Quantcast
Channel: Ekonomi – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663

Për çfarë votojmë? Mendimet e tre profesorëve të ekonomisë

$
0
0

Qytetarët shqiptarë këtë të diel do të vendosin me votën e tyre se kush do t’i qeverisë në katër vitet e ardhshme. Por kjo nuk është e vetmja pyetje që votuesi do të marrë në konsideratë. Më e rëndësishme për të në fakt nuk është se kush qeveris por se si do të qeveriset. Askush nuk mund të japë një përgjigje përfundimtare as sot e as pas një viti për këtë, aq më tepër që gjithçka do të zhvillohet në një realitet dinamik. Mirëpo ne mund të gjykojmë, votuesi mund të vlerësojë në vija të përgjithshme atë që pritet të bëjë secila forcë politike, bazuar në programin elektoral. Në vija të përgjithshme e majta vijon të jetë për një mandat vijues dhe me korrektime në taksa e reforma, ndërkohë që e djathta vjen me premtimin për ulje drastike të taksave, me objektivin për të ndërtuar një Republikë të Re. Mes premtimeve të pakta janë ata që i kuptojnë dhe i interpretojnë me saktësi premtimet e partive dhe programet e tyre ekonomike. Për t’i ardhur në ndihmë votuesit ne morëm mendimin e tre prej profesorëve më të mirënjohur të ekonomisë në vend, të cilët në mënyrë telegrafike bëjnë një shpjegim të programeve ekonomike që na kanë paraqitur partitë dhe mundësisë që ata kanë të zbatohen në realitet. Profesor Selami Xhepa, president i Institutit Europian “Pashko”, presidenti i UET, Adrian Civici dhe profesor Arben Malaj, rektor i Universitetit “Luarasi” sjellin vlerësimet e tyre kritike për atë çfarë premtuan partitë e mëdha politike për garën e 25 qershorit 2017.

 

 

Programet ekonomike janë populiste dhe të parealizueshme

Selami Xhepa, president i Institutit Europian “Pashko”

Flet Selami Xhepa, ekonomist, drejtues i Institutit “Pashko”: Për të realizuar programe të tilla, do të duhej që ose të ardhurat buxhetore të ishin minimalisht mbi 35% e GDP-së, ose shifra e borxhit publik do të shkonte menjëherë nga rreth 70% e GDP-së që është aktualisht, në mbi 80% të GDP-së

