Vodafone Albania do të mbyllë shërbimin e dërgimit të parave përmes telefonit celular M-Pesa, i cili u prezantua me bujë në maj të vitit 2015.
Në një njoftim të dërguar konsumatorëve thuhet se “Shërbimet M-Pesa do të ofrohen deri më datë 14/07/2017. Ju lutemi tërhiqni fondet e llogarisë suaj në një nga dyqanet Vodafone brenda datës 29/07/2017. Pas kësaj date kontrata që ju keni me Vodafone M-Pesa është e zgjidhur bazuar në nenin 19/2 të Kushteve dhe Afateve. Komisioni i tërheqjes është 0 Lekë”.
Mobile World Live shkruan se mbyllja e këtij shërbimi do të prekë rreth 250,000 klientë në të gjithë vendin.
Po sipas këtij uebsite global, që publikon lajme nga tregu i telekomunikacioneve, një lëvizje e tillë nuk është e paprecedentë. Në maj të vitit 2016, njësia e Vodafone në Afrikën e Jugut, Vodacom, njoftoi se do të mbyllte shërbimin M-Pesa, pasi një rishikimin i tij nxori në dukje se shërbimi nuk kishte të ngjarë që të arrinte një pikë kritike të numrit të përdoruesve. U raportua se në atë kohë shërbimi kishte 76,000 përdorues.
E njëjta logjikë, vijon artikulli, mund të jetë edhe për Vodafone Albania. Numri i raportuar i përdoruesve të M-Pesa në vend është vetëm një fraksion i 2.3 milionë abonentëve që GSMA raporton se operatori kishte në fund të tremujorit të parë 2017.
Vodafone prezantoi M-Pesa në Shqipëri në vitin 2015 si pjesë e një strategjie më të gjerë për të zgjeruar shërbimet në Europën Qendrore e Lindore./Monitor