumë mirë peshk, pulë, perime dhe birrë. Jo vetëm. Në të gjithë segmentin rrugor deri në Sarandë në kufi me Korfuzin mund të shijosh natyrën e detit blu dhe ushqime, ku qepa është bazë në çdo pjatë.
Nuk mund të lini pa parë Porto Palermo, me fortesën e saj të ndërtuar nga Alì Pasha dhe portin e vogël, që u përdor nga sovjetët për të fshehur nëndetëset në Adriatik. Më tej, në jug, malet janë më të shpërndara dhe arrini në plazhet e ngushta midis shkëmbinjve në Sarandë. Kjo e fundit është bërë Montekarlo e Shqipërisë me hotele bregdetare të mëdha të mbushura plot, plazhe të mbuluara nga çadra dhe lokalet e modeli Ibiza, si dhe Gjetjet arkeologjike të Butrintit (një teatër i madh romak dhe një bazilikë e hershme e krishterë). Pra, duke sfiduar paragjykimet, vendi i shqiponjave është gati të fluturojë./Mapo.a/