Dokumente zyrtare të Bashkimit Europian tregojnë se nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka përfituar më shumë fonde nga Bashkimi Europian.
Nga këto dokumente zbulohen edhe shumat të cilat ka përfituar Shqipëria. Samiti i Triestes u parapri në muajin mars nga një takim në Stokholm, Suedi, ku të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor prezantuan projektet e tyre per financim.
Pesë projektet e reja të aprovuara nga BE kanë të gjithë rëndësi kritike për zhvillimin e vendit, pasi bëhet fjalë për HEC-in e Skavicës (projekt i cili ka potencialin të dyfishojë kapacitetin energjetik të vendit), për Parkun Kombëtar të Bunës dhe Liqenit të Shkodrës, linjën e tensionit të lartë me Maqedoninë, zgjerimin e Portit të Durrësit dhe by-pasi rrugor i Lezhës.
Në vitin 2016, Shqipëria ishte e treta në rajon për përthithjen e këtyre fondeve, duke marrë 24% të fondit të përgjithshëm të vendosur në dispozicion. Tre projektet e aprovuara një vit më parë janë gazsjellësi Adriatiko-Jonian, gazjsellësi Shqipëri-Kosovë-Serbi dhe hekurudha Vorë-Hani i Hotit.
Ndërkohë, nga Samiti i Parë i Berlinit, i mbajtur në 2014-ën me nismën e vetë Kancelares Merkel, deri në Samitin e sotëm të Triestes, Shqipëria ka marrë mbështetjen e BE-së për një numër të rëndësishëm projektesh të tjerë.
Midis tyre është edhe hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës, si dhe projekti për Korridorin e Kaltër, një autostradë që do të lidhë Kroacinë me Greqinë, duke kaluar veri-jug përmes të gjithë territorit të Shqipërisë.
Gjithashtu, falë një granti të BE-së, Shqipëria ka të përfunduar Masterplanin Kombëtar të Gazit, projekt që do të nisë nga zbatimi pas përfundimit të gazjellësit TAP.
Përfitime të mëdha, në vlerën e miliona eurove në vit mund të rrjedhin edhe nga themelimi i Qendrës së Shkëmbimeve Studentore dhe Kulturore (RYCO) në Tiranë, një qendër e cila shndërron Tiranën në kryeqendrën e shkëmbimeve rinore në Ballkan. Kjo qendër ka nisur funksionin, por do të fillojë punëm me ritëm të plotë vetëm në fillim të 2018-ës.
Në total, Bashkimi Europian ka vendosur që të investojë në Ballkanin Perëndimor mbi një miliardë eurosh, në formë granti, kredish të buta përmes BERZH-it apo KfW, fondesh IPA apo donacione të tjera, për financimin e Axhendës së Konektivitetit.
Këtij fondi, do t’i shtohen edhe 220 milionë euro, që Komisioneri Hahn bëri të ditur ditën e sotme se do të shpërndahen midis më shumë se 6 mijë kompanive vendase në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit.