Mediat dhe personat më në zë të vendeve të BE reklamojnë ofertën turistike shqiptare si të larmishme dhe të lirë. Nuk mungojnë krahasimet me Karaibet dhe vlerësime të tilla si “parajsë e fshehur”
Një parajsë e fshehur. Kështu e quan bregdetin shqiptar në një reportazh televizioni francez Francë 2. Ndërsa një media italiane nuk ngurron të bëjë krahasimin e plazheve të Shqipërisë me ato të Karaibeve. Gjatë gjithë muajve të fundit mediat më në zë të vendeve europiane kanë përcjellë për lexuesit e tyre informacione të shumta për Shqipërinë turistike duke theksuar në çdo rast se bëhet fjalë për një destinacion të lirë. Duket se në këtë promovim nuk janë indiferentë as personalitete të njohura europiane, të cilët iu rekomandojnë qytetarëve të vendeve të tyre të vizitojnë Shqipërinë. Një ndër to është rasti i këshilltarit të ish-kryeministrit britanik Bler, Alistar Campbell. Edhe faqet elektronike të kompanive të specializuara për udhëtime tashmë e kanë bërë Shqipërinë pjesë të paketave të tyre duke e reklamuar atë jo vetëm për turizmin e detit dhe atë kulturor por edhe për turizmin malor apo siç njihet ndryshe atë të aventurës. Duket se Shqipëria nuk është më një parajsë edhe aq e fshehur, derisa mediat dhe kompanitë e huaja janë në një “garë” për ta promovuar vendin tonë.
Alistar Campbell: Vizitoni Shqipërinë
Nëse nuk keni prenotuar ende pushimet, duhet patjetër të shkoni në Shqipëri. Kjo është këshilla që ish-zëdhënësi i Toni Blerit, Alistar Campbell u jep britanikëve. “Shqipëria, shkruan ai në faqen e tij të internet – nuk është ai vendi ku ka një statujë të komedianit Norman Uisdom, sepse ai është i vetmi perëndimor që shqiptarët kanë parë në ekranet e tyre bardhezi. Nuk është as ai vendi i imagjinuar nga skenat e filmit Taken me Liam Neeson. Droga, prostitucioni, rrëmbimet, trafikimi i njerëzve…askush nuk do të donte të shkonte në një vend të tillë… Por, Shqipëria nuk është kjo…”. Ish-zëdhënësi i Blerit, shkruan se në të gjitha vizitat e tij, nuk është ndjerë asnjëherë i pasigurt…dhe citon atë çfarë kryeministri Edi Rama i ka thënë Boris Johnson “nëse ka kriminelë shqiptarë në Londër, ata janë kriminelët tuaj, jo të mitë”, duke iu përgjigjur kështu kërcënimit të Johnson kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Campbell, thërret në ndihmë edhe Lord Bajronin dhe përshkrimet e tij për vendin e shqiponjave. Poeti udhëtoi në Shqipëri në shekullin e 19-të dhe i krahasoi shqiptarët në veshje, imazh dhe mënyrën e jetesës me malësorët skocezë. “Sigurisht, thotë Campbell – do të duhet një farë kohe që trashëgimitë e të shkuarës të zhduken, por ndërsa gushti erdhi, më lini t’iu sugjeroj….provoni Shqipërinë. Ua kam rekomanduar shumë njerëzve më parë, disa më kanë dëgjuar dhe askush nuk është bërë pishman”. “E para, është lirë… E dyta, moti dhe ushqimi janë mesdhetare. E treta, asnjë panoramë mbi tokë nuk mund të krahasohet për mua me malet e Skocisë, por Bajroni kishte të drejtë, Shqipëria, i afrohet shumë… E katërta, atje ka plazhe fantastike, të paprekura. E pesta, njerëzit janë shumë të këndshëm…dhe i pëlqejnë britanikët… E më e rëndësishmja, është një vend ku ndjen energji dhe shpresë. Ju këshilloj të shkoni e ta shikoni… E në përfundim, do ta doni po aq sa edhe unë…ju premtoj”, përfundon Campbell.
