Çfarë sjell të re për Shqipërinë dhe Ballkanin, Samiti i Triestes?
Samiti i Triestes ishte një rast për të rikonfirmuar sërish faktin se portat e Europës janë të hapura për vendet ballkanike, porse ato duhet të kryejnë reformat e duhura të ndërtimit të institucioneve të forta demokratike dhe të luftojnë korrupsionin. Nëse në Samitin e Vjenës u angazhuan financime për infrastrukturën e Ballkanit, mbetet për tu parë se si do të konkretizohen ato sipas vendeve dhe se cfarë dobie do të sjellin për vendet akoma të dobëta ekonomikisht dhe problematik në raport me standartet demokratike. Abicia e shpallur në Trieste për krijimin e një bashkimi ekonomik dhe të transportit, është shumë e paqartë nga pikëpamja juridike.
Nëse vendet do të shkonin drejt bashkimit doganor, ky do të kishte qenë një hap politik shumë serioz pasi efektivisht do të bënte që vendet e rajonit të mos kishin politika tregtare të pavarura. Vendet e Bashkimit të sotëm Europian e nisën pikërisht në këtë format integrimin e tyre dhe ky do të ishte një model interesant edhe për rajonin tonë. Por, duhen bërë edhe dy paranteza: së pari, secili nga vendet e rajonit nuk ka këtë aspiratë, por integrimin në Bashkimin Europian. Së dyti, asnjë nga vendet e rajonit nuk e ka për zemër këtë qasje rajonale.
Po të shifet në historikin e vet se cfarë ka ndodhur me bashkëpunimin rajonal që prej momentit kur BE inicioi procesin e stabilizimit të bashkëpunimit rajonal në vitin 2002, asnjëri nga vendet e rajonit nuk preferoi të kalohej në një zonë të lirë tregtare rajonale, që është mënyra tipike e krijimit të një zone tregtare rajonale, por vendet u përfshinë në një proces marrëveshjesh bilaterale, duke rezultuar në negocimin e mbi 80 marrëveshjeve tregtare. Kjo bëri që sistemi i tregtisë jo vetëm të mos ishte më i thjeshtuar dhe i lehtësuar, por përkundrazi edhe shumë më i komplikuar. Po ashtu, përdorimi i disa teknikaliteteve juridike në këto marrëveshje, sic ishte parimi i rregullave bilaterale të origjinës, nuk e ndihmonte aspak bashkëpunimin rajonal. Anëtarësimi i tyre në CEFTA në vitin 2006 i dha fund këtij paradoksi.
Ajo cfarë ka ndodhur në këtë dekadë që kur ka funksionuar ky regjim i tregtisë së lirë midis vendeve, në fakt ka cuar në një rinitegrim të vendeve respektive përgjatë linjave etnike: është rritur ndjeshëm shkëmbimi tregtar midis vendeve të ish-Jugosllavisë dhe i tregtisë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ky në gjykimin tim është një proces i natyrshëm, që gjen mbështetje teorike. Nga ana tjetër, vendet e rajonit kanë përdorur intensivisht barrierat jotarifore në tregti: cmime reference në zhdoganimin e mallrave, rregullat sanitare dhe fitosanitare për produktet ushqimore dhe fruta-perimet, etj. Konfliktet tregtare kanë qenë të shpeshta edhe midis Kosovës dhe Shqipërisë për produktet bujqësore por dhe për mallra industriale; Shqipërisë dhe Maqedonisë, etj.
Kjo do të thotë se vendet tona kanë akoma shumë punë për të krijuar një zonë të vërtetë të tregtisë së lirë, pa barrira tarifore dhe jotarifore – dhe ky ishte qëllimi i iniciativës që u ndërmor në Samitin e Triestes. Në këtë kuptim, unë gjykoj se është një zhvillim pozitiv dhe i duhur. Por, vendi duhet të jetë i kujdesshëm për konkurrencën e tregut të brendshëm. Nëse, për shembull, vendet e tjera të rajonit përdorin gjerësisht subvencionimin e bujqësisë, kjo do ti vinte fermerët tanë në kushte të pabarabarta konkurrenciale dhe mund të dëmtonte seriozisht ekonominë familjare bujqësore apo segmente të caktuara të industrisë. Prandaj, iniciativat që janë pozitive si të tilla, duhet të shndërohen me efekte përfituese nëse do të negociohen mbi baza pariteti ndryshimet që do të kryhen në këtë fushë.
- A është një proces realist bashkëpunimi rajonal dhe a po e përdor BE si një pretekst për ti mbajtur këto vende jashtë BE-së, bashkë me premtimet për më shumë financime?
Sic edhe e nënvizova më sipër, nëse vendet e Ballkanit do ta kishin patur për zemër një aspiratë të tillë, do ta kishin realizuar që në vitin 2001-2002. Në të vërtetë secili nga vendet e rajonit e shikon bashkëpunimin rajonal si një imponim të pranueshëm vetëm përsa kohë që kjo i shërben integrimit të tyre në BE.
Konteksti gjeopolitik i viteve të fundit dhe përpjekjet për shtrirje të influencave ruse në rajon, duket se i ka dhënë vendeve të BE-së një motiv më shumë për një politikë më aktive ndaj rajonit. Por, ndërsa për procesin e anëtarësimeve të reja ka një rezistencë në shoqërinë europiane që është demonstruar qartazi me zhvillimet politike në skenën europiane gjatë viteve të fundit, liderat politik europian po përpiqen ta kompensojnë këtë me një rol më aktiv financiar. Mendoj se ky ishte dhe angazhimi që u mor në Samitin e Vjenës dhe shpresojmë që mbështetja financiare do të jetë shumë më aktive.
Në vendet e rajonit, Shqipëria, Kosova dhe Bosnja janë më të disavantazhuarit në raport me integrimin europian. Maqedonia thjesht është peng i mosmarrveshjeve me Greqinë, ndërsa Mali Zi dhe Serbia janë në një fazë më të avancuar. Personalisht nuk do të preferoja që këtë fakt tja atribuoj elementit të përkatësisë fetare – megjithëse në kontekstin e Turqisë kjo është evidente. Kushtet e BE-së pë luftën ndaj korrupsionit, shtetit ligjor, etj., janë një perpetum, nuk janë të kuntifikueshme dhe prandaj nuk mund të shërbejnë si indikatorë gjykimi. Do të ishte shumë më realiste që BE të zhvillonte një list indikatorësh për vendet aspirante dhe gjykimi të mos ishte më subjektiv. Ndërsa elementet kulturore dhe fetare mendoj se janë më shumë se një “liability”, një aset për Europën e realiteteve të sotme.