Duke u ndalur te jeta ekonomike dhe problematika sociale e vendit, programet e të tria forcave politike kanë një pikë të përbashkët: natyrën thellësisht populiste dhe aspak të studiuar se si do të operojnë me përmirësimin e sistemit tonë ekonomik. Meqë nuk disponohet një kopje e saktë e programeve të dy partive të mëdha, PD dhe PS, llogaritjet e mëposhtme janë indikative dhe jo plotësisht të sakta, por krijojnë një ide solide dhe plotësisht të përafërt me realitetin makroekonomik dhe fiskal që do të krijohej për vendin. Të tria forcat politike kanë si thelbin e tyre: uljen e taksave direkte (PD thotë taksa e sheshtë 9%; PS thotë se mund ta rikonsiderojë tatimin mbi fitimin prej 15% në norma të diferencuara sipas niveleve të xhiros – duke reflektuar ndaj kritikave që zoti Blushi ka adresuar përherë në Parlament; LSI ka paraqitur një tatim të përshkallëzuar sipas niveleve të xhiros që shkon nga 5% deri në 10% maksimumi). Të njëjtën qasje kanë të tria këto forca dhe në raport me tatimin mbi të ardhurat personale: PD sërish ka opsionin e taksës së sheshtë prej 9%, ndërsa LSI ka një nivel maksimal tatimi mbi të ardhurat personale prej 10% për të ardhurat mbi 2 milionë lekë. PS ka thënë se do ta rishikojë këtë tatim, por nuk është shprehur në mënyrë eksplicite, por ideja e tyre duket se përkon me atë që ka parashikuar programi i LSI. LSI gjithashtu ka dhe një paketë përjashtimesh të biznesit nga tatimi mbi të ardhurat për fermerët, investimet në zonat turistike etj. Ka një konvergjencë midis PD dhe LSI, ku të dyja palët e shohin nivelin maksimal të tatimit PD në 9% dhe LSI në 10%, me dallimin se LSI ruan progresivitetin në raport me të ardhurat. Nëse do të konvertoheshin në kosto masa të tilla uljesh tatimore dhe përjashtimesh fiskale, në rastin më konservator efekti i tyre fiskal do të ishte një shifër e barabartë me gati 3-5% të GDP-së. Kjo do të thotë se, në një pamje statike, automatikisht të ardhurat buxhetore nga gati 26% e GDP që janë sot, do të binin në afër 22-24% e GDP-së! Ndërkohë që PS nuk ka një qëndrim të qartë dhe për pasojë nuk mund të bëjmë vlerësime të efekteve të programit të saj. Në krahun e shpenzimeve, premtimet elektorale janë të pamundura: rritje e investimeve në bujqësi: 200-250 milionë euro mbështetje e drejtpërdrejtë plus kredi të buta me norma interesi 2%. Kjo do të përkthehej në një shifër mbështetjeje për bujqësinë që shkon në gati 2% të PBB-së, nga gati 0.7% që është aktualisht. Po ti shtojmë edhe premtimin që investimet në arsim do të shkojnë në 5% të GDP-së dhe po aq edhe mbështetja për shëndetësinë (nga gati 6% që janë të dyja së bashku aktualisht), vetëm nga këto masa, shpenzimet qeveritare do të shkonin nga rreth 30% e GDP-së që janë aktualisht, në rreth 37-39%. Nëse vlerësojmë edhe mbështetjet e tjera për kategori të caktuara të popullsisë – si pensione minimale jo më pak se 20 mijë lekë, paga minimale jo më pak se 35 mijë lekë; energji falas deri në 200 kwh për shtresat në nevojë; rritje me 40% të pagave në administratën publike; krijimin e nga 150-250 mijë vende pune (të cilat nëse konvertohen në kosto do të kishin një faturë që shkon në gati 1 miliard euro!) – duket se faturat do të ishin në absurd! Është evidente se për të realizuar programe të tilla, do të duhej që ose të ardhurat buxhetore të ishin minimalisht mbi 35% e GDP-së, ose shifra e borxhit publik do të shkonte menjëherë nga rreth 70% e GDP-së që është aktualisht, në mbi 80% të GDP-së. Nëse kjo do të ndodhte, është e qartë se kosto e financimit të borxhit dhe normat e interesit për borxhin e jashtëm të vendit, do të fusnin vendin në një krizë buxhetore edhe më të keqe se ajo që kaluan Greqia dhe vendet e tjera të Europës Jugore. Ajo që nga ana tjetër spikat dukshëm, është se asnjëra nga partitë politike nuk ndalet në reformat strukturore që do të ndihmonin realisht që ekonomia dhe investimet private të zhvilloheshin. Ekonomia zhvillohet nga sipërmarrja private dhe jo nga shteti. Asnjëra nuk ndalet në zhvillimin urban dhe rural dhe integrimin e tyre në planet e zhvillimit ekonomik – siç janë parqet industriale ose zonat ekonomike; jetësimi i qasjes europiane sipas konceptit Smart Cities ku harmonizohen disa objektiva zhvillimi dhe modernizmi të jetës së qyteteve; se si do të përmirësojmë arsimin dhe shëndetësinë jo thjesht duke shtuar para (të cilat sigurisht që nuk do të shtohen aspak), por duke planifikuar reforma të mundshme dhe që realisht mund të mbështeten me fonde të mjaftueshme.

 

Programeve ekonomike të partive iu mungon koherenca

Prof. Adrian Civici, president i UET

Në emër të të “bërit për vete të sa më shumë zgjedhësve”, programet ekonomike nuk kanë konture të qarta, në mënyrë që të dallohet “dëshira dhe vullneti i mirë politik”, “dhembshuria e pafund sociale” nga “objektivat e politikat realisht të realizueshme”