Corriere: Bregu shqiptar si Karaibet
Në morinë e artikujve në mediat e huaja për Shqipërinë, ditë e fundit ka një të tillë me plot vlerësime, nga Paola Cimarelli nga Corriere Adriatico. Në rubrikën e udhëtimeve, ka shkruar për vizitën në bregdetin shqiptar, – ku nuk ngurron të krahasojë plazhet e Jugut me ato të Karaibeve-, qytetet e trashëgimisë kulturore, liqenet, lumenjtë, trashëgiminë historike, burimet natyrore ujore, që i quan burimi i perëndive. Një artikull që na sjell të gjithëve në vëmendje pasuritë natyrore që kemi dhe se si nuk arrijmë t’i shfrytëzojmë ato në të mirë të rritjes së mirëqenies së një prej vendeve më të varfra të Europës. Ja çfarë shkruante ajo në këto ditë të korrikut. “Në një cep të Ballkanit është Shqipëria, një vend që është për t’u dëshiruar, për t’u përshkruar, për t’u eksperimentuar me detin e saj, që nganjëherë të ngjan me Karaibet, me male, duke e bërë atë ende “vendin e shqiponjave”, me histori, me mbetjet e arkeologjisë pellazgjike, romake, greke, ilire, turke, dhe pa lënë mënjanë natyrën, me mundësi për të vizituar 12 parqe kombëtare. Nga Puglia, nëse disa agon qartë, ju mund të shihni majat e malit Korab, dhe me fuqinë e mendimit, pothuajse mund të prekni brigjet, që janë 80 kilometra larg nga Italia. Pra, kjo është koha për të marrë një avion ose një anije dhe të shkoni dhe të zbuloni një tokë ende jashtë turizmit masiv, por ndoshta jo për kohë të gjatë. Për të udhëtuar, ju mund të zgjidhni transportin publik, por me një makinë, madje edhe me qira, ju mund të shijoni të gjithë pasurinë e saj kulturore dhe bukurinë e saj. Deti, ose më mirë bregdeti shqiptar, është i gjatë 360 km midis Adriatikut dhe Jonit. Plazhi i Ksamilit është 17 kilometra nga Saranda, përballë pjesës veriore të ishullit grek të Korfuzit, nga ku nisen autobusët e përditshëm. Një bregdet me rërë të artë shtrihet në katër ishuj, në një lartësi prej 7.5 deri 15 metra, të cilat mund të arrihen me anije, not dhe njëra madje edhe në këmbë. Edhe këtu, në gusht, ka shumë njerëz, por jashtë sezonit do ju duket sikur keni marrë një avion dhe keni shkuar në ishujt tropikalë të Karaibeve. Pastaj është plazhi i Qeparos, menjëherë pas gjirit të Porto Palermo me kështjellën e tij Ali Pasha, më pas Skalom, me rërë të hollë dhe det të kristaltë të qartë, në afërsi të saj është gropa e Frëngut, si dhe Dhërmiu, që është një nga vendet më të bukura. Në Bregdetin Jon dhe ku mund të shihni manastirin e Shën Teodorit, në këmbët e të cilit gjendet Shpella e Piratëve. Gjithashtu, mund të vizitoni zonën arkeologjike të Butrintit, në jug të Sarandës, që i përket shekullit të 8-të para erës sonë, edhe pse mitet e lidhura me origjinën e saj flasin se aty janë themelet e të mërguarve të Trojës. Më pas vjen Himara e lashtë, në një rajon me male deri në dy mijë metra, që zbresin në det me tarraca me pemë të kultivuara të ullirit dhe agrume, për ta mbyllur në Parkun e Llogorasë.
