Ka një kërkesë gjithnjë në rritje për të vizituar Alpet Shqiptare dhe këtij intensiteti nuk po arrin t’i përgjigjet dot infrastruktura dhe akomodimi. Për të harmonizuar këto dy aspekte, për të krijuar një produkt turistik interesant por gjithmonë në harmoni me natyrën lind edhe nevoja e një plani zhvillimi të këtij rajoni.
Në vlerësimin mjedisor të zhvillimit të këtij rajoni jepen mes të tjerash vizioni që synohet të arrihet në afatgjatë me një nga perlat e natyrës shqiptare si dhe objektivat strategjikë për zhvillimin e turizmit.
Vizioni
“Në 2031, Alpet e Shqipërisë do të jenë një rajon që manifeston ekuilibrin midis njeriut dhe natyrës, që ruan vlerat mjedisore dhe promovon identitetin, trashëgiminë kulturore e historike, duke zhvilluar një turizëm të qendrueshëm që i përgjigjet tregut dhe nevojave socio-ekonomike, duke u bazuar në hiearkinë e qendrave të specializuara që funksionojnë si një rrjet organik.
Kështu, “Bjeshkët e Bekuara”, do të jenë një rajon, ku kërkuesit e eksperiencave, udhëtarët, vizitorët dhe banorët e zonës do të sigurohen që malet janë vendi nga ku shikojmë si ka qenë bota pa ne dhe si do të jetë në të ardhme” thuhet në dokumentin final të strategjisë së zhvillimit.
Objektivat strategjikë
Nevoja emergjente për hartimin e një plani vjen në kushtet kur trysnia që shkakton rritja e interesit mund të kthehet në një bumerang që e shkatërron atë.
“Plani për turizmin do të hartohet më synimin për të rritur burimet njerëzore të kualifikuara dhe të trajnuara, në sektorët publik e privat, për të shërbyer dhe menaxhuar industrinë e turizmit në mënyrë të qëndrueshme dhe konkurruese në përputhje me standardet ndërkombëtare, për të përmirësuar kapacitetet menaxhuese të burimeve njerëzore, për të përforcuar sistemin arsimor dhe trajnimet, dhe për të arritur një standard cilësie” thuhet në dokumentin e qeverisë.
Por cilat janë në fakt tre objektivat strategjikë të zhvillimit të këtij rajoni?
I pari është ekuilibri mes natyrës dhe zhvillimit të turizmit që synon të mbajë nën kontroll rritjen duke mos prekur asetet natyrore por edhe duke plotësuar sipas standardet kërkesat që imponon turizmi.
I dyti është rritja e produktivitetit të turizmit. Një sektor që ka vazhduar të ketë rritje të qëndrueshme në vite ka provuar se mund të japë akoma më shumë në ekonomi qoftë nga gjenerimi i vendeve të reja të punës qoftë nga zgjerimi i shërbimeve dhe produktit turistik.
Objektivi i tretë strategjik është promovimi dhe marketimi i Alpeve si një destinaicon i veçantë. Ajo që synohet është harmonizimi i bizneseve turistike të zonës, turoperatorëve dhe gjithë zinxhirit të sektorit për të promovuar në mënyrën e duhur mjediset historike, përvojat kulturore apo peizazhet natyrore në këtë rajon. Kjo do të ishte një vlerë e shtuar./Monitor