Situata në kaskadën e Drinit vazhdon të jetë kritike. Thatësira ka detyruar Korporatën Energjetike Shqiptare që të ulë në minimum prodhimin duke plotësuar vetëm pjesën e humbjeve në transmetim dhe 1600 MËh në ditë për OSHEE.
Të dhënat zyrtare të së mërkurës 2 gusht tregonin se aktualisht liqeni i hidrocentralit të Fierzës ishte në nivelin 269.80 metra, ndërkohë që prurjet janë vetëm 25 m3/s.
Në këto kushte, për të mos cenuar sigurinë dhe stabilitetin e sistemit energjetik, me nivelin aktual të prurjeve në basenin e Fierzës, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare arrin të përmbushë plotësisht vetëm detyrimet në kuadër të kontratave prioritare që ka me Operatorin e Sistemit të Transmetimit, pra, furnizimin e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit, si dhe furnizimin e energjisë së mjaftueshme për balancimin e sistemit, dhe të furnizojë OSHEE sh.a/ FSHU me jo me shume se 1600 MWh/ditë energji elektrike për furnizimin e klientëve tariforë sipas marrëveshjes së dakorduar mes palëve.
Në përputhje me parashikimet dhe kuadrin ligjor e rregullator në fuqi, pjesa tjetër e nevojave të klientëve që përfitojnë nga shërbimi universal i furnizimit duhet të plotësohet nga tregu i parregulluar.
Aktualisht furnizimi në vend po bëhet përmes importeve të siguruara një javë më parë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Vetëm për gushtin OSHEE bleu 434 mijë KWh energji me një vlerë prej rreth 30 milionë euro.
Ky është muaji i dytë që furnizim i vendit me energji mbështetet tek importet dhe procedurat i përfundon OSHEE edhe pse pritej një përfshirje e KESH përmes kredisë të Bankës Botërore në nivelin 22.4 milionë euro por që do të vijohet në një moment të dytë.