Programet e partive politike të evidentuara në këtë fushatë zgjedhore, të paktën të katër prej tyre, PS, PD, LSI dhe LIBRA, shprehin shqetësimet kryesore që ka ekonomia, financat dhe shoqëria shqiptare. Por, në këndvështrimin e mundësive të realizimit konkret të tyre, përtej retorikës tipike të fushatave zgjedhore, mendoj se këtyre programeve iu mungon koherenca. Në emër të të “bërit për vete të sa më shumë zgjedhësve”, programet ekonomike nuk kanë konture të qarta, në mënyrë që të dallohet “dëshira dhe vullneti i mirë politik”, “dhembshuria e pafund sociale” nga “objektivat e politikat realisht të realizueshme”. Natyrisht, elemente të veçanta të tyre mund dhe besoj se do të realizohen nga cilado forcë politike apo koalicion politik që do të jetë në pushtet në 4 vitet e ardhshme, por në tërësinë e tyre, si “programe ekonomike” – natyrisht me vështirësinë e madhe që të gjesh diçka të shkruar nga A te ZH-ja nga partitë kryesore, kur është fjala për programet ekonomike, se ata që janë paraqitur deri tani, në rastin më të mirë janë thjesht angazhime dhe premtime elektorale – ka doza të mëdha subjektiviteti dhe voluntarizmi. Në shkencat politike, thuhet shpesh se “Partitë politike nuk duhen gjykuar nga premtimet për të ardhmen, por nga realizimet dhe rezultatet e së shkuarës”. Në këtë kontekst, qindra mijë vende të reja pune të premtuara, qindra milionë euro investime e subvencione, qindra milionë euro të tjera mbështetje buxhetore etj. etj., të kësaj natyre, të cilat në këto 26 vite qeverisje të majtë apo të djathtë nuk janë bërë asnjëherë në këto përmasa që premtohen, të çojnë natyrshëm te konkluzioni se realizimi 100% i këtyre programeve është pothuajse i pamundur. Duke ju referuar përvojës dhe shembujve konkretë të mënyrës se si ndërtohet dhe paraqitet një program ekonomik në vendet e BE-së apo dhe në SHBA, Kanada, Japoni etj., e kupton se sa reale, profesionale, konkrete e të realizueshme janë ato, pavarësisht debateve të ashpra elektorale që i shoqërojnë. Partitë politike shqiptare duhet t’i marrin më shumë seriozisht përgatitjet e programeve ekonomike, t’i bëjnë ato “produkt” të institucioneve, instituteve apo qendrave të specializuara për politikat ekonomike e financiare, rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, stabilitetit makroekonomik, politikave të punësimit etj. Të mos mbeten vetëm në kuadrin e premtimeve apo qëllimeve që “sigurojnë sa më shumë vota” apo që tregojnë se sa “i paaftë është kundërshtari i tyre politik”. Me pak përjashtime në programin e PS-së, që duket relativisht më i ekuilibruar, edhe për shkak të faktit se vjen pas një qeverisje 4-vjeçare dhe mendon me më “këmbë në tokë”, programet e tjera kanë një disproporcion të madh ndërmjet propozimeve e angazhimeve “për uljen e taksave” dhe “rritjen e shpenzimeve”. Nga një llogaritje e përafërt e efekteve të uljes drastike të taksave që propozohen – ulje e TVSH, ulje e tatimit mbi fitimin, ulje e tatimit mbi dividentin, ulje e tatimit mbi të ardhurat, përjashtime të shumta fiskale etj., rezulton që në buxhetet e ardhshme, të mungojnë të paktën 400-500 milionë euro në vit; dhe nga ana tjetër, subvencionet për bujqësinë, naftën, investimet në infrastrukturë, rritjen e pagave dhe pensioneve, dyfishimin e shpenzimeve në arsim e shëndetësi, rritjen e minimumit jetik, rritjen e investimeve publike etj., në rastin më minimal do të kërkonin rritjen me mbi 500 milionë euro të shpenzimeve publike. “Gropa” vjetore në buxhet merr përmasat gati 1 miliard euro. Në kushtet kur nga gjithë partitë premtohet ulja e borxhit publik dhe mbajtja në nivel të ulët e deficitit buxhetor, vështirë se mund të garantohet ekuilibri makroekonomik dhe stabiliteti financiar e buxhetor i vendit me këto premtime elektorale. Natyrisht, ka rezerva në përmirësimin e luftës kundër informalitetit, luftimit të korrupsionit dhe klientelizmit etj., por gjithsesi mendoj se Shqipëria ka ende shumë nevojë ta përmirësojë performancën fiskale për ta çuar në nivelet 30-35% mbledhjen e të ardhurave në raport me PBB, dhe kjo nuk realizohet duke premtuar ulje taksash pa fund dhe në çdo aspekt. Po të llogarisësh “me laps në dorë” këtë aspekt të programeve ekonomike të partive politike në këto zgjedhje, e ke të vështirë të gjesh ekuilibrin e domosdoshëm ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhet. Shpeshherë, ne i referohemi modelit gjerman, sidomos kur flasim për rolin e shtetit dhe gjerësinë e politikave sociale, duke harruar se niveli i taksimit në Gjermani është 60-65%, duke i krijuar mundësi buxhetit dhe qeverisë të ndërmarrë e të realizojë me sukses politika sociale e zhvilluese nga më cilësoret. Aktualisht në Shqipëri, niveli më i lartë i taksimit është 23% dhe kjo vetëm për 12 mijë paga që konsiderohen të larta, ndërsa niveli dominues është 15%. Me propozimet që bëhen, pritet që ky nivel të ulet më shumë. Si dhe ku mund të gjenden gjithë ato para për politikat dhe masat mbështetëse që propozohen? Personalisht mendoj se modeli më i përshtatshëm fiskal dhe ekonomik për Shqipërinë është ai i taksave të ulëta dhe lehtësimit të barrës fiskale për një pjesë të madhe të bizneseve dhe individëve, i shoqëruar me një “qeveri të vogël”, që nuk merr përsipër të zgjidhë dhe të rregullojë gjithçka në ekonomi, por që në plan të parë ka krijimin dhe garantimin e një klime optimale biznesi dhe stabilitet ligjor e institucional.

