Bashkia e Pogradecit ka nisur konsultat lidhur me prezantimin e projekt idese mbi menaxhimin e zonës Drilon – Tushemisht nga kompania italiane SITI , e cila është kontraktuar nga ana e Fondit Amerikan të Zhvillimit .
Agjencia Kombëtare Turizmit bën me dije se, në vija të përgjithshme kompania SITI propozoi rrugët dhe mënyrat që duhet të ndjekë kjo zonë gjatë viteve të ardhshme lidhur me Zhvillimin e Turizmit dhe të infrastrukturës. Këto investime propozohet të realizohen deri në vitin 2023.
Ideja kryesore që është propozuar nga ana e kompanisë italiane lidhet me konceptin e aplikimit të eko – turizmit për zhvillimin e kësaj hapësire. Kjo është vlerësuar si forma më e mirë që i shërben zhvillimit dhe ruajtjes së kësaj zone.
Banorët e zonës kanë përkrahur idenë e ndërtimit të një pedonale përgjatë liqenit nga Pogradeci në Tushemisht.
Ideja është që Driloni të jetë më shumë një qendër e vizitueshme se sa me shërbime intensive të akomodimit.
Turizmi është një sektor mjaft i rëndësishëm në Bashkinë Pogradec, sidomos viteve të fundit vihet re një rritje e fluksit të turistëve.
Nga një anë infrastruktura rrugore, peizazhi i përmirësuar liqenor, kushtet klimaterike të Pogradecit, produktet bujqësore vendase, tradita e kulinarisë janë burime të rëndësishme për Turizmin e Pogradecit. Turizmi liqenor deri tani ka qenë sezonal vetëm në periudhën e verës. Ky turizëm sipas Bashkisë se Pogradecit konsiston në turizmin familjar, në hotelet e motelet ekzistuese. Kohët e fundit vihet re që ka frekuentim dhe ditor apo në fundjavave.
Pogradeci është pjesë e rrjetit të zonave natyrore të mbrojtura dhe një pjesë e mirë e saj është pjesë e kategorisë së V të zonave të mbrojtura atë të “Peizazhit të Mbrojtur”.