Gjithashtu në zonën malore ndodhet Syri i Kaltër, burimi i perëndive, me origjinë karstike të vendosura në shpatet perëndimore të Malit të Gjerë. Ata që e duan liqenin mund të shkojnë në Shkodër, në kufi me Malin e Zi, dhe në Ohër, në kufi me Maqedoninë. Ka tri vende të trashëgimisë së UNESCO në Shqipëri: Vendi arkeologjik i Butrintit, në Gjirokastër dhe Berat, dy shembujt e rrallë të arkitekturës nga periudha osmane. Në qendër të Beratit gjen fakte të bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore, me kishat e saj bizantine, kështjellë, Kala të shekullit të trembëdhjetë dhe xhamitë e epokës osmane. Gjirokastra, në luginën e lumit Drinos në jug të Shqipërisë, është karakterizuar nga një sërë shtëpish dykatëshe, e ndërtuar në shekullin e 17-të. Në qytet ka gjithashtu një pazar, një xhami e shekullit të 18-të dhe dy kisha të së njëjtës periudhë. Çmimet e hoteleve variojnë nga 40-60 deri në 200 euro në natë. Jashtë sezonit mjafton të prenotosh dy ditë para, në kulmin e sezonit 20 ditë përpara.
Francë 2: Shqipëria, parajsë e fshehur
Edhe televizioni francez TV France 2 i ka kushtuar Shqipërisë dhe bukurive të saj natyrore një reportazh të detajuar. “Është ende një vend i panjohur për turistët, një parajsë e fshehtë përballë Italisë, e mbërthyer mes Greqisë dhe Malit të Zi”, nis përshkrimi për Shqipërinë. Me ujërat e kristalta, peizazhet malore, natyra e ruajtur e shkëputur për një kohë të gjatë nga bota prej një diktature të egër komuniste, Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë për shkak të çmimeve të lira. Larg turizmit masiv dhe vilave luksoze, zhytuni në “Perlën e Ballkanit”, fton turistët reportazhi francez. Dy turistë francezë tregojnë se për një javë pushime në jug të Shqipërisë kanë shpenzuar për akomodimin, transportin me avion dhe ushqimin, rreth 500 euro për person. Turistët nuk mohojnë se para se të niseshin për në Shqipëri, i kishin paralajmëruar të bënin kujdes për sigurinë në Shqipëri, por krejt të kundërtën kanë përjetuar gjatë qëndrimit të tyre këtu. Pas përshkrimit të detajuar të jugut të Shqipërisë, fokusi zhvendoset në qytetin e Beratit, trashëgiminë botërore, ku kishat i gjen përballë xhamive. Turistët në këtë zonë shijojnë gatimet tradicionale të Beratit, ëmbëlsirat dhe verën vendëse, të cilat nuk kushtojnë më tepër se 20 euro për person. Në vetëm pak vite, përfundon reportazhi francez, numri i turistëve nga Franca është rritur ndjeshëm, nga 5 mijë në 35 mijë, e sipas specialistëve me disa ndryshime të vogla në infrastrukturën rrugore e turistike, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të shndërrohet në Kroacinë apo Malin e Zi të së nesërmes. Reportazhi është ndjekur nga 8 milionë shikues francezë.
SiViaggia: Shqipëria destinacioni i 2017-s
Është radha e portalit të njohur italian SiViaggia që ta rendisë Shqipërinë ndër destinacionet që nuk duhen humbur për këtë vit. “Shqipëria është një vend në zhvillim, që ka rinovuar Infrastrukturën dhe strukturën akomoduese dhe padyshim konsiderohet si një destinacion turistik për vitin 2017”. E këtë e thonë edhe drejtuesit e agjencive të ndryshme turistike italiane. Ombretta Fresco, drejtuese e “Dreams Beach – La Playa del Sol”, por edhe “Geo Travel”, që e njohin mjaft mirë vendin, duke qenë se prej disa vitesh realizojnë ture të ndryshme turistike në Shqipëri. “Ka disa vite që Shqipëria është një vend që po frekuentohet shumë nga turistët europianë. Së fundmi, zonat bregdetare po popullohen kryesisht nga turistë gjermanë, britanikë, por edhe australianë e amerikanë”. Po çfarë po ndodh me turistët italianë? “Edhe ky treg dalëngadalë po i drejtohet Shqipërisë, e cila ende vuan pasojat e paragjykimeve të vjetra”, thotë Fresco. Sipas saj, Shqipëria është një destinacion i duhur për ata turistë, të cilët janë kuriozë dhe të pasionuar pas aventurave dhe brigjeve të pashkelura. “Janë ata turistë, të cilët zgjedhin të vizitojnë vende të largëta, por nuk dinë asgjë rreth Shqipërisë dhe bëhen kuriozë. Është një vend që tërheq më shumë turistët në grup ose individë”. Përveç, turizmit klasik arkeologjik, shkruan SiViaggia, ka edhe forma të tjera që mund të eksplorohen siç është ekoturizmi/slow tourism në zonat malore, të përshtatshme për personat që janë ta pasionuar pas natyrës dhe ekskursioneve.