 

Uljet e mëdha të taksave prodhojnë krizë

Arben Malaj, rektor i Universitetit “Luarasi”

Sa më e thellë dhe e menjëhershme të jetë ulja e taksave, aq më i madh është risku që rritja e pritshme ekonomike të mos arrihet, që të ardhurat e humbura nga ulja drastike e taksave të mos kompensohen dhe për pasojë, aq më i madh është risku i një krize të re të stabilitetit financiar, pa të cilin nuk ka prosperitet ekonomik.

Në thelbin e programeve ekonomike të tri partive kryesore politike, PS, PD dhe LSI është vendosur rritja e mirëqenies. Natyrshëm, jo vetëm bazuar në dallimet ideologjike, ato kanë ndryshime të konsiderueshme lidhur me rrugët që synojnë për të rritur të ardhurat e disponueshme të shqiptarëve. Ky tregues i të ardhurave të disponueshme mban parasysh edhe efektin e taksave mbi të ardhurat bruto. Burimi kryesor i rritjes së të ardhurave, i uljes së papunësisë dhe varfërisë është punësimi, prandaj të tre partitë politike e kanë përqendruar konkurrimin midis tyre se sa vende pune do të hapin. Duke qenë se edhe në vendin tonë, burimi kryesor i vendeve të reja të punës është sektori privat, partitë politike duhet të qartësojnë efektin pozitiv të reformave konkrete që lehtësojnë hapjen e vendeve të reja të punës. Përgjithësisht partitë politike po synojnë hapjen e vendeve të reja të punës, duke u fokusuar tek ulja e taksave, me argumentin se ulja e taksave sjell rritje ekonomike dhe rritja ekonomike realizohet kryesisht nga vendet e reja të punës. Në fakt, argumentet që jepen më poshtë mbi debatin publik për efektin e uljes së taksave në rritjen ekonomike dhe rritja e punësimit paralajmëron të bëhet kujdes me ulje të arsyetuar jo mirë të taksave, sepse kjo nuk garanton rritje ekonomike. Kur nuk rritet ekonomia, ulja e taksave prodhon rritje të deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik imponon shkurtime të shpenzimeve dhe sidomos atyre të mbështetjes sociale dhe investimeve publike. Në situata të përkeqësimit të kohezionit social dhe rritjes së borxhit për brezat e ardhshëm, bëhet imediate rritja e taksave. Përvoja e vendeve në krizë si Greqia, Spanja dhe Portugalia, por edhe realiteti i financave të vendit tonë në vitet e krizës globale vërteton këtë rregull fiskal. Këtë konkluzion kanë arritur edhe studiuesit e Brookings Institute në SHBA, nga përvoja e dështuar e uljes së taksave në shtetin e Kansasit të qeverisur nga republikanët. Argumentet e tyre kryesore kur bënë uljen e taksave ishin se (i) ulja e taksave sjell rritje ekonomike dhe (ii) diferencimi i taksave do të rrisë bizneset specifike. Në studimet e politikave publike është arritur konkluzioni se niveli dhe struktura e taksave krijojnë premisa për zgjerimin e rritjes ekonomike, por nuk e garantojnë atë. Të djathtët promovojnë politikat e “supply side”, qeverinë e vogël të cilën e synojnë, duke shkurtuar taksat, çka sjell mosfinancimin e shërbimeve dhe