Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Gjermania, fuqia e kuletës

$
0
0

Nga Mark Leonard

Javën e kaluar, ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ndërpreu pushimet në Detin e Veriut për t’iu përgjigjur burgimit nga Turqia, të një aktivisti gjerman të të drejtave të njeriut. Gabrieli i paralajmëroi turistët gjermanë për rreziqet e vizitimit të Turqisë dhe i këshilloi kompanitë gjermane, të mendonin dy herë përpara se të investonin në një vend, ku angazhimi i autoriteteve për sundimin e ligjit është gjithnjë e më i dyshimtë. Kjo përbën një politikë të re gjermane ndaj Turqisë dhe konfirmon më tej statusin e Gjermanisë, si një fuqi e madhe ekonomike.

Deklarata e Gabriel shkaktoi tronditje në qeverinë turke, sepse ajo kujtonte reagimin e Presidentit rus Vladimir Putin, pas rrëzimit të një avioni luftarak prej Turqisë, në vitin 2015. Sanksionet që Rusia imponoi i kushtuan ekonomisë tashmë në telashe të Turqisë rreth 15 miliardë dollarë, dhe në fund e detyruan Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan që të kërkonte falje. Përgjigjja agresive e Putinit nuk erdhi si befasi. Në të kundërt, vendimi i Gjermanisë për t’u përgjigjur në mënyrë të ngjashme, shënon një ndryshim të fortë, nga stili i saj diplomatik përgjithësisht më i zbutur.

Pozicioni global në ndryshim i Gjermanisë i paraprin Gabrielit, i cili është një i ardhur rishtaz në ministrinë e Jashtme. Gjatë krizës së euros, Gjermania përdori mjete ekonomike për qëllime ekonomike në Europë. Por në politikat e saj ndaj Rusisë, Turqisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, Gjermania gjithnjë e më shumë po përdor forcën e saj ekonomike, për të çuar përpara qëllimet e saj të mëdha strategjike.

Pasi Putini aneksoi Krimenë në mars të vitit 2014, përgjigjja e Perëndimit nuk u udhëhoq nga SHBA, por nga Gjermania, e cila drejtoi diplomacinë ndaj Rusisë dhe Ukrainës, për të mos lejuar shkallëzimin e konfliktit. Gjermania më pas bindi pjesën tjetër të Bashkimit Europian, që të binte dakord për sanksione të ashpra të paprecedentë kundër Rusisë, për të penguar agresionin e mëtejshëm.

Gjermania e ka mbajtur këtë front të bashkuar europian për tre vjet, duke sfiduar të gjitha pritshmëritë. Dhe tani që skandalet e lidhura me Rusinë kanë pllakosur në administratën e Presidentit të SHBA, Donald Trump, europianët po shohin gjithnjë e më shumë nga Gjermania, që ajo të vijojë udhëheqjen në këtë çështje. Gjermania gjithashtu negocioi një marrëveshje me Turqinë për të zvogëluar prurjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme drejt Europës.

Natyrisht, gatishmëria e kancelares gjermane Angela Merkel për t’u përballur me Trumpin, mund të jetë ndryshimi më i habitshëm i politikës së jashtme. Menjëherë pas takimit me Trumpin në samitin e G7 në Siçili këtë maj, ajo mbajti një fjalim ku i bëri thirrje Europës “ta marrim fatin tonë në duart tona”.

Qoftë edhe vetëm kjo, shënon një largim nga disa dekada diplomaci gjermane. Deri tani, ftohja në marrëdhëniet gjermano-amerikane ka qenë kryesisht retorike. Por Merkeli po mbështet gjithashtu pozitën gjeopolitike të Gjermanisë, duke diversifikuar partneritetet e saj globale, veçanërisht me Kinën. Sipas Stanzel, i cili më parë ka shërbyer si ambasador i Gjermanisë në Pekin, “Merkeli nuk ka iluzione për Kinën, por e sheh atë si një partner për klimën, tregtinë dhe politikën e rendit”.

Qasja e re e Gjermanisë ndaj politikës së fuqive të mëdha ka evoluar në mënyrë të vazhdueshme dhe në përgjigje të ngjarjeve, në dukje të palidhura. Por edhe nëse Gjermania nuk po ndjek një master plan, pikat e forta të saj i kanë mundësuar që të shfrytëzojë fuqinë e vet ekonomike, të përdorë institucionet dhe buxhetet e BE si një shumëzues force, dhe të ndërtojë koalicione ndërkombëtare, në ndjekje të qëllimeve strategjike.

Këto janë të gjitha zhvillime të rëndësishme. Por ato nuk janë askund aq të rëndësishme, sa vendimi i Gjermanisë për të ngritur fuqinë e saj të madhe ekonomike, në skenën botërore. Përgjigjja më e fundit e Gabriel për Turqinë është një hap në atë drejtim. Pse të dërgosh trupa jashtë vendit, kur mund të kesh një impakt më të madh, duke mbajtur në shtëpi turistë dhe kompani të klasit botëror?/Marrë nga bota.al/


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663