“Oferta është përmirësuar, thotë Fresco, e cila nënvizon se ka hotele me tri yje me cilësi të lartë në disa lokalitete antike, si Gjirokastra e Berati, megjithatë nuk mungojnë edhe hotelet e mira me 4 apo 5 yje, që janë ndërtime të reja”. Ndërlidhja? Aeroporti i Tiranës është i vetmi nga ku mund të fluturoni, ndërsa me rrugë detare mund të lidheni me Ankonën, Barin, Brindizin e Triesten. Në dy vitet e fundit janë rehabilituar edhe disa akse rrugore.
Airbnb, Shqipëria, destinacion i lirë
Vouchercloud, aplikacioni europian më popullor i blerjeve online, ka listuar vendet më të shtrenjta dhe më të lira të Europës për sa i përket çmimit për natë qëndrimi (çift apo në grup) bazuar mbi të dhënat e Airbnb. Vendet e Ballkanit janë ndër alternativat më të lira të pushimit në Europë. Sipas renditjes së Vouchercloud, më e lira në Europë është Maqedonia, ku çmimet mesatare për një natë qëndrimi për dy persona përllogariten rreth 25 paund, ndërsa për grupet deri në gjashtë persona, çmimi mesatar është 50 paund. E dyta renditet Shqipëria, ku një natë qëndrimi sipas Airbnb për dy persona kushton mesatarisht 26 paund, ndërsa çmimi për grupe deri në gjashtë persona është më i ulët se 50 paund, duke u renditur kështu ndër vendet më të lira në Europë. Si vende miqësore me buxhetin listohen gjithashtu Kosova dhe Serbia me çmime mesatare përkatësisht 28 dhe 30 paund për dy persona.
ATTA: Shqipëria, destinacion për turizmin e aventurës
Një surprizë për 2017-n është shfaqja në listë e një vendi të ri në 5 destinacionet kryesore: Shqipëria. Shkëndija e interesit në Shqipëri është e dukshme që nga 2014-a me Aventurën Javore në Ballkanin Perëndimor. ATTA (Adventure Travel Trade Association) ka publikuar gjetjet e situatës për industrinë e turizmit për 2017-n, një panoramë krahasuese për sektorin e industrisë së udhëtimeve aventureske nga sytë e tur operatorëve turistikë. Ndër destinacionet kryesore për turizmin aventuresk është listuar edhe Shqipëria. Aktivitetet e aventurës më të kërkuara ishin ekoturizmi, veprimtaritë kulturore, qëndrueshmëria mjedisore, ecjet dhe gastronomia. Popullore për rajone të caktuara janë çiklizmi dhe ekspeditat botës së egër. Tur operatorët thonë se destinacionet që kanë zgjuar interesin e turistëve në kërkim të aventurës janë vendet Skandinave, Amerika e Jugut, Afrika Juglindore dhe Mesdheu. Përfitimet e destinacionit turistik: Tur operatorët përllogarisin se 67% e shpenzimeve për turist mbesin në destinacion, rreth 2% më shumë se një vit më parë. Gjithsesi, ata gjithashtu kanë përllogaritur se turistët që udhëtojnë me kompanitë e udhëtimit shpenzojnë mesatarisht 142 dollarë në udhëtim për punime artizanale vendëse dhe për suvenire. 3 dollarë më pak se në 2016-n.