funksioneve publike. Modeli nordik i rezistoi më mirë krizës globale. Guvernatori republikan i Kansasit, në fillim të mandatit, uli dhe diferencoi taksat, por dështoi në zgjerimin e rritjes ekonomike, nuk mundi t’i shkurtonte më shpenzimet buxhetore dhe në mes të mandatit ndërmori hapin e kundërt, duke i rritur taksat që uli. Nga ky rast, studiuesit e politikave publike të Institutit Brookings në Washington DC (https://www.brookings.edu/), konkluduan me tri rekomandime për Presidentin Trump, në lidhje me fushatën e tij të uljes së taksave: Ulja dhe diferencimi i taksave nuk garanton rritje ekonomik. Taksat favorizuese për biznese të caktuara nxisin evazionin dhe nuk sjellin rritje të të ardhurave. Taksapaguesit i paguajnë taksat nëse ata shikojnë një lidhje pozitive midis taksave që paguajnë dhe cilësisë së shërbimeve që u sjell. Konkluzioni i tyre është që leksioni i Kansasit mund të jetë një shembull shumë i mirë për atë që qeveritë nuk duhet të bëjnë gabim për rritjen e prosperitetit ekonomik.

Profesionalisht, sa më e thellë dhe e menjëhershme të jetë ulja e taksave, aq më i madh është risku që rritja e pritshme ekonomike të mos arrihet, që të ardhurat e humbura nga ulja drastike e taksave të mos kompensohen dhe për pasojë, aq më i madh është risku i një krize të re të stabilitetit financiar, pa të cilin nuk ka prosperitet ekonomik. Rritjet ekonomike me shtim të borxheve individuale, bizneseve dhe të qeverive rezultuan të dështuara. Kjo sepse rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik do të vrasë rritjen ekonomike nga shkurtimet e detyruara të shpenzimeve, ku prioritare që shkurtohen janë fondet sociale dhe investimet publike. Të shpresojmë që disa elemente të platformave ekonomike elektorale të mos jenë programet e qeverisë së të ardhmes së shqiptarëve. Modeli më i mirë ekonomik është ai që bazohet te rritja e produktivitetit, te politikat dhe reformat strukturore, sektoriale dhe territoriale që lehtësojnë, thjeshtëzojnë dhe reduktojnë kohën dhe koston për të hapur, për të zhvilluar dhe për të mbyllur një biznes. Politikat publike duhet të fokusohen në rritjen e cilësisë së arsimit, shëndetit, rritjen e kërkimit shkencor dhe novacionit, ndërsa promovimi i biznesit shqiptar dhe të huaj, është rruga kryesore dhe e qëndrueshme për rritjen e punësimit, reduktimin e papunësisë, varfërisë dhe rritjes së kohezionit social. Nuk ka formula magjike dhe aq më pak nuk ka një model ekonomik që i shkon për shtat çdo vendi. Realiteti social dhe politik, kultura shoqërore dhe institucionale, përmirësimi i funksionimit të shtetit ligjor, reforma në gjyqësor, garantimi i të drejtave të pronës, lufta kundër korrupsionit janë pjesë e reformave strukturore që prodhojnë efekte pozitive dhe të qëndrueshme mbi ekonominë, më shumë se çdo garë e uljes së taksave dhe rritjes së shpenzimeve.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2663